Përgjigjja:
Fillimisht desha një këshillë sa i përket skadimit të kohës së namazeve: Duhet të jemi shumë striktë në çështjen e skadimit të kohës së namazeve, ngase janë transmetuar nga Kur’ani dhe Sunneti argumente rrënqethëse për ata, të cilëve u kalon koha e namazit pa arsye të justifikueshme, kështuqë besimtari gjithnjë duhet ta ketë preokupim primar faljen e namazit në kohë, ose brenda kohës së caktuar, e jo të bëhet tolerant i tepruar në të. Pasi që besimtari ta rregullojë kohën e namazit, më pas i bënë planprogramet jetësore përkitazi me kohën e namazeve, e assesi të ndodh e kundërta, apo të ndodh që jeta e kësaj bote, ose interesat e saj të ndikojnë në neglizhimin e namazeve, siç thotë Allahu në Kur’an në suren Munafikunë, ajeti 9-11.
Tani t’i kthehemi pyetjes, nëse kjo ndodh atëherë duhet përpiqur që të gjejmë mundësi që brenda kohës së drekës apo të ikindisë t’i falim këto dy namaze. E nëse jo, d.m.th. hyn koha e akshamit e ti nuk e ke falë drekën e as ikindinë, atëherë falja bëhet në këtë mënyrë:
Fillimisht thirret ezani, pastaj bën ikamet (ikameti vlen për burrat) dhe e falë farzin e drekës, pastaj bën ikamet dhe e falë farzin e ikindisë, e më pas bën ikamet dhe e falë farzin e akshamit. Kështu është transmetuar në hadithe të vërteta nga Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe kështu ka vepruar, siç është rasti i Betejës së Hendekut, kur Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem u angazhua me luftën aq shumë sa nuk pati mundësi ta falë ikindinë derisa perëndoi dielli, dhe Omeri r.a. filloi t’i fyejë jobesimtarët kurejshitë dhe i tha Pejgamberit alejhi selam: Nuk munda ta fali ikindinë pa perënduar dielli, Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Pasha Allahun as unë ende nuk e kam falë ikindinë (ndërsa dielli veç kishte perënduar), tha sahabiu, mori abdes poashtu edhe ne morëm abdes, e falëm ikindinë pasi perëndoi dielli, e më pas e falëm akshamin”. Këtë hadith e transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Xhabir bin Abdilahu, ka edhe argumente të shumta të ngjashme me të. Allahu e di më së miri!
Sadat Rrustemi, 18.11.2005