|
Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhammedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar besimtarë! Allahu i Lartësuar e zgjodhi Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem që të jetë vula e të Dërguarve. Ai po ashtu e zgjodhi Mekën qendër të ndriçimit botëror. Lindja e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ndodhi në Mekë, edhe mesazhi i pejgamberisë i erdhi në Mekë, dhe për një kohë të gjatë përhapi thirrjen islame në Mekë. Allahu i Lartësuar deshi që Meka të ketë vlerë dhe nder. Ai deshi që ky vend i bekuar të vlerësohet lart nga besimtarët islamë nga të katër anët e botës. Në këtë hutbe do të veçojmë disa ajete që flasin për vlerën e Qabesë dhe të Mekës. Kur’ani na mëson disa emërtime të këtij vendi të shenjtë dhe në vazhdim po i kujtojmë së bashku të nderuar besimtarë. -Në Kur’an quhet Mekë; Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ai është që pengoi duart e tyre prej jush dhe duart tuaja prej tyre brenda në Mekë.” (Fet’h, 24). -Në Kur’an quhet Bek-ke; Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë që, Shtëpia e parë (për adhurim e lutje) e caktuar për njerëzimin ishte ajo në Bekke (Mekë), gjithë bekime e mirësi dhe udhëzuese për gjithë alemin (njerëzimin e xhinët). Në të ka shenja të qarta, (si për shembull) Mekami i Ibrahimit (vendqëndrimi i Ibrahimit); kushdo që hyn në të (Ka’abë) fiton sigurinë.” (Ali Imran, 96-97). -Në Kur’an quhet Mesxhidul-Haram (Xhamia e Shenjtë); Allahu i Lartësuar thotë: “Ata janë të cilët mohuan dhe ju ndaluan ju nga El-Mesxhid El-Haram (Xhamia e Shenjtë në Mekë).” (Fet’h, 25). -Në Kur’an quhet Ummul-Kura; Allahu i Lartësuar thotë: “...për të këshilluar Nënën e Qyteteve (Mekën) dhe të gjithë (botën) rreth saj.” (En’amë, 92). -Në Kur’an Allahu i Lartësuar betohet për këtë qytet: Betohet duke thënë: “Betohem Unë për këtë qytet (Mekën)! Dhe ti je i lirë në këtë qytet (Mekë).” (Beled, 1-2). -Në Kur’an cilësohet si qytet i sigurisë; Allahu i Lartësuar thotë: “Pasha fikun dhe ullirin! Dhe (kodrën) Turi Sina-en! Dhe këtë qytet të sigurisë (Mekën)!” (Tinë, 1-3). Të nderuar besimtarë! Allahu i Lartësuar e bëri Mekën e bekuar vend të shpalljeve, burim të Islamit. Vlera e saj është një vlerë e madhe dhe shenjtërimi i saj është shenjtërim nga Krijuesi i gjithësisë. Ky qytet këto vlera do t’i ketë deri në fundin e kësaj bote. Po ashtu, duhet të kujtojmë se njëra ndër shtyllat e Islamit është edhe haxhi, një obligim që jetësohet vetëm në Mekë. “Allahu e ka bërë Kabën, Shtëpinë e Shenjtë, vend sigurie dhe përfitimi (si vizita për haxh ose umre) për njerëzimin.” (Maide, 97). Kështu Allahu i Lartësuar e madhëroi Qabenë në Meke në zemrat e robërve të Tij. Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “Allahu e ka bërë të shenjtë Mekën në ditën kur ka krijuar qiejt dhe tokën dhe ky shenjtërim i Allahut do të vazhdojë deri në Ditën e Kiametit.” (Shënon Buhariu). Të nderuar besimtarë! Kini frikë Allahun e Lartësuar, falënderojeni Atë për dhuntitë e dhuruara dhe adhuroni vetëm Zotin e Qabesë dhe për këtë jemi të urdhëruar. Vetëm në këtë mënyrë do ta fitojmë sigurinë në këtë botë dhe në botën tjetër. “Unë jam urdhëruar ta adhuroj vetëm Zotin e këtij qyteti, të cilin Ai e bëri të shenjtë, se Atij i takon çdo send, dhe jam urdhëruar të jem prej besimtarëve të sinqertë.” (Neml, 91). “Pra, le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie, i Cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike!” (Kurejsh, 3-4).
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|