- I -
Motër fisnike!
Ta përkujtoj se pari qëllimin e krijimit dhe ekzistencës sonë. Allahu thotë: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë". (Dharijatë, 56).
Imam Neveviu ka thënë: "Në mënyrë direkte është potencuar këtu se ata, njerëzit dhe xhinët janë krijuar për adhurim, kështu që iu mbetet obligim t’i kushtojnë rëndësi qëllimit të krijimit të tyre dhe të largohen nga formalitetet e dunjasë, ngase ajo është vatër kalimtare dhe assesi e përjetshme, ajo është anije për kalim e assesi vend për qëndrim, është vend ndarje e jo vend për vazhdim".
Motër!
Mendoje të mirën e madhe të Allahut që ta ka dhënë ty. Allahu thotë: "Po edhe nëse përpiqeni t'i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t'i përcaktoni ato"(të mirat). (Nahl, 18).
Prej begative më të mira e më të mëdha është begatia e Islamit. Sa popuj jetojnë në këtë tokë, e që nuk janë muslimanë?! Kjo është begati, që Allahu ia jep kujt të dojë. Pastaj, falënderoje Allahun, se, përveç që ke përkatësi islame, je prej atyre që ende nuk kanë shkelur mësimet e tij dhe nuk janë zhytur në mëkate. Pra, vetëm Allahut i takon falënderimi!
Motër!
Ti jeton ne begatitë e Allahut, jeton e qetë, ke pasuri, ke shëndet, andaj ti duhet ta falënderosh Allahun edhe me fjalë, por edhe me vepra. Falënderimi më i madh që i bëhet Allahut është adhurimi dhe respekti për të si dhe largimi nga ndalesat e Tij, ngase begatitë nuk largohen nëse ti falënderon Allahun për to. Allahu thotë: "Nëse falënderoni, do t'ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni...". (Ibrahim, 7).
Dije se të drejtat e Allahut janë më të mëdha se sa ti t’i kryesh ato dhe se begatitë e Tij janë më të shumta se sa t’i numërosh, por: "Zgjohuni te penduar dhe flini te penduar".
- II -
Prej begative të Allahut është edhe fakti se Ai ta dha jetën, që ta përjetosh edhe këtë muaj të madh, muaj të shenjtë, ngase sa shokun e të dashurin tashmë i ka mbuluar dheu. Jeta e gjatë është shans për t’u pajisur me vepra të mira, andaj mu për këtë shfrytëzoje kohën në gjëra të mira dhe përkujto se ato, që agjëruan me ty vitin e kaluar tanimë nuk janë, kanë vdekur dhe më nuk kanë shans për të agjëruar dhe bëj vepra të mira. Imagjino sikur ndonjëra prej shoqeve tua te vdekura të dilte tani nga varri çfarë do të bënte? Do të shëtiste? Do të shkonte në treg? Do t’i vizitonte shoqet? Jo, pasha Allahun, assesi, ajo do të mundohej që të gjente ndonjë mënyrë për të bërë ndonjë vepër të mirë, ngase peshorja e vënë nga Allahu për matjen e veprave është shumë precize, Llogaritësi nuk lë gjë pa e llogaritur. Allahu thotë: "E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë". (Zelzele, 7-8).
Hadithit të Pejgamberit, alejhi selam gjeji vend në jetën tënde. A e di se për cilin hadith po të flas? Ja për këtë: "Shfrytëzoje rininë tënde para pleqërisë, shëndetin para vdekjes, kohën e lirë para se të jesh i zënë dhe jetën para vdekjes".
Bëhu kureshtare që të jesh prej njerëzve të zgjedhur siç ka thënë Pejgamberi alejhi selam kur e pat pyetur Ebu Bekreh: "O i Dërguari i Allahut! Cili është njeriu më i mirë? Ai tha: Kush ka jetë të gjatë dhe bën vepra të mira. Përsëri pyeti: E kush është njeriu më i keq? Ai tha: Kush ka jetë të gjatë dhe bën vepra te këqija". (Shënon Muslimi).
- III -
Duhet të kesh sinqeritet për Allahun dhe ke kujdes nga syefaqësia, ngase ajo është sëmundje e rrezikshme, e cila shkatërron veprat. Fsheh të mirat tua ashtu siç i fsheh të këqijat dhe të metat tua dhe bëj vepra të mira në fshehtësi, të cilat nuk do t’i dijë askush tjetër përveç Allahut të Madhëruar, qoftë namaz fakultativ, sadaka e fshehtë, dhe dije se Allahu nuk pranon veprat përveçse prej të devotshmëve. Allahu thotë: "Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve". (Maide, 27).
Mos u bë prej atyre, që refuzojnë hyrjen në xhenet, siç ka thënë Pejgamberi alejhi selam: "Tërë Umeti im do të hyjnë në xhenet përveç atyre që refuzojnë. Thanë: E kush refuzon o i Dërguari i Allahut? Ai tha: Kush më respekton mua, ai hyn në xhenet, ndërsa kush më kundërshton mua, ai refuzon hyrjen në xhenet". (Shënon Buhariu).
- IV -
Bëja vetes shprehi përkujtimin dhe përmendjen e Allahut çdoherë dhe në çfarëdo rrethanash. Le të jetë gjuha jote e lagur përherë me përmendjen e Allahut dhe përmbaju lutjeve të caktuara për kohët e caktuara. Allahu thotë: "O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje". (Ahzabë, 42-43).
"Shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh". (Ahzabë, 35)
(Ahzabë, 35)
Aisheja, Allau qoftë i kënaqur me të thotë: "Pejgamberi alejhi selam e përkujtonte Allahun çdoherë". (Shënon Muslimi).
Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Ua kanë kaluar muferridunët. Thanë: Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut? Ai tha: Ata dhe ato, që e përkujtojnë Allahun shumë". (Shënon Muslimi).
Ibnul Kajjimi thotë: "Me një fjalë, kur njeriu t’i largohet rrugës së Allahut dhe të merret me mëkate, do t’i humbasin ditët e vërteta, dhimbjen dhe pikëllimin e të cilave do ta gjejnë atë ditë kur do të thonë: "Ah sikur të kisha bërë diç për jetën time".
Motër, dije se pas vdekjes sate njerëzit do të merren me vetveten kështu që askush për ty nuk do të falet, nuk do të agjërojë, nuk do të punojë, kështu që mblidhe veten dhe puno për vete.
- V -
Bëhu kureshtare që të lexosh Kur’an çdo ditë, dhe sikur t’ia bëje vetes një orar, që pas çdo kohe të namazit të lexoje një pjesë (xhuz), do të lexoje për çdo ditë nga pesë xhuz’e.
Disa motra në fillim kanë pasion për lexim, por më pas nuk lexojnë asgjë. Ibën Mes’udi transmeton se Pejgamberi, alejhi selam ka thënë: "Kush e lexon një shkronjë nga libri i Allahut, ai ka një të mirë, e cila vlerësohet me dhjetë. Nuk po them Eli Lam Mim një shkronjë, por po them elif një shkronjë, lam një shkronjë dhe mim një shkronjë". (Shënon Tirmidhiu).
Ibën Abbasi transmeton se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Ai, i cili nuk di asgjë nga Kur’ani është sikurse shtëpia e shkatërruar (gërmadha)". (Shënon Tirmidhiu).
Ebu Umame el-Bahili transmeton se e ka dëgjuar Pejgamberin alejhi selam duke thënë: "Lexojeni Kur’anin, ngase ai në Ditën e Kijametit do të vjen si ndërmjetësues për lexuesit e tij". (Shënon Muslimi).
Andaj, motër lexo Kur’an sa më shumë, mundohu të mësosh përmendësh diç nga ai, ngase të folurit e Allahut është përplot urtësi, këshilla, mësime, edukatë, shpërblim…
- VI -
Ramazani është shans i volitshëm për të ftuar në rrugë të Allahut. Afrohu tek Allahu në këtë muaj duke i ftuar të afërmit tu në rrugën e Tij, duke ua dhuruar ndonjë libër, kasetë me ligjëratë fetare, dhe mos lësho ditë pa kontribuar diç në këtë aspekt. Dije se kjo ishte detyra e Pejgamberëve, alejhim selam, njerëzve të devotshëm, dhe ti, mos lësho rastin që në këtë muaj të madh të veprosh e këtë aspekt, ngase zemrat janë të hapura dhe shpërblimi është shumëfish më i madh. Pejgamberi alejhi selam: "Pasha Allahun! Sikur ta udhëzojë Allahu ndokënd nëpërmjet teje, është më mirë për ty se sa devetë e kuqe (pasuria me e shtrenjtë)". (Transmetim unanim).
Hasani thotë: Pozita e thirrjes në rrugën e Allahut është prej pozitave më me vlerë tek Ai.
- VII -
Kujdes nga ndejat e kota, ruaje gjuhën tënde nga përgojimi dhe bartja e fjalëve, mundohu që të flasësh fjalë të mira, që e gëzojnë Allahun e jo që e hidhërojnë. Le të jetë gjuha jote e lagur përherë me përmendjen e Allahut.
Dije se çdo dite, të cilën e jeton është begati për ty. Transmeton Ebu Hurejre se dy burra te fisit Benu Kuda’ah kishin pranuar Islamin në kohën e Pejgamberit alejhi selam. Njëri ra dëshmor, ndërsa tjetri jetoi deri vitin e ardhshëm. Talha b. Ubejdullah tha: E pashë këtë të fundit që hyri në xhenet para shehidit, kështu që u çudita. U gdhiva në mëngjes dhe ia përmenda këtë Pejgamberit alejhi selam, ose ia përmendi dikush tjetër, ndërsa ai tha: "A nuk e ka agjëruar një Ramazan pas tij dhe ka falur 6.000 rekate dhe kaq rekate namaz sunnet?!". (Shënon Ahmedi).
- VIII -
Shtëpia është starti yt për këshilla, andaj fillo dhe edukoje veten tënde së pari, pastaj të tjerët rreth teje, burrë, vëlla, motër, djem apo vajza qofshin, duke ua përkujtuar dobitë e këtij muaji, dobitë e leximit te Kur’anit, etj.
Urdhëro për të mirë dhe ndalo nga e keqja me butësi e fjalë të mira, si dhe lutu për familjen tënde për të mirë. Ky muaj është muaj i mirë për këshillimin e atyre që lëshojnë pe në fe. Pejgamberi alejhi selam thotë: "Kush udhëzon për në të mirë, ai ka shpërblimin sikurse të atij, që punon". (Shënon Muslimi).
- IX -
Ke kujdes nga tregjet, ngase ato janë vende të sprovave dhe vende ku nuk përkujtohet Allahu. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Vendet më të dashura te Allahu janë xhamitë, ndërsa më të urryerat janë tregjet". (Shënon Muslimi).
Le të mos jetë ky muaj i njëjtë me muajt tjerë. Ke kujdes që të mos bësh mëkate në këtë muaj për shkak se ke dëshirë që të blesh ndonjë fustan apo këpucë. Çfarë dëmi ke nëse ti nuk bën pazarllëqet në këtë muaj? T’ia kesh frikën Allahut për veten tënde dhe të rinjtë muslimanë!
- X -
Umreja, vizita e Qabesë jashtë kohës së Haxhit, ka vlerë të madhe, por në këtë muaj, ka një vlerë të veçantë. Ibën Abbasi transmeton se kur Pejgamberi alejhi selam u kthye nga haxhi lamtumirës, i kishte thënë një gruaje, e cila quhej Ummu Sinan (Nëna e Sinanit): "Çfarë të pengoi që ta bësh haxhin? Tha: Babi i filanit, e ka për qellim burrin e saj. Ai kishte dy deve, kështu që haxhin e bëri duke e marrë me vete një deve, ndërsa tjetrën na e la që ta ujisim tokën me të. Pejgamberi tha: Një umre ne Ramazan kompenson (ka vlerën) një haxh, ose (ka thënë dyshon transmetuesi) një haxh me mua". (Shënon Buhariu).
Çdo motër që dëshiron ta bëjë umren në Ramazan, e këshillojmë që të bashkojë shenjtërinë e këtij muaji, shenjtërinë e atij vendi dhe largimin prej mëkatit, në mënyrë që atje të shkojë për shpërblim e jo të kthehet nga atje me mëkate e pa shpërblim.
Nëse Allahu ta mundëson umren, atëherë largohu nga mëkatet, mbulohu dhe qëndro larg shikimeve të meshkujve, shko ta vizitosh Shtëpinë e Allahut duke ndier në shpirt shenjtërinë e kësaj shtëpie dhe kujto se sikur që të mirat shpërblehen shumëfish po ashtu edhe të këqijat shpërblehen shumëfish.
- XI -
Allahu na i ka hapur dyert e së mirës, na ka lëshuar begati dhe furnizim me bollëk, andaj bëhu kureshtare që të japësh lëmoshë nga pasuria, ushqimi, rrobat tua, etj., ngase Allahu i ka lavdëruar robërit e Tij të devotshëm dhe i ka përshkruar me disa cilësi e ka thënë: "Ata qenë të cilët pak flinin natën. Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet. Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë, por nuk lyp)". (Dharijatë, 17-19).
Në këtë muaj të madh mundohu që të tubosh vepra të mira, si: namaz nate, kërkim falje të mëkateve (istigfar), dhënie të lëmoshës-sadakasë, etj. Pejgamberi alejhi selam ka nxitur për lëmoshë e ka thënë: "Mbroju nga zjarri qoftë edhe me një gjysmë hurme". (Shënon Muslimi).
Në hadithin e Ebu Hurejres, në të cilin përmendën ata që do të hyjnë nën hijen e Arshit të Allahut, është edhe personi: "I cili ka dhënë sadaka, dhe e ka fshehur aq shumë sa që edhe dora e majtë nuk e di se çfarë ka dhënë dora e djathtë". (Transmetim unanim).
Disa shokë të Pejgamberit alejhi selam kishin shpenzuar tërë pasuritë e tyre në rrugën e Allahut të Madhëruar, disa të tjerë gjysmën, andaj mos të të bëjë ty djalli koprrac, por nxito, dhe nxito që të jesh prej atyre që japin lëmoshë. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "O gra! Jepni sadaka, shpeshtojeni istigfarin (kërkimin falje për mëkate), ngase unë juve ju kam parë më së shumti (në shifër) në xhehenem". (Shënon Muslimi).
- XII -
Ramazani është rast i volitshëm edhe për llogarinë vetanake, për të parë lëshimet dhe gabimet, që i kemi bërë. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Me të vërtetë, i mençur është ai që e llogarit veten e vet dhe punon për jetën pas vdekjes, ndërsa i dobët është ai që lejon veten e vet ta pasojë epshin dhe shpreson tek Allahu shpresa (të kota)". (Shënon Tirmidhiu).
Hasani thoshte:
"Allahu e mëshiroftë njeriun, i cili nuk mashtrohet nga ajo e shumtë që sheh te njerëzit…. O njeri! Ti do të vdesësh vetëm, do të hysh në varr vetëm, do të ringjallesh vetëm dhe do të llogaritësh vetëm".
Ka thënë Ibën Avni:
"Mos i beso veprës sate të shumtë, ngase ti nuk e di se a të janë pranuar apo jo. Mos u bë i sigurt nga mëkatet, ngase ti nuk e di se a të janë shlyer apo jo. Tërë vepra jote (rezultati përfundimtar i saj) të është e panjohur (andaj mos u mashtro)".
- XIII -
Allahu e ka obliguar bamirësinë ndaj prindërve dhe ka ndaluar nga arroganca sado e vogël që të jetë. Allahu thotë: "Atyre mos u thuaj as "of - oh", as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre". (Israë, 23).
"Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues". (Israë, 24).
(Israë, 24).
Erdhi një njeri te Pejgamberi alejhi selam t’i kërkonte leje për xhihad, që është vepra me e pëlqyer dhe në të cilën vepër zakonisht, përveç lodhjeve e mundimeve, rrezikohet edhe jeta, por Pejgamberi alejhi selam i tha: "A i ke gjalle prindërit?" Ai tha: Po. Pejgamberi i tha: "Shko dhe tek ata bëj xhihad (fito shpërblimin e madh duke u përkujdesur për ta)". (Shënon Buhariu).
Prej aspekteve të bamirësisë ndaj prindërve është mëshirimi i tyre, kujdesi për shëndetin e tyre, furnizimi me pasuri, gëzimi i tyre dhe lutja për ta.
Disa gra, fatkeqësisht, nuk i kushtojnë rëndësi kësaj, kështu që sheh se më shumë përparësi i japin shoqes se sa nënës së tyre.
Bamirësia ndaj prindërve është vepra më e mirë. Ibën Mes’udi transmeton: "E kam pyetur Pejgamberin alejhi selam se cila vepër është me e dashura tek Allahu? Ai tha: Namazi në kohën e tij. Pyeta: Pastaj cila? Ai tha: Bamirësia ndaj prindërve. Përsëri pyeta: Pastaj cila? Ai tha: Xhihadi në rrugën e Allahut". (Transmetim unanim).
Kujdesu po ashtu edhe për mbajtjen e lidhjeve familjare me të afërmit, por jo për ta kaluar kohën kot, jo për gjëra të këqija, por mjafton që të pyesësh për ta, t’i vizitosh për pak kohë, e kështu me radhë.
- XIV -
Pendimi, fjalë, të cilën e themi dhe e dëgjojmë, por pak motra e praktikojnë. Madje, jo vetëm kaq, por kanë filluar haptazi të bëjnë mëkate e të mos interesohen fare se a është mëkat apo jo, si: dëgjimi i muzikës, shikimi i serialeve, etj.
Muslimanja e ka obligim që të pendohet sinqerisht. Allahu duke nxitur për pendim të sinqertë thotë: "Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim". (Nurë, 31).
"Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme". (Bekare, 222).
(Bekare, 222).
Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Çdo njeri është mëkatar, ndërsa më të mirët e mëkatarëve janë të penduarit". (Shënon Hakimi dhe Tirmidhiu)
Motër, shpejto që të pendohesh sinqerisht, hap një kapitull të ri në jetën tënde dhe llogarite veten para se të llogaritësh. Allahu thotë: "Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë (e të pastër)". (Shuaraë, 88-89).
Përkujto veten tende kur të pastrohesh me sidër (lotus) dhe te mbështjellësh me qefinin pesë palësh. Ja, këto janë rrobat, me të cilat do të dalësh prej kësaj dynjaje.
Një poet thotë:
Ah sikur ta dija se si do të jesh ti,
Kur të pastrohesh me kafur dhe lotus,
Apo sikur ta dija si do të jesh ti,
Në hapësirën e varrit dhe në errësirën e tij?
Motër muslimane!
Këto pika i shkrova kalimthi për ty. Nëse të frikëson dynjaja, të brengos ahireti dhe ke dëshirë që të punosh, atëherë mos lë mangu asgjë, por qasu derës së pendimit dhe trokit në kthimin e sinqertë e thuaj: Ndoshta ky është Ramazani i fundit në jetën time dhe ndoshta unë pas këtij viti më nuk do të jetoj…!
Mos ia lejo vetes që të anashkalosh shumë gjëra, por vendosu, përqendrohu dhe dije, se pasha Allahun, ti do të kesh nevojë edhe për një të mirë të vetme….
Imagjinoje madhërinë e Allahut, imagjinoje ditën kur fëmija thinjet, imagjinoje xhenetin, gjerësia e të cilit është sa qiejt e toka, i cili është përgatitur për të devotshmit. Përkujtoje një zjarr, i cili quhet Ledh-dha dhe i cili: "Është që heq kapakët e kokës. Që e thërret (tërheq prej vetes) atë që është zmbrapsur e larguar (prej besimit)". (Mearixh, 16-17)
Paramendoji këto e do të shohësh se të gjitha këto të ndihmojnë që të vazhdosh në vepra të mira. Nëse pjesën e kaluar të jetës ia ke dhënë lëmoshë dynjasë, e që padyshim se është pjesa më e madhe e jetës sate, atëherë pjesën e mbetur të jetës jepja lëmoshë ahiretit. Mos u bë prej atyre që kur t’iu vjen vdekja thonë: "O Zoti im, më kthe! Që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova". (Mu’minunë, 99-100).
Fillo tani, përqendrohu në çështjen tënde, ngase fundi është ose në xhenet ose në xhehenem, e që nuk ka vend tjetër përveç tyre.
E lusim Allahun me emrat dhe cilësitë e Tij të larta, që të na e mundësojë ta përjetojmë këtë muaj ashtu siç është më së miri dhe që të mos jetë Ramazani i fundit për ne!
O Allahu ynë! Na e prano agjërimin tonë, namazin tonë, na i fal mëkatet, ngase Ti je Falës dhe Mëshirues!
O Zoti ynë! Na dhuro fëmijë dhe bashkëshortë/e të hajrit, falna neve dhe prindërit tanë si dhe të gjithë muslimanët!
Përshëndetjet qofshin mbi zotëriun tonë, Muhammedin, mëshirën për mbare botët!