BALLINA arrow ISLAM arrow EVROPA DHE ISLAMI
Fjala e Bukur - Shkėndija qė sfiket | e enjte , 20 nėntor 2008
Menyja Kryesore
BALLINA
LAJME
ISLAM
KUR'AN
SUNNET
FAMILJE
RINIA
SHKENCĖ
HUTBE
LIBRA
FETĖ
PĖR NE
SHKARKIME
WWW ADRESA
PYETJE E PĖRGJIGJE

KYĒUNI PĖR QASJE TĖ PLOTĖ!





Keni harruar fjalėkalimin
Nuk keni ende llogari? Bėje njė
EVROPA DHE ISLAMI Bėje PDF Shtyp E-mail
Shkruar nga I panjohur   
e enjte , 22 nėntor 2007
Islami nuk është i ri për Evropën
Viti 711 shpesh përmendet si vit kur muslimanët nga Afrika Veriore hynë në Spanjë; edhe pse pika e parë e kontaktit zyrtar me siguri ka qenë në vitin 628 kur Muhammedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dërgoi Dihje bin Halife te Herakliusi. Menjëherë pas kësaj, në vitin 652 Muavije bin Ebu Sufjan dërgoi ushtarë në Sicili. Prej asaj kohe, muslimanët kanë bashkëpunuar me Evropën në një formë ose në tjetër. Madje do të ishte në rregull të thuhet se Islami ka qenë një fenomen evropian për pjesën më të madhe të historisë së tij – gati 800 vjet të Civilizimit Islam në Spanjë, dhe më shumë se 250 vjet në Sicili.
Së bashku me themelimin e Komuniteteve Muslimane evropiane kanë ekzistuar edhe momentet tjera të takimit (kontaktit) – prezenca e shkurtë në Francën jugore, konfliktet në Austri dhe, kuptohet, Kryqëzatat.
 Në një të kaluar të afërt, bota ka parë Evropën duke kapur dhe pushtuar pjesët tjera të botës gjatë kolonializmit dhe pas saj si dhe arritjen e emigrantëve muslimanë nëpër Evropë në kërkim të punës dhe jetës më të mirë. Që Islami dhe Evropa të mësojnë të pranojnë njëri-tjetrin, duhet të theksohet se historia e përbashkët e Islamit dhe Evropës nuk është vetëm një fotografi e përgjithshme e kësaj ose e asaj, por ajo përmban një numër të madh të bashkëveprimeve në arsim, zhvillim të përbashkët dhe partneritet. Dijetarët evropianë tani jetojnë nën rrethana ku janë të gatshëm të pranojnë ndikimin e jashtëzakonshëm të Civilizimit Islam në formimin e Evropës; kontributi i Ibën Haldunit në shoqëri dhe histori, i err-Rraziut dhe Ibën Sinasë në mjeksi, i el-Havarizmit në matematikë.
Përdorimi i zakonshëm i fjalëve si alkool, alkimi dhe algjebër, rrjedh nga gjuha arabe. Udhëtimi i evropianëve deri në qendrat e mësimit në Kordoba, Toledo dhe Granada në Spanjën muslimane, është dëshmi e kontributit të Islamit në formimin e Evropës. Dituria e grekëve antikë është ruajtur dhe përvetësuar nga arabët. Shkrimet e Aristotelit, Euklidit, Galenit, Arkimedit dhe të tjerëve janë përkthyer në gjuhën arabe dhe më vonë edhe në gjuhën latine. Në fjalë, gjuha arabe mund të shihet si një nga gjuhët klasike të Evropës.

Orientalisti Montgomery Watt ka thënë: “Nëpërmjet kontakteve tregtare dhe prezencës politike në Spanjë dhe Sicili, kultura superiore e arabëve gradualisht është zgjeruar edhe në Evropën Perëndimore. Edhe pse Evropa Perëndimore kontakt më të madh kishte më Perandorinë Bizantine, ajo nga arabët përfitoi më shumë se sa nga bizantinët. Nëse mundohemi të vërejmë intensitetin e plotë të eksperimentimit arab, mendimit arab, shkrimit arab, do të arrijmë të shohim se pa arabët, shkenca dhe filozofia evropiane nuk do të ishte zhvilluar siç është zhvilluar deri tani.”


Evropa sot

Sot, në fillim të mijëvjeçarit, është shumë e rëndësishme ta përkujtojmë partneritetin pozitiv historik të Islamit dhe Evropës. Sot në Evropën Perëndimore jetojnë rreth 10 milionë muslimanë. Gjatë viteve të ’90-ta numri i muslimanëve që janë bërë të “dukshëm” është rritur në mënyrë drastike. Organizatat muslimane janë duke u përhapur me të madhe. Përveç kësaj, vërehet një rritje e madhe e numrit të xhamive. Është interesante po ashtu të shihet edhe numri i njerëzve që pranojnë Islamin. Islami është bërë një pikë e një debati të nxehtë:

- Cila do të jetë ardhmëria e këtyre muslimanëve në Evropë?

- A janë ata kolona e pestë? A janë ata burim i fundamentalizmit në një Evropë tolerante?

- A janë ata kërcënim që ka nevojë të përmbahet dhe asimilohet para se të rrezikojë stabilitetin e Evropës?

Për fat të mirë, me këto pyetje nuk janë të preokupuar të gjitha këndet e Evropës.

Është e vërtetë se një pjesë e madhe e mosbesimit ndaj Tjetrit triumfon lehtë, edhe në anën e disa muslimanëve edhe në anën e elementeve të caktuara brenda Evropës.

Ministri i mbrojtjes franceze, François Leotard ka thënë: “Fundamentalizmi islamik është njëjtë i rrezikshëm sa ishte dikur nacizmi”. Teoritë e Huntingtonit, edhe pse të refuzuara me të madhe, vazhdojnë t’i kenë pasuesit e devotshëm. Nëpër gjithë Evropën shihet se islamofobia është në rritje. Në një shkallë edhe më të përgjithshme, qëndrimet e shefit të Partisë Konservative angleze Lord Tebbit janë të njohura mirë. Ai ka thënë: “Nuk mund ta kesh një grumbull të kulturave në një shoqëri; duhet të jetë një kulturë për një shoqëri… multikultura është një forcë ndarëse”.

Edhe pse këto opinione nuk janë çdoherë kryesore, ata kanë efektin e tyre në komunitetet pakicë. Kjo mund të krijojë një mentalitet bllokues tek ata që tanimë mbajnë kujtimet e trashëguara të kolonializmit. Me një përjashtim të disa vendeve të caktuara, Islami ende nuk është zyrtarisht i njohur nga Evropa. Kuptohet, Islami është këtu, kjo është realitet, mirëpo njohja zyrtare ka ndikimin e saj në mënyrën se si shihet, në statusin, në financimin dhe kështu me radhë. Në ballafaqimin me Islamin, Evropa ka zhvilluar disa modele të ndryshme. Austria, Spanja dhe Belgjika zyrtarisht njohin Islamin. Suedia është e gatshme të financojë disa aktivitete për muslimanët përderisa ata përfaqësohen nga organizata që kanë një numër të caktuar të anëtarëve. Në Francë, zyrtarisht nuk njihet asnjë komunitet fetar. Mirëpo, këtu është e rëndësishme të theksohet se kryetari francez tradicionalisht varroset në Notre Dame, dhe se kapa e hebrenjve tolerohet - ku shihet një zbatim joformal dhe fleksibil i ligjit. Gjermania edhe më tej refuzon të pranojë se është një shtet i emigrantëve; dhe kështu emigrantët njihen si Gasterbeiter, ose punëtorë mysafirë, madje edhe pas tri gjeneratave. Britania e Madhe, edhe pse nuk ka bërë njohjen zyrtare të muslimanëve, ajo ka akomoduar dhe pranuar llojllojshmërinë e pakicave të saja.


Imazhi i Islamit

Gjatë bashkëveprimeve të gjata ndërmjet Evropës dhe Islamit, janë ndërtuar shumë imazhe negative për Islamin, disa nga këto të motivuara politikisht, e disa të tjera nga dallimet fetare. Në mesjetë ka mbizotëruar një bindje se muslimanët ishin idhujtarë, të cilët e adhuronin Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ose se vetë Muhammedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ishte magjistar, ose sipas disa kuptimeve tjera, djalli ose antikrishti. Islami është paraqitur (portretizuar) si fe e gënjeshtrave, një shkelës i vazhdueshëm i të vërtetës. Islami shihej si fe e dhunës dhe që ishte përhapur nëpërmjet shpatës. Muslimanët shiheshin si njerëz të preokupuar me dëshira materiale dhe vetëkënaqje; kurvëria dhe homoseksualizmi shiheshin si të lejuara nga feja. Shumë nga këto ide ishin si pretekst për të krijuar një aleancë të krishterëve për të luftuar në kryqëzatat, për të treguar se Tjetri ishte duke jetuar në errësirë, dhe kështu duke e arsyetuar nevojën e konvertimit ose luftimit të tyre. Është interesante të theksohet se edhe sot, disa nga ato ide, duke përfshirë edhe disa ide të reja, ende ekzistojnë.


A është Islami kërcënim?

Ta shqyrtojmë për një moment gjendjen e Islamit në botën moderne. Mund të shihet se muslimanët jetojnë në dy gjendje të ndryshme; njëra, si pakicë në Perëndim, dhe tjetra, në gjendje ku shumica janë muslimanë.

Për situatën e parë është e nevojshme një imagjinatë jashtëzakonisht e madhe të përshkruhet kërcënimi që këto pakica muslimane e kanë për Evropën ose Perëndimin. Këto komunitete vetvetiu druajnë nga rrethi ku jetojnë. Ekziston një mundësi shumë e realtë që vlerat kulturore dhe fetare, normat etike të këtyre pakicave të zbehen, ose të zhduken deri në gjeneratën e dytë, ose të tretë të tyre.

Komunitetet e tilla nuk kanë gjasa të jenë kërcënim për rregullin e vendosur në të cilin ata jetojnë, për shkak se ata janë shumë të zënë duke u mbrojtur.

Nëse e vështrojnë Botën Islame, fuqia e politikës nuk ndryshon shumë. Ekzistojnë rreth 56 shtete muslimane, por pjesa më e madhe e muslimanëve kanë rezerva serioze kur bëhet fjalë për “Islamin” e këtyre shteteve. Pjesa më e madhe e këtyre shteteve bëjnë pjesë në kategorinë e vendeve në zhvillim, ose, deri paradokohe, në kategorinë e vendeve të Botës së Tretë. Ata zhyten në borxhe ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe ndaj botës së zhvilluar. Në aspekt të teknologjisë, ata çdoherë përpiqen ta pasojnë Perëndimin: ndikimi i medieve perëndimore dhe procesit të globalizimit, dominon mbi ato shtete.

Disa nga ato shtete kanë minerale, ose burime bërthamore ose të naftës, por lidhjet politike janë të tilla sa është shumë e vështirë që këto të përdoren në çfarëdo mënyre kundër interesave perëndimore: Lufta e Gjirit ishte dëshmi e kësaj. Nëse gjithë këtë situate e shohim nga një perspektivë tjetër, të shohim se shteti i Izraelit gjendet (ekziston) ndërmjet një deti të shteteve muslimane, që asnjëri nga ato nuk e dëshiron prezencën e tij, dhe nga ana tjetër asnjëri nga ato nuk është mjaft i fuqishëm, ose mjaft i pavarur të ndryshojë situatën. Ngjarjet që ndodhën në Bosnjë, kishin një ndikim të thellë emocional tek muslimanët e gjithë botës, mirëpo Komuniteti Ndërkombëtar Musliman nuk kishte mundësi të ketë ndonjë ndikim serioz politik. Ndihmën e vetme që ata mund ta ofronin ishte mbledhja e të hollave për organizata bamirëse. Atëherë si është e mundur që një komunitet i tillë ndërkombëtar të jetë rrezik për atë forcë Perëndimore?


Muslimanët në Evropën e sotme

Komuniteti musliman, që është një komunitet shumë i ri (në Mbretërinë e Bashkuar 75 për qind e komunitetit muslimanë vlerësohet se është nën moshën 35 vjeçare) ka problemet e veta. Një numër i madh i të rinjve ballafaqohet me krizë të identitetit, të ndarë ndërmjet kulturës së prindërve të tij dhe ambientit ku jetojnë. Ky është konteksti në kuadër të të cilit duhet të vendoset ringjallja e Islamit brenda Evropës. Deri tani muslimanët në Evropë kanë qenë të nënshtruar së paku tri valëve të vetëkujdesit.

Gjatë valës së parë, në fund të viteve të ’70-ta, Revolucioni Iranian kishte një ndikim të madh në botën muslimane, duke përfshirë edhe ata muslimanë që jetonin në Evropë, pavarësisht nga qëndrimet e tyre ndaj Revolucionit Iranian; kjo ishte një shenjë se Islami po ngritët.

Vala e dytë, Vargjet Satanike të autorit Salman Rushdie në vitin 1989, shkaktuan që shumë muslimanë në Mbretërinë e Bashkuar, sidomos të rinjtë, të pyesin veten dhe të gjejnë rolin e tyre në një shoqëri që dukej se po nëpërkëmbë fenë dhe të drejtat e tyre. Çështja e hixhabit kishte një efekt të ngjashëm në shtetet tjera evropiane.

E treta, Lufta e Gjirit, e Bosnjës dhe ngjarjet tjera politike kanë shkaktuar lëvizje të mëdha brenda komunitetit musliman. Qëllimet duket se po ndryshojnë. Kur Iraku ishte kundër Iranit, ishte e arsyeshme të armatoset Sadam Huseini, mirëpo kur ai e pushtoi Kuvajtin, ai duhej të ndalet. Nga ana tjetër, serbët me të madhe u lejuan t’i masakrojnë boshnjakët. Zgjedhjet legjitime në Algjeri u ndërprenë në emër të mbrojtjes së demokracisë, ndërsa ushtria turke në mënyrë arrogante u fut në procesin demokratik dhe u lejua që t’i mbajë peng politikanët e vendit. Kur SHBA-të përkrahnin afganët kundër Rusisë, ata ishin luftëtarë lirie, ndërsa kur palestinezët luftojnë dhe vuajnë për pavarësi, ata janë terroristë. Imazhi i Islamit ende është një imazh i dhunës që buron nga xhihadi, edhe pse ndoshta të gjitha aktet e xhihadit gjatë 100 vjetëve të fundit, kanë qenë lufta mbrojtëse për liri dhe vetëpërcaktim. Kur një bombë shpërthen në Kajro, duket shumë e arsyeshme dhe e zakonshme që një gazetar të ndalë një musliman të ri në rrugë dhe ta pyet për mendimin e tij rreth shpërthimit, por nuk i shkon ndërmend të pyet njëjtë atë për konfliktin në Irlandën Veriore.

Kjo, si rregull, ka krijuar një dëshpërim dhe ka kontribuar të krijohet një ndjenjë e ofendimit dhe refuzimit. Disa elemente të ringjalljes islame kanë trajtuar tendencat e refuzimit dhe mllefit, dhe kanë ofruar një rrugëdalje nëpërmjet një diskursi të dhunshëm të dënimit publik të Perëndimit dhe çdo gjëje që është perëndimore. Mirëpo, ringjallja e Islamit nuk është vetëm reagim negativ; ajo me të madhe është një udhëtim pozitiv i vetëzbulimit dhe, në fjalë, për një numër në rritje të të rinjve, u ndihmon atyre të zbulojnë një alternativë për kulturën e prindërve të tyre – Kulturën Islame evropiane. Kjo sillet nëpërmjet një procesi të bartjes së bagazhit kulturor Aziatik ose Islam Arab, të kthimit në principet themelore dhe zbatimit të tyre në kontekst evropian. Ky proces mund të jetë një proces i shëndoshë për Evropën, sepse krijon njerëz që janë të sigurt për identitetin e tyre: ata janë muslimanë evropianë.

Ata dëshirojnë të kontribuojnë për ardhmërinë e saj, të ndërtojnë një Evropë më të mirë për ta dhe për fëmijët e tyre. Hurshid Ahmed ka thënë: “Do të ishte tragjedi, nëse bëhemi rob të së kaluarës”. Si të tillë, muslimanët duhet po ashtu të merren me disa çështje që ekzistojnë brenda lagjeve të tyre. Siç thonë muslimanët se Islami nuk është monolitik (njëbllokësh), ata duhet të kuptojnë se as Evropa nuk është monolitike. Ekzistojnë shumë njerëz në Evropë që janë të gatshëm t’i shohin problemet me të cilat muslimanët ballafaqohen, në mënyrë objektive, madje edhe dashamirëse. Po ashtu duhet të theksohet se luftërat e lëvizjeve islame nuk janë kundër Perëndimit ose Evropës; i gjithë ai është një proces i bashkimit dhe vetëzhvillimit, siç ka thënë Hasan et-Turabi: “Perëndimi nuk është preokupimi jonë. Ne merremi me rigjenerimin konstruktiv të shoqërive tona, duke i mobilizuar shpirtrat dhe mendjet tona, e jo me ‘luftimin e satanëve të mëdhenj’. Perëndimi nuk është armik për ne, përveç nëse ndonjë politikë është e drejtuar kundër Islamit”.

Gjatë kontakteve me Evropën, muslimanët kanë arritur të mësojnë shumë gjëra: në fjalë, përderisa ekziston krenaria se evropianët kanë mësuar nga Andalusia, nga ana e muslimanëve tani duhet të ketë vlerësim për mundësitë që i kanë për të studiuar në Universitetet Oxford, Cambridge, etj. të Britanisë.

Shumë nga lëvizjet e ringjalljes, kanë absorbuar ide, metoda, madje edhe struktura nga modelet evropiane. Kontaktet me Evropën moderne kanë shkaktuar që muslimanët të përfshihen në debate të brendshme rreth çështjeve të ndryshme siç është demokracia, pluralizmi, roli dhe statusi i gruas, konceptet e dar el-harb, etj.. Vërtet, i gjithë botëkuptimi i muslimanëve është duke pësuar ndryshime. Në vitin 1992 në një seminar në Francë në temën “Muslimanët në Perëndim”, një grup i dijetarëve udhëheqës muslimanë, ka diskutuar rreth këtyre ideve. Një nga kundërshtimet që ata i kishin ndaj konceptit të dar el-harb dhe dar el-Islam ishte se karakteristika themelore e dar el-Islam ishte siguria, por si mund të quhet bota muslimane dar el-Islam kur ekziston aq shumë diktaturë dhe shtypje të madje edhe ndaj dijetarëve dhe aktivistëve muslimanë? Ngjashëm, si mund ta quajmë Perëndimin dar el-harb kur muslimanët e tillë shpesh lëshojnë vendet e tyre dhe kërkojnë strehim (azil) politik në Perëndim?


Ardhmëria

Rruga drejt mësimit të pranimit të njëri-tjetrit, dhe mundësia e jetës më njëri-tjetrin, nuk mund të jetë e lehtë. Është një proces i ndërlikuar, por nuk ka alternativë tjetër. Për këtë do të duhet të kalojë një kohë. Imazhi negativ është ndërtuar me shekuj, dhe ai nuk mund të ndryshohet brenda natës.

Evropa dhe Islami duhet ta kuptojnë njëri-tjetrin më mirë, me qëllim të kuptimit më të mirë të njëri-tjetrit dhe me qëllim që nocionet për Veten dhe Tjetrin të kenë ndikim të ndërsjellë.

Mendoj se përgjegjësia më e madhe bie mbi shumicën, komunitetin nikoqir, Evropën. Me pakicat mund të ballafaqohet në dy mënyra:

(1) Dallimet kulturore mund të përshtaten, madje edhe festohen, gjë që do ta bënte pakicën të ndjehet e mirëseardhur dhe kështu të gatshëm të përfshihet në shoqëri;

(2) Dallimet mund të shqetësohen dhe të eliminohen nëpërmjet largimit, shtypjes ose asimilimit të dhunshëm.

E para është rrugë e pluralizmit dhe duket se është qasja më e arsyeshme. Çfarëdo përpjekje për të eliminuar identitetin musliman do të shkaktojë probleme më të mëdha në një periudhë afatgjate. Duhet t’i shohim dallimet ndërmjet muslimanëve në Francë dhe në Britani që të shohim efektet e modeleve të ndryshme që janë zbatuar.

Historia e Francës dhe Algjerisë vazhdon të jetë pengesë kryesore. Nocionet franceze të unitetit kulturor vetvetiu vendosin barrë të rëndë mbi komunitetin musliman. Ideja është të shmangen getot dhe zonat e ndara (të përjashtuara); ndërsa rezultati është një komunitet që vazhdimisht ndjehet i kërcënuar dhe gjendet në margjina, aq shumë sa që, në përgjithësi, nuk është në gjendje ta paramendojë veten si francez.

Sot, muslimanët mund të përfaqësojnë një kulturë tjetër, por duhet të mbajmë mënd se kulturat janë rezultat i një procesi eklektik (heterogjen); kulturat asnjëherë nuk janë statike. A nuk ishte dikur krishterimi një fenomen lindor? Por, me kohë ai rrënjosi veten në shoqërinë perëndimore. Mishi me erëza, qebapët, pica dhe burgerët tani janë elemente të kulturës britanike, edhe pse në të vërtetë ato nuk janë britanike.

Shoqëritë muslimanë tradicionalisht kanë qenë pluraliste. Teologjia islame rikujton njerëzimin se dallimet janë një faktor natyror dhe pozitiv në jetë, rreth të cilave njerëzit duhet të bashkohen për të mësuar për njëri-tjetrin.

“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur
(këqijat), e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (Huxhuratë, 13).
“…Sikur të donte Allahu, do t'ju bënte një popull…”
(Maide, 48).
Kështu, pluralizmi i ofron Evropës një rrugë të bëhet ë fortë, stabile dhe e qetë. Muslimanët duhet të bashkohen me njerëzit tjerë, pavarësisht nga feja, të punojnë së bashku për të mirën e përbashkët, siç hyri Muhammedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në hilf el-fudul. Çfarëdo alternative tjetër përveç pluralizmit do të ishte pritje dhe përgatitje për ndonjë lloj të ndeshjes së civilizimeve ose eliminimit të njërit ose tjetrit, gjë që do të ishte një goditje e tmerrshme edhe për Evropën edhe për Islamin. Vërtetë do të ishte dëshpërim i madh për gjasat e humbura.


Marrë nga:

Revista periodike fetare kulturore shkencore “Drita e besimit” nr.7, shkurt 2007
Organ i Unionit të Studentëve Shqiptar në Medinë

 
Para >

     
Advertisement

     10 Pyetjet e Fundit
 
  10 Shkarkimet e Fundit
 
     10 Dërgesat e Fundit n[ Fjala e Bukur - Grup
 

No Documents
Cache Directory Unwriteable

Materialet qė paraqiten nė kėtė uebsajt nuk do tė thotė se korrespondojnė gjithsesi me atė ēfarė Fjala e Bukur di pėr tė vėrtetė.
Materialet e kėtij uebsajti mund tė publikohen edhe nė uebsajte dhe mediume tjera me kusht qė tė tregohet burimi (www.fjalaebukur.com).
Copyright © 2004-2008 Fjala e Bukur. Tė gjitha tė drejtat e rezervuara.
Strehohet dhe mirėmbahet nga VIVA4 Solutions - Kliko Kėtu! Tash edhe nė shqip!