|
Është e njohur që sistemi kapitalist prejudikon tregun e lirë dhe begatinë i pavarur, por në të njëjtën kohë e tërë kjo nuk domethënë që ka të bëjë me demokraci dhe pluralizëm të mendimeve dhe ideve, kapitalizmi po ashtu edhe pse konsiston në zgjedhje të lira dhe artikulim të lirë të vullnetit të qytetarëve, nuk është thënë të garantojë zhvillimin e kulturës politike dhe të sensit për atë që ne shpeshherë e identifikojmë si demokraci. Këtë përshtypje sociologjike, më së miri e dëshmojnë vendet postkomuniste që po e përjetojnë periudhën e tranzicionit.
Për vendet siç është Kosova, kjo përvojë është shumë me rendësi, ngaqë të bënë të kuptosh se yryshi ynë në mbarim të këtij mileniumi për këtë diskurs dalëngadalë ka filluar përjetojë një ndryshim qëndrimesh. Qëndrime këto që pak a shumë, për mendimin tonë mund të shpjegohen edhe me dyfishimin e kompetencave për të aplikuar sistemin e demokracisë liberale, gjë që edhe nuk është objekt i këtij studimi. Demokracia, si diskurs i ri për shoqërinë kosovare, e ka kuptimin e pluralizmit të mendimeve, në të gjitha sferat e superstrukturës shoqërore. Ky pluralizëm i mendimeve dhe ideve për problemet e ndryshme; politike, ekonomike, juridike, edhe asosh fetare, me së miri mund të plasohet përmes diskursit të medieve. Në rrethanat në cilat gjendet shoqëria qytetare e Kosovës së pasluftës, shpesh herë na ka rënë të dëgjojmë dhe të lexojmë nëpër literaturë zakonisht të përkthyer, se përse një fe kaq e përhapur dhe kaq universale që nuk i dallon njerëzit as në bazë të; gjinisë, kombit, përkatësisë etnike, racës, etj. sikurse është Islami, ka një qasje kaq të ulët sot në medie? Ose, përse ky diskurs në shtypin tonë të përditshëm ngandonjëherë dinë të paragjykohet, sikur të kemi të bëjmë me gogolin, çfarë bie fjala ishte ai i komunizmit apo neofashizmit që u injektua përmes ideologjisë dhe diskursit fashist të ish regjimit serb? Thënë me ndryshe, sa është e vërtetë që diskursi mbi fenë në shoqërinë kosovare, projektohet me meritat dhe të metat e tij në këtë periudhë të tranzicionit? Dhe sa shlirshëm mund t’i bëhen vërejtje të tilla refuzuese këtij diskursi, kur kihet parasysh nevoja e çdo shoqërie të lirë dhe demokratike për t’u identifikuar me vlerat fetare? Dhe së fundi, sa është diskursi fetar islam sot në Kosovë në koherencë me ndryshimet demokratike të ndodhura në Kosovën e pasluftës? Shpjegimet me siguri lypin një elaborim më të gjatë dhe më të thuktë shkencor dhe shumë më analitik mirëpo, ne këtu do të mundohemi rrjedhimisht të japim vetëm disa nga mendimet dhe sugjerimet që pak a shumë mendojmë se janë të ndërlidhura me rrethanat dhe kushtet e ambientimit të këtij diskursi në etnopsikologjinë e shqiptarëve të Kosovës. Së pari, do të thoshim kjo çështje nuk do të duhej të ishte vetëm preokupim i qytetarëve të rëndomtë, të cilët pak a shumë e kanë mësuar abecenë e Islamit si religjion, ose përmes edukatës së mangët familjare, ose përmes literaturës së shtuar kohëve të fundit, por edhe dijetarëve që merren pretendojë të merren profesionalisht me këtë çështje. Në Kosovë, duhet të pranojmë se ose nuk ka studiues të mirëfilltë të këtij problemi, ose nuk ka ide se si duhet plasuar njohuritë mbi këtë botëkuptim për të cilin mendoj se ka nevojë shoqëria kosovare, ose puna çalon tek keqinterpretimi dhe transmetimi i vonuar i porosive të këtij botëkuptimi në gjeneratat e reja. Kur e potencojmë këtë dilemën e fundit, gjithnjë e kemi parasysh angazhimin e pamjaftueshëm të “kujdestarëve nga diskursi kompetent” për të ecur krahas kohës dhe nevojave që paraqiten në shoqërinë tonë të pasluftës. Kjo për mendimin tim, nënkupton shfrytëzimin maksimal të medieve të shkruara dhe atyre elektronike për qëllimet e nevojave të transformimit të këtij diskursi me trendet dhe vlerat, të cilat si shoqëri i kemi kërkuar vetë. Ta thjeshtësoj pak. A është, pra duke shkuar transformimi i diskursit fetar (nëse fare është duke u transformuar?!) në Kosovë në drejtim të transformimit të gjithëmbarshëm që është duke e trasuar shoqëria Kosovare? Nëse përgjigjja do të ishte afirmative, çka është për t’u dyshuar, atëherë shtrohet çështja tjetër. Sa janë konsumuar p.sh. shërbimet e medieve lokale në këtë drejtim? Mendimi im është se transparenca që e ushtrojnë, apo do të mund ta ushtronin mediet e shkruara dhe ato elektronike, ishte dhe mbetet gjithnjë një shans që mjegullnajën për botëkuptimin islam në Kosovë, në një masë të madhe do të mund ta neutralizonte. Jo për hir të diskursit islam, që gjithsesi do të ishte një obligimi profesional i medieve lokale në Kosovë, por për hir të informimit objektiv që për një shoqëri siç është kjo e jona që pretendon të ndërtojë demokracinë, do të ishte një pjekuri e llojit të vet. Mbyllja në vetvete dhe në vetëmjaftueshmëri sot askund në botë më nuk po preferohet! Katakombet e izoluara në vetvete po zgjojnë dyshim, injorancë, refuzim dhe paragjykim të theksuar.”shekulli i globalizimit është ky”, siç do të thoshte shkencëtari i mirënjohur Samir Amir (Eurocentrism, New York, 1989) pavarësisht që secili nga ne ka rezervat e veta për këtë fenomen në debatimet tona të përditshme. Në anën tjetër, nëse supozojmë se përgjigjja jonë tjetër do të ishte negative, kur është në pyetje trendi i përcjelljes apo koherencës së diskursit fetar ndajë atij të shoqërisë, çka unë mendoj se deri diku është një realitet që mund të arsyetohet, e ndoshta edhe të debatohet, atëherë mendoj se kemi të drejtë të shtrojmë pyetje përse është kështu nëse vërtetë është kështu. Për mendimin tim, diskursi konservativ i shoqëruar me përmbajtjen e vetëkënaqësisë histerike të mbajtjes së ligjërimit mbi Islamin, ende mediton për Islamin nëpër oda dhe dhoma të mbyllta, ku fjala e tij nuk tejkalon as muret e asaj hapësire ku ligjërohet për Islamin, pra ende kënaqet me “stilin e përhapjes” së idesë së Islamit në ambientin e vet po ashtu naiv dhe injorant. Ai në vend që ofertat e veta t’i plasojë në tregun e konsumit të gjerë mediatik, ku çdo gjë që nuk hynë në këtë orbitë të imponimit është e destinuar, ose të vdes, ose të prosperojë. Pra të komunikojë me njohuritë dhe begatitë e vendeve, kulturave dhe civilizimeve që i ka falur Krijuesi i Lartëmadhërishëm, vetëmjaftohet me horizontin që ia mundësojnë vetëm shqisat e të pamurit dhe të dëgjuarit. Të mos keqkuptohemi, askush nuk është kundër kësaj mënyre të “komunikimit” me opinionin e gjerë (i cili vazhdimisht ka nevojë t’i identifikojë nevojat dhe obligimet që i pason feja) që e përcjell më tepër me trup se sa me vëmendje! Ajo çfarë dua të them, është se diskursi islam sot në kohën e internetit dhe kompjuterit që konsistohen si zbulime epokale, mund dhe duhet të katapultohet jo vetëm në mënyrën e gjertanishme tradicionale të një stili dhe metodologjie ex catedër, por haptas në vende publike dhe me debate të ngjeshura, ku secilit qytetar t’i jepet rasti t’i shijojë begatitë e këtij besimi. Ngaqë vetëm kështu mund të bëhet i afërt dhe interesant besimi si kult fetar. Këtë porosi, sot mund ta ushtrojnë dhe begatojnë vetëm mediet e shkruara dhe ato elektronike. Por athua a më shumë e shfrytëzojnë apo e shpërdorojnë ato këtë mundësi? Përgjigjen besojë e dimë të gjithë. Këtë nuk e them rastësisht dhe me ndonjë paragjykim. Këtë e them, shkaku i një ngushëllimi që si intelektual rastësishëm i këtij besimi, shtypi i sotëm përkundër të gjitha interesimeve të veta për problemet e shoqërisë sonë kosovare, pak apo shumë pakë merret me plasimin e të vërtetës mbi fenomenin e religjionit në jetën e njeriut të sotëm. Unë kam përshtypjen, që mediet, këtu mund të ndihmojnë mjaftë në plasimin e të vërtetës mbi moralin dhe vlerat fetare të shoqërisë sonë kosovare. Dikush nga ju me siguri do të mund të pyes me të drejtë, po ç’na duhen more zotëri njohuritë fetare aq shumë, kur edhe ashtu ne po kemi mjaft probleme me ato të shoqërisë! Përgjigja ime është e thjesht: Tregomëni ju se ku keni mundur me pa ju shoqëri pa identitet fetar? E unë pastaj do t’ju flas për nevojat e diskursit fetar. Veçanërisht tani dhe sot, kur bie fjala krahas vlerave të mirëfillta mbi diskursin e demokracisë na importohen edhe shumë vlera të tjera të dyshimta që sanksionohen dhe sjellin telashe të pakontestuara gjithkund në botën e civilizuar. Kompleksiviteti i kësaj çështjeje, për bindjen time qëndron ekskluzivisht në bartësit apo transmetuesit e porosisë (pra në vetë mediet) dhe jo edhe në porosinë e dërguar nga ana e Krijuesit. Pra është interpretimi ynë statik, pa invencion (por jo edhe pa dashuri - kurrkush nuk dyshon në këtë!?) i besimit dhe edukimit islam, i cili shpesh herë bëhet me metoda të tejkaluara, siç i përmendëm më lartë. Do të thoshim, citomani e fjalëpërfjalshme, që në kushtet dhe rrethanat në të cilat gjendet Islami, sot në Kosovën e çliruar nga dogmatizmi dhe kontrolli i shtetit, mund të shquhet vetë si mundësi potenciale që nuk është ende duke e shfrytëzuar aftësinë dhe fuqinë e vet që buron nga ky potencial apo dhuntia e Perëndisë! “…Ndërsa e tërë krenaria (fuqia) i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë.” (Ku’rani ,63:8). Udhëheqësit shpirtëror (patjetër; në koalicion me elitat e reja intelektuale të shoqëruara gjithnjë me mediet e shkruara dhe ato elektronike) duhet të këtë potencial ta shndërrojnë në energji dinamike dhe kinetike, në mënyrë që krahas diskursit politik të ndihmojnë në demokratizimin e shoqërisë kosovare. Shoqëri kjo që përveç kërkesës për politikë, ekonomi, drejtësi, ligjësi, duhet ta ketë edhe ofertën për edukim fetar për gjeneratat e ardhshme. Tekefundit, kështu është në mbarë botën e civilizuar, e besim edukimi fetar nuk bënë asfarë përjashtimi në këtë drejtim për mendimin tim. Kjo ofertë për ringritje dhe edukim që praktikohet në të gjitha vendet e Perëndimit, për mendimin tonë, nuk mund të ndërtohet me dëshira dhe synime të paplanifikuara që nuk projektojnë asgjë me tepër se vetveten tonë, nuk mund të ndërtohet as vetëm me imitimin e sistemit të civilizimit tjetër fetar, i cili tani i ka krijuar disa përparësi dhe avantazhe sidomos në fushën e komunikimit masiv, pra përdorimin e mjeteve të informimit për të plasuar mësim besimin e diskursit të vet fetar, gjë që është për lakmi. Ky obligim, mund të ndërtohet vetëm me shfrytëzimin e faktorëve tekniko teknologjike (interneti, kompjuterët, Radio, TV-ja, etj.) dhe fillimin e krijimit të një networku dhe raporti të mirëfilltë dhe shumë transparent me mjetet e informimit, të cilat nuk thuhet kot; mund të përmbysin edhe qeveri të tëra! Gjithçka që nevojiten, janë: a) Idetë, b) Njerëzit, c) Transparenca, dhe d) Qëllimet e identifikuara më parë, që dosido përputhen edhe me trendin e ri të demokracisë që po pretendojmë me e ndërtua për tëra këto vite të pasluftës në Kosovë.
a) Idetë Idetë janë një kapital shumë i rëndësishëm në drejtim të fokusimit dhe të identifikimit të nevojave të njerëzve, shoqërive, shteteve dhe kombeve. Zakonisht, çdo shoqëri ka elitat e veta intelektuale, të cilat kujdesën për mënyrën, metodologjinë dhe evoluimin e këtyre ideve, të cilat ato i shpijnë në drejtim të një niveli shumë më të avancuar; ekonomik, politik, e pse jo edhe shpirtëror. Në Kosovë bie fjala, me përjashtim të disa individëve Don-Kishotian (edhe atë të infektuar me virusin e gjoja përparësisë së civilizimit që e posedon besimi islam dhe pak më shumë ai krishter), sistemi i animimit ose bëhet përmes kodeve të institucioneve që i përfaqësojnë bashkësitë fetare, që mbijetojnë së bashku në të mirat dhe të këqijat e komuniteteve të veta fetare, askush nuk ka ide se si do të duhej të vepronin në situata konkrete. Kuptohet, sistemi krishter, tani pas lufte, me sa mund të bazohet njeriu nga mediumet, shumë më qartë e ka kuptuar rëndësinë e konceptit të ideve dhe plasimit të tyre përmes medieve në opinionin e gjerë kosovar. Gjë që është për t’i përshëndetur. Në fakt, paragjykimet që i kishin ndërkombëtarët me misionet e tyre ”mission possible”, ku Kosovën dhe njerëzit e saj i shihnin kryesisht si një Eldorado të vërtetë për të plasuar idetë (apo agjitimin thënë si më konkret, ngaqë s’kemi edhe gjithaq arsye t’i biem rrotull ngjarjeve dhe ndodhive!) e tyre fetare shkaku i asaj se kinse në Kosovë në kohën e komunizmit, shqiptarët ishin një popull ateist (gjë që në Shqipëri edhe zyrtarisht me dekrete shtetërore qe ndaluar besimi fetar) që nuk kishte pasur mundësi ta ketë identitetin e vet fetar dhe se tani pas luftës në emër të; demokracisë, lirisë, barazisë dhe përrallave tjera mbi egalitarizmin në mes njerëzve, do të duhej t’u mbjellim farën e mësim besimit (lexo shlirasi konvertimit!) edhe idetë e reja fetare! Thuajse, shqiptarët gjatë gjithë ekzistencës së tyre historike paskan jetuar si pabesimtarë! Shikuar kështu, Projekti i identifikimit të nevojave rreth ideve dhe mësimit fetar, në Kosovë nga dioptria e këtyre ”misionarëve” fiton siç ngandonjëherë po projektohet edhe në shtypin tonë edhe argumentin e kthimit Biblik të njerëzve në fenë e të parëve tanë?! Por, siç dëshmojnë zbulimet më të reja historike, të parët e shqiptarëve ishin pagan, e jo ithtarë të ndonjë religjioni të caktuar! Meqenëse, ky shkrim nuk është objekt i dhënies së përgjigjeve (që mund të jenë një milion si të tilla!) në këto “dilema” të shoqërisë sonë, unë edhe nuk po ndalem më shumë t’i elaboroj antinomitë e saj. Le të mbetet kjo për ndonjë shkrim të mëvonshëm, ngaqë është temë interesante për “internet gjeneratat” e reja të shekullit tonë.
b) Transparenca Transparenca, si nevojë e trendit apo kulturës së vlerave të reja që i ka kërkuar me afsh shoqëria jonë, janë një rrafsh që diskursin demokratik e bënë pakrahasueshëm më të qëndrueshëm se sa sistemet e mëhershme në Kosovë. Transparenca, i zhduk të gjitha dyshimet, nebulozat dhe paragjykimet eventuale që mund të vijnë kahdo qofshin ato, bile edhe në fe. Qasja e këtillë, për mendimin tim (kuptohet gjithnjë në “kurorë” me mediet dhe shtypin) nënkupton një garë të shëndoshë për të ruajtur edhe identitetin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës në mileniumin që kemi hyrë. Identiteti fetar islam edhe ashtu ka merita për ruajtjen e identitetit kombëtar, për të cilin ne si komb jemi shumë të ndjeshëm, gjë që edhe mund të arsyetohet kur Kosovës ende i mungon kulmi i identitetit shtetëror.
c) Qëllimet Qëllimet, po ashtu janë një digë e rëndësishme që e ndihmon realizimin e dy koncepteve të mësipërme. Qëllimi, kur bëhet imperativ, ai është “bombë atomike”, në drejtim të realizimit të synimeve të parashtruara nga diskursi i ideve dhe ai i njerëzve që i formulojnë, krijojnë dhe i shkatërrojnë shkaku i interesave dhe bindjeve që i ushtrojnë ata për to. Në këtë drejtim, meqë tema ime ka për objekt hulumtimin e diskursit që ka të bëjë me rolin e medieve në plasimin e ideve dhe edukimit fetar islam, në qytetarët e Kosovës, kam përshtypjen, sikur diskursi i pasluftës nuk është transformuar sa duhet krahas ndryshimeve që janë bërë apo janë duke u bërë në etnopsikologjinë dhe mentalitetin tonë qytetar. Por, për ta kuptuar më mirë diskursin e mësipërm të preokupimit tonë mendoj që paraprakisht është mirë të elaborojmë diskursin e ri dhe vlerat e reja, të cilat duhet t’i konsumojë diskursi i ri fetar në Kosovë. Fundshekulli ynë siç e dimë të gjithë ishte periudhë e ndryshimeve të mëdha në tërë vendet e Evropës Juglindore me vetë faktin se zhvillohej një revolucion i përgjithshëm kundër gogolit të komunizmit dhe platformës obskurante të luftës së ftohtë, të cilat njerëzimit i sollën; mjerim, skamje, luftëra të pakuptimta, dhe varfëri morale e materiale, që të mbushnin mendjen se është fjala për një fund të paparë të historisë, apo siç do të shprehej Frensis Fukajama figurativisht; “pikë kulmore të evolucionit ideologjik dhe universalizmit të demokracisë liberale perëndimore”). Ç’është interesant një vlerësim i ngjashëm, do të thoshim fatalist përkitazi me ndryshimet e mundshme dhe pasojat që do të sillnin ato me vete në sistemet e Evropës, prejudikohej edhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Bile atëbotë, ai vlerësim atëherë konsiderohej si luftë e fundit, luftë kundër të gjitha luftërave tjera të mëparshme që zhvillohej me motive të zgjerimit të demokracisë. Por ç’ngjau? Nuk ndodhi as “fundi” e as “fillimi i fundit” të sipërpërmendur; demokracia, si alternativë modeste e ndërtimit të raporteve mes njerëzve, nuk u vendos! Në vend të saj nëpër Evropë me gjuhën e dhunës u amputuan përbindëshat e komunizmit (1917) ai i fashizmit (1939) dhe ai i nacionalizmit (1989). Lufta e Dytë Botërore, po ashtu, nga historianët do të mbahet në mend me tensionimet dhe kërcënimet globale që si pasojë e lindën luftën e ftohët. Siç po vërehet prognozimi fukajamist, mbi “pikën kulmore të evolucioni ideologjik…”, nuk ndodhi. Në vend të tij, nëpër vendet e ndryshme të botës u zhvilluan alternativa dhe pandame të reja të mbijetimit të njerëzve dhe shoqërive. Tani në fund të mileniumit të dytë dhe fillimit të atij të tretit, kur nga shtete perëndimore është ndërmarrë edhe një ofensivë, jo vetëm ideologjike, por edhe ushtarake, si në rastin e Bosnjës dhe Kosovës, Afganistanit, Irakut, problemi i instalimit gjithëpërfshirës të modelit demokratik, në vendet postkomuniste po bëhet detyrë shtëpie e shumë qeverive evrolindore. Por, tani ky instalim apo përpjekje për të shartuar demokracinë nëpër këto vende sikur po kontestohet dhe problematizohet me faktin se ai më nuk mund të eksportohet aq lehtë, sikurse teknologjia dhe mallrat tjera, ashtu siç dikur bie fjala mendonin kolonizatorët anglez; përmes dërgimit to parukave nëpër kolonitë pastaj “telefaks kushtetutave” dhe rrjetit të gjerë satelitor nëpër gjithë vendet postkomuniste! Ky proces zhvillohet kësisoj, për shumë shkaqe. Kurse shkaku kryesor, to të shtonim qëndron; mu në pamundësinë e aplikativitetit masiv të këtij Projekti mbi këtë doktrinë me anën e metodologjisë së shartimit! Ngase, doktrina e demokracisë nuk është kafshatë aq e lehtë për diktatorët e ndryshëm që të kapërdihet vetëm me një shartim formal, në mënyrë që pastaj të konstatojmë se procesi i demokratizimit të raporteve dhe marrëdhënieve ndërmjet njerëzve në atë vend u krye, ashtu siç bie fjala ende mendohet nëpër disa vende postkomuniste, duke përfshirë këtu edhe Ballkanin dhe posaçërisht neve shqiptarëve të Kosovës, që ende jemi nën transin e ndodhive të luftës dhe kërkimit të identitetit shtetëror (që është një problem i tjetër natyre, e që nuk është objekt i fokusimit të vëmendjes sonë shkencore e intelektuale sot). Por, demokracia në anën tjetër është edhe një projekt dhe program mjaft kompleksiv që vazhdimisht është në hulumtim të dëshmimit të vetvetes dhe principeve të saj që në dukje të parë janë tejet transparente dhe të pëlqyeshme nga shtresat e gjëra popullore të rrafshit të kontaminuar postkomunist. Demokracia, dhe jo vetëm ajo kultivohen përmes institucionit të edukatës permanente e jo shartimit, ngase mbindërtimi institucional është hap i fundit që duhet të ndërmerret në këtë drejtim. Kurse, vetë akti i krijimit të kësaj edukate kushtëzuese (që për bindjen time sociologjike; do të vlejë më së shumti për shtetet e Ballkanit), do të mund të ndërlidhej së prapthi me dy tipe apo lloje kategorizimesh: 1. Njërin, i cili ka të bëjë me aksionet dhe iniciativat e njerëzve që kanë rezon, aftësi dhe kreativitet të mjaftueshëm që të ndikojnë në formën dhe përmbajtjen e sistemit që ata duan ta rregullojnë vetë apo përmes bashkësisë ndërkombëtare, siç është rasti me; Shqipërinë, Maqedoninë, Tirolin, Kroacinë, Kosovën, Afganistanin, Irakun, etj.. 2. Kategorizimi tjetër, i cili ka të bëjë me zhvillimin e sistemit të vlerave, njohurive dhe mjeshtërive të kombeve përkatëse, pra atyreve ku edhe fillon të lëshojë rrënjë kjo doktrinë dhe praktikë e qeverisjes. Por, problemi nuk qëndron edhe gjithaq këtu, ai rrinë pezull kur hulumtohet natyra e përvojës dhe rezultateve që ka dhënë apo duhet të jap sistemi i demokracisë në kushte dhe rrethana konkrete çfarë gjenden sot shtetet postkomuniste, që nuk mund të lavdërohen tani për tani. Me fjalë tjera; a duhet tani që edhe këto vende të shtegtojnë rrugëtimin e përvojave të mëhershme, apo duhet të provojnë të “dhurojnë” diç nga; tradita, kultura, etnopsikologjia, e tyre, në mënyrë që të ridëshmohet apo refuzohet koncepti i demokracisë globale? E them këtë, ngase ky është provim i pjekurisë së këtij koncepcioni e filozofie sot për miliona e miliona njerëz në planetin tonë. Përvojat e vendeve të ndryshme kanë dëshmuar edhe të kundërtën e kësaj bindjeje mbi demokracinë, gjë që mund të hetohet tek shumë studiues eminent; Ali Bulaq (në “Islam and Democracy”, i cili nga një këndvështrim pothuajse origjinal flet për këto pozicionime dhe alternativa të reja të ndërtimit të raporteve mes njerëzve dhe shoqërisë në botën bashkëkohore), Jozef Shumpeter (në “Capitalism, socialism, and demokracy”), i cili natyrën e manipulimit me konceptin “popull” e detajizon deri në imtësira më të vogla, Samir Amin (në “Eurocentrism”), Raymond Aron (në “Social structure and the ruling Class”) kontestimin më të madh lidhur me demokracinë përpiqet ta ushtrojë në sferën e politikës, etj.. Lidhur me këtë kontekst të preokupimit tonë Çerçili me një rast, pat theksuar një fjali, që më vonë do të bëhet objekt i shumë analizave dhe debatimeve politike e shkencore, se: “Demokracia, është forma më e keqe e qeverisjes, por më e mira ndër të gjitha tjerat”! Formë dhe sistem ky, që kur të këndvështrohet me dioptrinë sociologjike përputhet me realitetin e krijuar në demokracitë e superindustrializuara, ngase njerëzit atje me të madhe kanë filluar të tjetërsohen nga politika dhe diskursi politik ku gjithnjë e më pak po u besojnë mekanizmave në të cilët ishin edhe vetë pjesëmarrës. Në këto tipe shoqërish megalopolise është evidente një lloj neglizhence, apatie, e për të mos thënë një indiferencë e theksuar ndaj sistemit dhe filozofisë demokratike si mënyrë e të identifikuarit të lirive individuale e grupore të identiteteve përkatëse. Shtrohet pyetja përse ndodh kjo kështu, në këto vende ku mbijetojnë së bashku: begatia e dhuna, sikurse binjakët sijamez? Përgjigja, për bindjen time kërkon një elaborim më të theksuar dhe një përkushtim tjetër, gjë që ne tani këtu nuk e kemi. Por, ajo kryesorja që e neutralizon, pra edhe stagnon procesin e indiferencës dhe diskursit të njerëzve për këto çështje është pikërisht mungesa e një; ALTERNATIVE (ideologjike, apo politike) të suksesshme, e konkurrente ndaj DEMOKRACISË! Athua nga ky lloj diskursi dilematik, që aktualisht është duke mbretëruar në demokracitë perëndimore do të mund të krijoheshin alternativa tjera? Diskurs dhe preokupim ky, që sociologët; Bulaq, Shumpeter, Amin, Aron dhe shumë të tjerë i ka mobilizuar të fokusojnë përparësitë e sistemeve dhe programeve tjera alternative? Pra, a ka dhe a mund të ketë alternativë modeli i demokracisë perëndimore, që shquhet tani edhe si GLOBALIZËM ? Dhe cilat janë ato? Natyrisht nëse ka! Në një aspekt kjo të duket punë Sizifi, ngase për ta zhvilluar këtë dilemë duhet të hulumtohen të gjitha dallimet që ekzistojnë në botë rreth ideve dhe projektit të demokracive perëndimore. Pastaj të gjitha mangësitë dhe përparësitë hipotetike të saj. Si edhe të bëhet një lloj krahasimi shkencor e politik të gjitha këtyre primesave, në mënyrë që vlerësimi dhe diagnostifikimi të jetë sa më i përpiktë. Një çështje tjetër po ashtu me rëndësi është edhe ajo, se kush duhet ta udhëheqë tërë këtë projekt? Individi (që është e pamundur), ndonjë ekip profesional shkencor (ku do të tuboheshin eminencat e lëmive të ndryshme; sociologjike, juridike, historike, ekonomike, etj.) i cili do mblidhte fakte nga përvojat e gjitha tipeve të demokracisë (që është prapë dilematike), apo përvoja e shoqërive industriale dhe atyre postindustriale (si diçka që do të mund të ndihmonte në këtë drejtim). Kosova, meqenëse gjendet në vorbullën e ndryshimeve të mëdha socioekonomike dhe sociokulturore, ashtu sikurse shumica e vendeve tjera postkomuniste, dhe meqenëse është pjesë e një koncepti zhvillimor për tërë Evropën Juglindore, që ndihmohet nga administrata ndërkombëtare e KB-së dhe ajo e OSBE-së, nuk është (dhe nuk do të duhej të ishte) e implikuar fare në hulumtimin e modeleve të reja alternative të udhëheqjes me vetveten, sikurse bie fjala vendet dhe shtetet e Lindjes dhe ato Aziatike. Shkaku është i thjesht dhe i arsyeshëm; Kosova gjendet në Evropë, Kosova është vend postkomunist, dhe Kosova ka nevojë për mësimet nga demokracia. Në anën tjetër, poqë se do të kishte hamendje në përcaktimet e mësipërme dilematike, ajo në këtë periudhë kur ende nuk i ka definuar as caqet e realizimit të identitetit të vet elementar shtetëror, e as standardet e legjitimitetit minimal demokratik, do të dëmtohej rëndë. Kurse dëmtimi i saj, në Ballkan sjell jostabilitet të madh, të cilin nuk e dëshiron askush. As globalistët e asaj pjese të Evropës së integruar, e as integralistët e asaj pjese që po presin në rend për t’u integruar apo thënë më ndryshe globalizuar. Faleminderit për mirëkuptim!
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|