BALLINA arrow HUTBE arrow INTERNETI DHE TĖ RINJTĖ
Fjala e Bukur - Shkėndija qė sfiket | e enjte , 20 nėntor 2008
Menyja Kryesore
BALLINA
LAJME
ISLAM
KUR'AN
SUNNET
FAMILJE
RINIA
SHKENCĖ
HUTBE
LIBRA
FETĖ
PĖR NE
SHKARKIME
WWW ADRESA
PYETJE E PĖRGJIGJE

KYĒUNI PĖR QASJE TĖ PLOTĖ!





Keni harruar fjalėkalimin
Nuk keni ende llogari? Bėje njė
INTERNETI DHE TĖ RINJTĖ Bėje PDF Shtyp E-mail
Shkruar nga Bahri Curri   
e enjte , 04 tetor 2007
Ajeti:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنْفُسَكُمْ وَ أَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَ الْحِجَارَةُ
“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Tahrimë, 6).
Hadithi:
كُلُّكُمْ رَاعٍ, وَ كُلُّكُمْ مَسْؤُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ, اَلْإِمَامُ رَاعٍ وَ مَسْؤُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ, وَالرَّجُلُ رَاعٍ فِي أَهْلِهِ وَ مَسْؤُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ, وَ الْمَرْأَةُ رَاعِيَةٌ فِي بَيْتِ زَوْجِهَا وَ مَسْؤُولَةٌ عَنْ رَعِيَّتِهَا, وَ الْخَادِمُ رَاعٍ فِي مَالِ سَيِّدِهِ وَ مَسْؤُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ, فَكُلُّكُمْ رَاعٍ وَ مَسْؤُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ
“Çdo njëri prej jush është bari (përgjegjës) dhe do të përgjigjet për kopenë e tij. Udhëheqësi është përgjegjës për popullin e tij. Kryefamiljari (prindi) është përgjegjës për familjen e tij. Gruaja është përgjegjës për shtëpinë e burrit. Shërbëtori është përgjegjës për pasurinë e zotërisë së tij. Pra, secili prej jush është bari dhe përgjegjës për kopenë e tij (për atë që iu është besuar).” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
Falënderimi i takon vetëm Allahut, të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga të këqijat e vetvetes dhe punëve tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e lajthit dhe kë e humb Allahu s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet, i Cili është i Vetëm dhe nuk ka shok. Dhe dëshmoj se Muhammedi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem)[1] është rob dhe i Dërguar i Allahut.
“O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” (Ali Imran, 102).
“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.” (Nisaë, 1).
“O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thuani fjalë të drejta. Ai (Allahu) iu mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh.” (Ahzabë, 70-71).
Thënia më e saktë, e vërtetë, është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë, udhëzimi i Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Veprat më të këqija janë ato të shpikurat (pa bazë), andaj çdo shpikje është bid’at (risi) dhe çdo bid’at është lajthitje nga Rruga e Vërtetë, kurse çdo lajthitje përfundon në xhehenem.
Të nderuar besimtarë!
Allahu xh.sh. me urtësinë e tij caktoi dispozita për çdo segment të jetës së njeriut si dhe për secilën kategori të tyre: fëmijë, rini, të rritur, të pjekur dhe pleq. Po ashtu edhe për çdo mjet dhe mundësi që i shfrytëzon njeriu në jetë. E në rastin konkret, duke iu referuar ajetit dhe hadithit të cituar do të ndalemi pak të shtjellojmë fenomenin bashkëkohor të Internetit dhe çështjen e të rinjve.

Ç’janë masmediat, ndikimi dhe zhvillimi i tyre?
Në kohën e sotme njerëzimi ka ecur para, është zhvilluar në fusha të shumta të jetës, si në shkencë, kulturë, teknologji, politikë dhe në mendime të ndryshme. Secili formacion kombëtar, kulturor, ekonomik, politik dhe ideologjik bën përpjekje për zhvillim në fushën e vet, që me përhapjen e tij të dominojë mbi të gjithë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe mundësitë vetëm e vetëm që t’ia arrijë qëllimit.
Deri më sot, si mjet kryesor për ta realizuar qëllimin e synuar në të shumtën e rasteve është përdorur forca (përmes luftërave pushtuese në vendet e caktuara). Mirëpo, një gjë e tillë gjithnjë ka dështuar (siç ishte rasti i Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore që pretendoi të sundojë tërë botën përmes forcës ushtarake, si dhe rasti i Amerikës në Vietnam). Për këtë arsye njerëzimi, sot, i është kthyer luftës së ftohtë, e cila është më vrasëse dhe më pushtuese se sa lufta ushtarake frontale.
E kjo është propaganda!
Andaj, çdo fjalë që flitet, shkruhet apo transmetohet, fshihet prapa saj një prapavijë me pretendime të caktuara.
Përmes mjeteve propaganduese të masmedias mund t’u drejtohemi të gjitha shtresave, me gjithë ndryshimet e tyre që kanë, në shkallë të ndryshme të kulturës, të arsimimit dhe zhvillimit të përgjithshëm.
Pra mund t’u drejtohemi analfabetëve dhe intelektualëve, të vegjëlve dhe të rriturve, burrave dhe grave, të gjithëve përnjëherë dhe për një kohë. Përveç kësaj mund t’u drejtohet masave të ndryshme në vise të largëta dhe të afërta, në tokë, në det, në ajër, në vende të arritshme dhe të paarritshme, të mbyllura dhe të hapura, të një formacioni etnik kulturor, ideologjik apo ekonomik, në njërën anë. Si dhe t’u drejtohet edhe masave të formacioneve tjera të ndryshme, duke bërë ndikim të madh në psikologjinë dhe të menduarit e tyre, në anën tjetër.
Në këto rrjedha të ndryshme mendimesh e luftërash ideologjike që bëhen sot në botë, këto mjete kanë gjetur përdorim të madh dhe të gjerë. Përmes këtyre mjeteve robëron njeriun duke dominuar mbi të menduarit e tij, mbi formimin e ideve dhe mbi zhvillimin e tij psikologjik. Andaj, sot me të drejtë thuhet se kush disponon më së shumti me këto mjete dhe është i zhvilluar në këtë aspekt është i fuqishëm dhe më ndikuesi në botë.
Nën ndikimin e këtyre mjeteve (radios, televizionit, shtypit, satelitit, internetit, etj.) si rezultat është bërë ndryshimi i jetës së shumë popujve dhe komuniteteve të ndryshme, duke bërë ndërrime në jetën materiale e politike, e që fatkeqësisht nuk ka ngelur vetëm me këtë, por ka kaluar edhe në sferën shpirtërore dhe në botën e mendimit të lirë si dhe në të vendosurit e pavarur. Pra, ndikon mbi të menduarit e tyre, në përcaktimin ideologjik, mbi të orientuarit në veprim, në mënyrën e jetesës, mbi ndryshimin e bindjeve dhe besimeve, e kështu me radhë përderisa ta bëjë ”rob” pa luftë ushtarake.Për këtë, anekënd botës bëhet garë dhe luftë e paskrupullt për ngritje dhe përparim në këtë fushë. Sot, gjejmë mjete të llojllojshme e të shumta në mbarë botën, ku secili ka prapavijë dhe synime të caktuara.
Masmedia duket fjalë e madhe, e madhe sa vetë bota, ku futen media e shkruar, ajo vizive, elektronike, moria e gazetave dhe e revistave me qindra e mijëra tituj.
Një botë e tërë lajmesh, ngjarjesh e të rejash përbëjnë masmedian orbitë në të cilën jeton sot universi në fjalë a shkrim.Sot opinionit të gjerë i kanë ardhur në ndihmë për t’u informuar me mijëra mjete informimi duke filluar nga gazetat, revistat, televizionet, emisionet e llojeve të ndryshme dhe të një standardi të lartë elektronik.Teleteksi vjen si e re që ka bërë bujën e vet prej disa vitesh. Ndryshimet dhe revolucioni teknologjik flasin për një përparim të botës teknologjike dhe njeriu e gjen veten të rrethuar nga një informacion i bollshëm, i gjithanshëm dhe i çdo lloj zhanri.
Mirëpo, mes këtij informacioni të bollshëm dhe të gjithanshëm që vërshon nga mikrofona a megafona, nuk është ai i dashuri për njerëzit sot. Dhe kjo për shkak të të pavërtetave që lindin në një botë konkurrenciale.

Qëllimi i medies
Qëllimi i medies dihet tashmë se është sa njerëzor aq edhe qytetar: Informim për gjithçka që na rrethon, për këdo që ka të bëjë me ne, për çdo ngjarje që shënon diçka që ka të bëjë gjithashtu po me ne.
Mirëpo, pas këtij qëllimi sa madhor, aq edhe të nevojshëm për njeriun, duhet thënë se fshihen gjëra të çuditshme, të frikshme, jonjerëzore, që e përdhosin gjithnjë e më tepër qëllimin e saj.Shpesh pas këtyre medieve të ndryshme fshihen elemente të rrezikshme për mbarë shoqërinë dhe jo vetëm për qarqe e klane të caktuara njerëzish. Jemi dëshmitarë të faktit që pikërisht te këto medie zënë vend kriminelë, njerëz nga më të inkriminuarit, racistë, supremacistë, duke mos harruar arrogantët dhe arravistët, buxhetet e të cilëve janë prej parave të pista.
Ndodh dhe madje ka shumë raste kur një prej elementeve mediatike shfaqet si medie e lirë fetare, edhe pse në aparencë duket jofetare, ku shahen dhe diskriminohen fetë e tjera, instanca të ndryshme dhe elemente të ndryshme fare të pafaj.
Çudirat në kohë të tilla si kjo në të cilin po ecim edhe ne nuk kanë fund dhe fare qartë shikojmë me sytë tanë se persona që kanë në dorë dhe drejtojnë mediet e ndryshme janë persona që vuajnë nga mbeturina të hershme të pandreqshme, persona me nivele të ndryshme, me botëkuptime po të ndryshme, ku ndjehet që larg mungesa e profesionalizmit. Dhe rrjedhimisht edhe vetë mediet që mbulojnë këta persona ecin në linjat e tyre respektive, që i përkasin ideve dhe tendencave të tyre.
Kështu media nga mesazhi i saj aq qytetar për përçimin e informacionit, lajmit, edukimit, argëtimit në vatrat tona, kthehet në të kundërtën në një mjet dezinformimi, keqedukimi dhe pseudoargëtimi; gjëra këto që i kthejnë edhe njerëzit në parazitë të mirëfilltë të shoqërisë.
Disa kanë pretendime ekonomike, disa politike, disa të tjerë shkencore e teknologjike, dhe më i rrezikshmi është formacioni propagandues në fushën e kulturës e të fesë.
Formacioni propagandues në emër të fesë, është mjaft i rrezikshëm, i cili ka për qëllim luftimin e Islamit, në zbehjen dhe shëmtimin e tij deri në zhdukjen totale të tij.

Diçka më shumë për internetin
Teknologjia informative e ka bërë botën një komunitet virtual, ku koha dhe distanca kanë humbur kuptimin e vërtetë të tyre. Një kompjuter dhe një lidhje telefonike hapin dritaren në dimensionin abstrakt ku volumet me dituri të të gjitha fushave arrijnë deri në infinit.
Kur flitet për shtypin islam, konkretisht atë në gjuhën shqipe pa dyshim që thelbësore është audienca, se si të arrihet dhe informohet ajo. Libri, gazeta, revista, televizori dhe radioja gjithnjë ballafaqohen me probleme të tilla si nevoja për fonde të mëdha, distanca dhe kufijtë si dhe shpejtësia, diçka që është e huaj për internetin.
Interneti nuk është më një ëndërr e ndonjë shkencëtari, por një realitet, bile edhe në shoqërinë shqiptare. Duke gjykuar nga zhvillimi i shpejtë i teknologjisë informative mund të thuhet se interneti po bëhet pjesë e domosdoshme e jetës, e cila jo vetëm që po ndikon por edhe po e ndryshon atë. Numri i faqeve të hapura në internet shtohet dita ditës në mënyrë alarmante. Nuk mund të imagjinohen të gjitha gjërat që njerëzit i kryejnë përmes internetit. Bëjnë transaksione biznesi, diskutojnë çështje të ndryshme, shkëmbejnë informacionet të të gjitha llojeve me njëri tjetrin, mundohen të zgjedhin problemet personale si dhe të të tjerëve. Por, krahas kësaj gjithashtu flitet edhe për shumë gjëra negative që i sjell interneti. Përveç pornografisë, është një numër gjithnjë e më i madh i atyre që keqinterpretojnë faktet dhe informacionet për shumë çështje duke përfshirë edhe fenë. Disa prej tyre qëllimisht shfrytëzojnë rastin për përfitime personale e disa të tjerë në shërbim të grupeve më të mëdha, në emër të diplomacisë publike, mashtrojnë dhe eksploatojnë me bindjet dhe opinionet e të të tjerëve duke iu ofruar informacione jo të sakta. Dilema para nesh është: Të zgjedhim në mes privimit komplet të informacioneve që i ofron interneti dhe influencës së propagandës dhe keqinformimit duke zhytur veten në sistem.
Diçka duhet të bëhet që gjithë këto të ballafaqohen me kohë që dëmet të reduktohen deri në eliminim të plotë.
Por, fatkeqësisht, për intelektualët, shoqatat, organizatat dhe institucionet islame interneti është diçka ende jo e kohës. Edhe televizioni 50 vjet më parë ishte diçka ende jo e kohës, por së shpejti ai na tejkaloi në kohë duke na lënë të mendojmë se si të mbrohemi nga ai. A thua duhet që edhe interneti të futet në të gjitha familjet dhe institucionet që ne të aktivizohemi, kuptohet, në mbrojtje.
Me përhapjen e internetit, si një mundësi ideale, u zhvilluan dhe u përhapën me të edhe shumë zbulime tjera plotësuese dhe anësore të tij. Prej tyre është internet-kafeja, në të cilat frekuentojnë një turmë e madhe e njerëzve, shumica e tyre të rinj, të cilët anojnë dhe jepen me gjithë forcën pas këtij vendi dhe zbulimi të ri, derisa frekuentimi i të rinjve nëpër këto vende bëhet një dukuri e re që kërkon hulumtimin dhe trajtimin e tij.
Motiv për këtë ka qenë realizimi i fitimit të kënaqshëm duke i servuar dy shërbime në të njëjtën kohë. Shërbimi i rëndomtë tradicional i kafes është pasuruar edhe me pije, ëmbëlsira e ushqime të lehta, si dhe shërbimi i dhënies me qira i rrjetit të internetit.
Sido që të jetë çështja, internet-kafetë në vendin tonë janë hapur duke ndjekur shembullin e internet-kafeve në botë, e veçmas të SHBA-ve.Epoka e globalizmit solli shumë të mira e të këqija, por me vete solli edhe shumë ndryshime në jetën tonë dhe po sjell vazhdimisht. Njëri prej ndryshimeve më të mëdha që solli globalizmi pa dyshim që është edhe interneti, i cili e ka bërë botën një fshat të vogël dhe i ka bërë njerëzit të jenë më afër në mënyrë vizuale dhe më larg në mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit.
Interneti sot posedon me miliarda informata për shumë gjëra që nuk i dimë dhe mund t’i mësojmë, apo t’i shkarkojmë në mënyrë elektronike në kompjuterin tonë. Shpejtësia e përhapjes dhe ndikimi i tij mobilizoi shumë kompani të mëdha botërore, organizata, institucione e njerëz të ndryshëm që të zënë hapin e kohës dhe punën e tyre ta prezantojnë nëpër faqet e internetit, sepse koha e këtij shekulli po e kërkon këtë punë.
Në kohën bashkëkohore me shfaqjen e mjeteve të ndryshme propagandistike e informative duke filluar nga gazetat, revistat, pastaj radiot, televizionet, telefoni, telegrami, teleksi, faksi, e më vonë edhe rrjeti ndërkombëtar Interneti, u krijua mundësia e përcjelljes së ngjarjes a të fjalës thuaja se menjëherë, madje të bisedosh apo t’u drejtohesh njerëzve në skaj të botës.
Andaj dhe bota e përparuar (në aspektin material) bën gara të vrullshme në këto mjete me qëllim që të fitojë sa më shumë hapësirë dhe ndikim në globalizmin e popujve e të shteteve, si dhe mundësinë e imponimit të civilizimit të tij (ideologjik dhe material).
Bota Islame në tërë këtë është gjetur e papërgatitur dhe e habitur, pjesëtarët e Islamit u gjendën në rrugë të ndryshme. Disa prej tyre të fascinuar me këtë qytetërim, u dhanë pas këtij qytetërimi duke iu nënshtruar plotësisht. Disa të tjerë zgjodhën rrugën e injorimit apo të refuzimit të këtyre gjërave duke menduar se ky është qëndrimi i duhur me këtë rast.
Ndërsa të tjerë patën qëndrim tjetër, i studiuan dhe i analizuan këto, dhe mbajtën një qëndrim që tregon zgjuarsinë e tyre, por edhe që jetuan dhe u angazhuan me realitetin e kohës, mirëpo gjithmonë duke pasur kujdes dhe rezerva për rrezikun dhe dëmin e tyre.

Hyrja dhe pjesëmarrja në rrjetin e internetit
Përmes internetit bëhet ofrimi i shërbimeve të teknologjisë informative dhe të komunikimit. U ofron shfrytëzuesve shërbime të bartjes së të dhënave, web aplikacione, lidhje me tërë botën në internet, dhe shërbime tjera, shërbime dhe lidhje me organizata të mëdha, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare, institucionet qeveritare, bankat kryesore, kompanitë e sigurimeve, si dhe bizneset e vogla dhe të mesme. Gjithashtu u ofron shërbime të kualitetit të lartë organizatave, por edhe shfrytëzuesve individualë. Thënë shkurt interneti ofron një spektër të gjerë shërbimesh, madje edhe në ato vendbanime që nuk kanë fare shërbim të telekomunikimit. Megjithëkëtë përpjekjet vazhdojnë për hulumtimin e mundësive të reja të telekomunikimit dhe të avancimit softuerik dhe harduerik në këtë aspekt.
Allahu xh.sh. sqaroi hallallin dhe haramin, dëftoi rrugën e udhëzimit dhe të devijimit. Andaj dhe për mjetet propaganduese të të gjitha llojeve si televizioni, radio, interneti, sateliti, kinemaja, gazetat, revistat, teatri etj.etj., të cilat i prodhoi civilizimi materialist bashkëkohor, Islami nuk qëndroi duarkryq karshi këtyre shpikjeve të reja, por as nuk e injoron ekzistimin e tyre apo t’i mbyll sytë para tyre. Patjetër duhet të gjykojë për to, muslimani duhet ta dijë dispozitën islame për to, në mënyrë që të jetë i vetëdijshëm se si të veprojë me to, dhe çka duhet të marrë e çka duhet lënë.
Ne po përpiqemi në këtë temë duke lutur Allahun që të na e paraqet të vërtetën të vërtetë dhe të na ndihmojë ta pasojmë atë, si dhe të na e paraqet të keqen të keqe dhe të na ndihmojë të largohemi prej saj.

Shpatë me dy teha:
S’ka dyshim se të gjitha mjetet propaganduese si radio, televizioni, kasetofoni, kinemaja, teatri, gazetat, revistat, interneti, sateliti etj., janë zbulime të mrekullueshme të shkencës bashkëkohore, madje janë zbulimet më të mëdha të civilizimit materialist në shekullin XX.
Të gjitha këto janë shpatë me dy teha. Përdoren në të mirë dhe në të keq.
Të gjithë pajtohen se nëse këto mjete shfrytëzohen në të mirë, në përhapjen e diturisë, në forcimin e akides islame, në ngritjen e vlerave të moralit, lidhjen e brezave me të parët dhe historinë e tyre, në udhëzimin e Umetit në dobi e në të mira që të përfitojnë në dynja e në ahiret, në edukimin e brezave (të rinj e të reja) në frymën e shëndoshë që i avancon drejt lumturisë dhe krenarisë.
Nëse shfrytëzohen në këtë mënyrë, askush nuk e ndalon përdorimin e tyre, përfitimin nga to dhe disponimin e tyre.Por, nëse përdoren për shkatërrimin dhe përhapjen e vlerave të ulëta, për nxitjen e devijimit dhe humbjen e moralit e të besimit, thënë ndryshe nëse shfrytëzohen për shndërrimin dhe edukimin e brezit të tanishëm, të vegjël e të rritur, të rinj e të reja, me parime e kondita joislame, t’i pajisin me një moral të çoroditur, atëherë çdo i mençur e di se disponimi dhe përdorimi i tyre është haram.

Shkaqet e përhapjes së internetit
Për përhapjen e shfrytëzimit të “Rrjetit të Internetit” nga ana e të rinjve kanë ndikuar shumë shkaqe, e më të rëndësishmet janë:
1. Ata (të rinjtë) nuk kanë përcjellje të fortë sikur që mund ta kenë edhe te mjetet tjera. Është e vërtetë se organet përgjegjëse, siç është rasti në disa vende islame, janë duke u angazhuar në këtë aspekt, por është një përpjekje e kufizuar për pengimin e tyre, sepse lënda e ndaluar mund të plasohet edhe me forma jo të drejtpërdrejta, me mënyra të ndryshme, madje edhe amatorët fare lehtë mund të arrijnë në këto lëndë.
2. Të gjitha mundësitë e paraqitjes dhe publikimit janë evidente në internet si fotografitë, video, zëri, bisedimi, lidhja me kamerë drejtpërdrejtë dhe debatimi përkundër mjeteve tjera të propagandës (masmedias), të cilat janë të përcaktuara në disa mundësi të veçanta. Shpesh dhe lehtë mundësohet edhe biseda telefonike, që tërë këto tregojnë se interneti është shumë më i gjerë dhe më efektiv në përhapjen e çoroditjes, shkatërrimit dhe të keqes se sa në mjetet tjera.
3. Përhapja e tij është më e madhe se sa mjetet tjera të njohura. Përmes tij mund të lidhesh me cilindo kanal dhe me cilindo vend me shpejtësi dhe me shumë lehtësi. Natyrisht, edhe me webfaqet e fëlliqta kudo që gjenden në skajet e botës. Kësaj ia shtojmë edhe shkaqet ekonomike si:
- zbritja e çmimeve të pajisjeve kompjuterike,
- zbritja e çmimeve të shfrytëzimit të internetit me anëtarësim mujor dhe vjetor,
- zbritja e çmimeve të orëve të internetit që bëhet nëpër internet-kafetë.
4. Ana e ndritshme e internetit është se ka prej të rinjve që e shfrytëzojnë këtë rrjet për studime universitare, marrjen e statistikave dhe për specializime. Edhe kjo gjendet në internet.

Dëmet e internetit për të rinjtë
Sikur që dobitë dhe të mirat e internetit nuk mund të llogariten e të numërohen, po ashtu edhe dëmet e të këqijat e tij janë të panumërta. Shkencëtarët e Perëndimit thonë: Interneti është shpikja më e madhe e shekullit 20, por kjo nuk e mohon faktin që mund të jetë edhe mjeti më i dëmshëm në këtë shekull.
Ai që vështron me kujdes realitetin e të të rinjve, pas zhytjes së tyre në detin e thellë të internetit, do të gjejë se dëme të mëdha janë katandisur për shumicën e tyre, e sidomos për ata që nuk dinë ta shfrytëzojnë atë. Disa prej dëmeve janë si vijon:
1. Humbja e kohës;
2. Njohja me shoqërinë e keqe;
3. Infektimi dhe sëmurja nga sëmundjet psikike;
4. Zhytja në ndyrësirat e prostitucionit dhe në pavlerë;
5. Njohje me format e terrorit dhe të shkatërrimit;
6. Mundësia e kontaktimit me faqet thirrëse në krishterizëm dhe në çifutizëm dhe me faqet tjera të rrymave shkatërruese;
7. Përgjimi (spiunimi) i sekreteve personale (gjërave intime-private);
8. Shkatërrimi i jetës bashkëshortore; etj..

Disa forma të shfrytëzimit të internetit në të mirë
Është e drejtë që të tregojmë në qoftë edhe vetëm disa nga format e drejta të shfrytëzimit të internetit, të cilën gjë e bëjnë njerëzit me ambicie të larta e synime të pastra që ta përdorin këtë rrjet në gjëra të dobishme, madje e kanë vënë këtë në shërbim të Dinit Islam dhe në luftë kundër të keqes dhe ithtarëve të saj. Prej tyre:
1. Ftesa në Islam;
2. Lufta kundër atyre që mbjellin dyshime dhe kundër bid’atxhinjve;
3. Përhapja e njohurive islame;
4. Pranimi i pyetjeve dhe problemeve të ndryshme si dhe përgjigjja në to; etj..

Kush janë të rinjtë dhe pse duhet të fokusohemi në ta e të kujdesemi për edukimin e tyre?
Të rinjtë janë shtresa më e re, shpresa dhe ardhmëria e popullit. Janë të fuqishëm, energjik dhe plot elan, andaj edhe janë shumë të efektshëm në çdo aspekt të veprimit të tyre, ngase kanë ambicie dhe jetën përpara. Roli veprues i tyre është shumë i rëndësishëm, sidomos kur dihet fakti se ata janë bartësit e radhës apo thënë ndryshe përgjegjësit e ardhshëm të bartjes dhe vazhdimit të amanetit të Zotit – Islamit. Për këtë arsye është obligim i yni t’i drejtojmë të rinjtë që këtë forcë dhe elan ta derdhin në rrugën e duhur. T’i vetëdijësojmë për rolin dhe obligimet e tyre ndaj Zotit, vetes, familjes dhe shoqërisë.[2] Padyshim se kur përmenden të rinjtë, në këtë hyjnë meshkujt dhe femrat.
Rinia janë zgjedhur për një çështje madhore, andaj duhet të merremi me ta seriozisht! Janë të  zgjedhur për të qenë zemra e Umetit Islam, për të shprehur shpresat dhe dhembjet e tij dhe për ta udhëhequr në rrugën drejt realizimeve të qëllimeve të tij. Energjia e tyre është fuqia që lëviz Umetin drejt përparimit dhe ngritjes, që e merr për dore në shkallët e lavdisë, derisa të ngrihet me popujt e tjerë. Atëherë, a i ka hije të zgjedhurit për këtë funksion që të mos e marrë me seriozitet këtë punë?! Andaj për të qenë të rinjtë tanë të këtillë, ne duhet të punojmë me ta, në mënyrë që ata të mos na zhgënjejnë në detyrën që iu është besuar. Nuk duhet lënë të bien nën ndikimin e emocioneve dhe faktorëve tjerë psikologjikë personal si dhe nën peshën e problemeve shoqërore, ekonomike dhe politike të rrethit ku jetojnë. Këta faktorë dhe të ngjashëm ua dobësojnë motivet e shëndosha dhe i mbulojnë me dyshime, e kështu mund të dalin nga udha. Mendimi, kultura dhe sjellja e tyre do të prishej dhe jeta e tyre do të nyjëzohej. Kjo gjendje do të pasqyrohej në tërë Umetin.
Prandaj, për këtë lloj përkujdesen të gjithë popujt. Sepse janë të rinj, dhe popujt dëshirojnë që të rinjve t’u hapin dyert për të shprehur talentet e tyre, të ushtrojnë aftësitë e tyre, të orientojnë energjitë e tyre, të shfrytëzojnë kohën e tyre të lirë, të plotësojnë nevojat e tyre, t’i mbrojnë nga viruset e lajthitjes dhe së kotës. Për ta janë themeluar institute dhe organizata, për ta projektohen programe të veçanta me qëllim edukimi dhe formimin e sjelljes, psikikës, mendjes, shpirtit dhe fizikut të tyre.
Pse bëhet kjo?
Ngase, ata janë pasuria më e madhe e Umetit dhe vetëm prej tyre varet përparimi dhe ngritja, me kusht që të jenë ashtu siç dëshiron Zoti ynë dhe i Dërguari i Tij.
Cila është mosha e rinisë? Sipas pikëpamjes psikologjike, ajo është në mes vitit të pesëmbëdhjetë dhe të dyzetë të jetës së njeriut. Atëherë, ne po i drejtohemi një shtrese të madhe njerëzish në shoqëri: Nxënësve, studentëve, ministrave dhe atyre në poste të larta. Prandaj, njerëzit lakmojnë rininë. Të gjithëve ju pëlqen të jenë të rinj dhe të quhen ashtu.
Roli i të rinjve është i madh në bartjen e amanetit, dhe dikush mund të thotë: Pse nuk themi roli i burrave, por themi i të rinjve?!
Lidhur me këtë mund të themi duke u përgjigjur në dy aspekte:
Aspekti i parë:
Siç u tha edhe më lartë, të rinjtë në çdo kohë dhe vend dhe në të gjitha periudhat e historisë deri në ditët e sotme janë shtylla e Umetit Islam, janë sekreti i ngritjes së tij, krenarisë, kulturës dhe civilizimit islam, janë bartës të flamurit dhe komandantët e famshëm të fitoreve të tij. Siç e dimë, a nuk ishte grupi i parë i besimtarëve që mblidheshin në shtëpinë e Erkamit në mëngjesin e hershëm të Thirrjes Islame i përbërë kryesisht nga të rinjtë që ishin në moshën më energjike, larg sherrit dhe të keqes, të mbrojtur nga e kota, grup i moralshëm, popull i sabrit dhe i xhihadit.
Aspekti i dytë:
-E kemi për obligim të kujdesemi për të rinjtë sikur që është kujdesur edhe vetë i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) për formimin e plotë të tyre, përgatitjen e tyre për bartjen e amanetit të Islamit dhe përgjegjësive.
-Duhet të angazhohemi për formimin e tyre dhe t’ua mbjellim bindjen e përcjelljes së Allahut dhe frikës prej Tij, haptas dhe fshehtas. I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) thotë në hadith: “Allahut i pëlqen i riu që nuk ka devijime e shtrembërime.” (Shënon Imam Ahmedi dhe Ebu Ja’la).-
Duhet të përpiqemi t’i formojmë ata duke i mësuar t’i përmbahen fesë së Allahut dhe t’i nënshtrohen vetëm Atij. I Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) thotë në hadith: “Shtatë grupe njerëzish Allahu do t’i strehojë nën hijen e Tij atë ditë kur nuk ka hije tjetër pos hijes së Tij (e njëri prej tyre është): I riu që ka jetuar duke e adhuruar Allahun.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
-Në ftesën e të rinjve duhet shfrytëzuar të gjitha mundësitë për formimin e drejtë të personalitetit të tyre shpirtëror, moral, mendor, trupor dhe psikologjik. I Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) thotë në hadith: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: Jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohën e lirë para angazhimit, rininë para pleqërisë dhe pasurinë para varfërisë.” (Shënon Hakimi).
-Duhet vetëdijesuar të rinjtë për llogarinë dhe përgjegjësinë që kanë para Zotit të botëve në Ditën e Gjykimit. I Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) thotë në hadith: “Nuk do të lëvizin këmbët e robit në Ditën e Kijametit derisa të pyetet për katër gjëra: Për jetën e tij, në çka e kaloi; për rininë e tij, ku e shfrytëzoi; për pasurinë e tij, si e fitoi dhe si e shpenzoi; dhe për diturinë e tij, çfarë bëri me të.” (Shënon Tirmidhiu).
-Duhet ruajtur epshet e të rinjve nga devijimi dhe çoroditja duke i mbrojtur me martesën ligjore të cilën e ka caktuar Allahu i Plotfuqishëm. I Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) thotë: “O ju të rinj! Kush ka mundësi të martohet le të martohet, ngase kjo është më e mirë për ta ruajtur syrin, dhe për ta mbrojtur nderin (avretin).” (Shënon el xhemaatu).

Një realitet i gjendjes së të rinjve sot
I Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Personi do të jetë në Ditën e Gjykimit me atë që e do.” Nëse i thua një të riu a të reje muslimane, që i do kaq shumë këngëtarët, aktorët dhe sportistët që nuk besojnë në Zot, se në Ditën e Gjykimit do të jetë me ta, habitesh se si mund të marrësh reagim pozitiv. Është e trishtueshme, por ata madje gëzohen për këtë prospekt. A nuk mjafton kjo për të na futur frikën në zemër?! Me kë do të jenë në Ditën e Gjykimit të rinjtë muslimanë? Shumica e tyre nuk mund të thonë as emrat e atyre me të cilët shpresojnë të jenë në atë ditë! Nëse do të vendosnin një poster të heroit të tyre në dhomën e tyre, të atij që ata e mendojnë si më “cool”, cili do të ishte? Nëna apo babai i tyre? Një poster islam, apo ndonjë aktor, këngëtar a sportist i parë në internet a në televizor?
Ne muslimanët nuk jemi njerëz që nuk e duam këtë jetë (si mendon shumëkush, fatkeqësisht edhe nga vetë muslimanët). Ne jemi Umet me Mesazh! Kur Rib’ij bin Amir (radijallahu anhu) qëndroi para mbretit të Persisë, ai e shqiptoi mesazhin e tij shumë qartë, siç duhet ta shprehë çdo musliman: “Allahu na ka dërguar ta nxjerrim njerëzimin nga robëria ndaj krijesave në robëri ndaj Zotit të krijesave, nga ngushtica e jetës materiale në gjerësinë e kësaj jete dhe të jetës tjetër, nga padrejtësia dhe korrupsioni në drejtësinë e Islamit!”

Këshilla për shfrytëzuesit e internetit
I nderuari shfrytëzues i internetit!
Këto fjalë nuk janë tjetër vetëm se fjalë vëllazërore, përmes të cilave tregojmë dashurinë tonë dhe shprehim frikën nga keqpërdorimi i këtij rrjeti botëror.
Vëlla dhe motër e nderuar!
Revolucioni informativ dhe progresi teknologjik janë bërë një realitet në botën tonë, por përse gjithmonë i gjykojmë me indinjatë si armiq dhe si shqetësim? Në të kaluarën e afërt, shumë prej nesh e morën teknologjinë e transmetimit të drejtpërdrejt satelitor si kanal satelitor që emeton ide destruktive dhe trupa të lakuriqësuar. Ndërsa, sot na erdhi rrjeti i internetit, një mjet i madh për arritjen edhe më të saktë të informatave, dhe ja të rinjtë tanë e përdorin si një mjet për të arritur deri te e keqja me të gjitha llojet e saj etj. etj..
A na takon neve që gjithmonë të ecim në anën e errët?! A është e ndershme kjo?!
A është e logjikshme për të riun, e sidomos për të riun musliman, që synimi i tij të jetë vetëm fjalët e këmbyera me një vajzë apo shikimi i vazhdueshëm i pamjeve seksuale dhe lëvizjeve atraktive!!!
I nderuar!
Ti i mbyll dyert, lëshon perdet dhe fshihesh nga sytë e njerëzve duke hyrë në atë faqe të shëmtuar. Ajo të kënaq për disa minuta të caktuara apo orë të caktuara, por kënaqësia ikën dhe mbetet pesimizmi dhe dëshpërimi. I nderuar, Allahu thotë: “A nuk e di ti se Allahu di çka ka në qiej dhe çka ka në tokë?! Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave e të mos jetë Ai i katërti; e as mes pesë vetave e të mos jetë Ai i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë. Pastaj, në Ditën e Kijametit i njofton ata me atë që kanë punuar. Allahu ka përfshirë çdo send në dijen e vet.” (Muxhadele, 7).
Ti i flet një vajze (apo ti o vajzë i flet një djali) në fund të botës që nuk e njeh e as nuk të njeh, e ftoni njëri tjetrin në haram....
Kujtoje porosinë e Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!): “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: Jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohën e lira para angazhimit, rininë para pleqërisë dhe pasurinë para varfërisë.” (Shënon Hakimi).
Edhe pas kësaj porosie ti vazhdon të shëtisësh dhe t’i zgurdullosh sytë në ekranin e kompjuterit me orë të tëra në faqet e trenta, të shfrenuara.... A kështu e falënderon Allahun, Zotin tënd që të bëri të dëgjosh dhe të shohësh? A harrove se: “Të dëgjuarit, të pamët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (Israë, 36).
Ti po i hap sytë në harame e po shëtit nëpër faqe të fëlliqta, por çka pastaj? Thyerje e thellë shpirtërore, devijim moral, e si mund të jetë përfundimi?!
Kujdesu për pastërtinë shpirtërore, për trupin dhe fenë tënde! Këtë nuk mund ta arrish ndryshe përveç se duke iu përgjigjur Allahut në ajetin kur’anor: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.” (Nurë, 30).
Po ashtu edhe hulumtimi dhe spiunimi i intimiteteve nëpër pajisjet e të të tjerëve është i ndaluar dhe kjo nuk tregon nivelin e aftësisë, por është shenjë e poshtërsisë, ngase Allahu ka ndaluar këtë duke thënë: “Mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit!” (Huxhuratë, 12).
Kush ia përhap sekretet e të të tjerëve, Allahu do ia përhap sekretet e tij.

Disa udhëzime për të rinjtë
Andaj, o ju të rinj ju këshillojmë t’i përcillni këto udhëzime:
1. Kur muslimani e dëgjon ezanin, nuk guxon të lejojë asgjë që ta ndalë atë t’i përgjigjet asaj thirrjeje. Allahu i Lartësuar në Kur’an thotë: (ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që Allahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t'i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zekatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.” (Nurë, 36-37).
2. Interneti është mjet i komunikimit, por ai në të vërtetë është shpatë me dy tehe. Muslimanët duhet t’i shfrytëzojnë anët e mira të internetit, ato që i shërbejnë fesë dhe jetës së tij, e jo ato që e prishin fenë dhe jetën e tij.
3. Është shumë me rëndësi që shfrytëzuesit e internetit të mbrojnë sytë e tyre, që të mos shohin atë që është e ndaluar. Shfaqjet e ndaluara janë armë e shejtanit, të cilat ai i përdor për t’i prishur zemrat e muslimanëve, duke ofruar një kënaqësi momentale, pas së cilës vjen pendimi dhe shqetësimi i ndërgjegjes. Shikimi i të ndaluarës është burim i ndotjes së zemrës, rëndimit në gjoks dhe largimit nga adhurimi i Allahut Fuqiplotë. Gjithashtu, këto gjëra e largojnë shpirtin nga kënaqësitë që ai i arrin gjatë adhurimit të Allahut. Kjo është armë e shejtanit me të cilën ai e zbukuron mëkatin dhe, në momentin kur dikush hyn në kurthin e tij, shejtani merr kontrollin ndaj zemrës së tij dhe luan me të, sikur fëmija që luan me topin.
4. Mos lejo që interneti ta “shkatërrojë” kohën tënde. Dhe kjo ndodh kur me orë të tëra i kalon nëpër faqe të ndryshme dhe me grupe të ndryshme bisedash online. Me këtë e harxhon kohën e çmuar, kohën të cilën do ta kishe kaluar me familjen, fëmijët, të afërmit, shokët ose duke punuar për të fituar për vete dhe për familjen.
5. Vizitoji shpesh faqet islame. Vizito faqet nëpërmjet të cilave do të marrësh informacione të dobishme, të cilat e zgjerojnë diturinë tënde. Largohu nga faqet të cilat e dëmtojnë fenë, moralin dhe grupet që përhapin fitne. Mos hy në debate me armiqtë e Islamit, nëse nuk ke dituri të mjaftueshme me të cilën mund t’i kundërshtosh. Në raste të tilla kërko nga dikush që di më shumë të merret me ato çështje.
6. Miqësitë nga chati janë kurthe edhe për meshkujt edhe për femrat; kurthe që i çojnë ata drejt marrëdhënieve të ndaluara, marrëdhënie që zakonisht fillojnë si njoftime të thjeshta dhe përfundojnë me dëm të madh për fenë dhe jetën.
7. Ose je ti ai që kontrollon, ose je i kontrolluar. Nëse e vendos internetin nën kontroll, atëherë dobitë e tij mposhtin dëmin e tij potencial dhe kështu, interneti bëhet dhunti nga ana e Allahut të Lartësuar. Por, nëse bie ti nën kontroll të tij, atëherë ai do t’i mjegullojë sytë me kënaqësi të përkohshme, e cila t’i vjedh të hollat, kohën, jetën dhe të largon nga obligimet që i ke ndaj familjes dhe të afërmve. Bëhesh viktimë, ndërkohë që nuk mund ta kuptosh një gjë të tillë. Shpëto nga ky kurth para se të humbësh dhe para se të bëhet shumë vonë.

Disa gjëra për angazhimin e të rinjve:
O ju të rinj!
-Merruni me sport jashtë shtëpisë.
-Shkathtësohuni në mjeshtëri të tilla si arte luftarake, kaligrafi, rrobaqepësi etj..
-Vizitoni bibliotekën.
-Merruni me një zanat që mund t’ju mësojë shumë në jetë.
-Bëni akte adhurimi ndaj Zotit, p.sh. përmendni Zotin, falni namaz vullnetar, lexoni Kur’an, agjëroni, meditoni për shenjat e Zotit në krijimin e Tij etj.
-Përkrahni një kauzë islame në rajonin ku banoni dhe merrni pjesë në të, si p.sh. mësojuni fëmijëve Islamin.
-Përkrahni një revistë islame duke i dërguar artikuj, statistika dhe informacion të vlefshëm dhe me interes.
-Merrni pjesë në projekte bamirëse për të ndihmuar jetimët, vejushat, të moshuarit, ose bashkohuni një komiteti që organizon programe shoqërore për festa e ceremoni të ndryshme si Bajrami etj..
-Gjeni shokë të devotshëm e fqinj të mirë dhe vizitojini ata.
-Lexoni libra islamë në veçanti dhe libra të vlefshëm në përgjithësi.
-Merrni pjesë në aktivitete thirrëse në Islam dhe në programe që organizojnë qendrat islame.
-Dëgjoni ligjërata fetare, shkruani përmbledhjen e tyre dhe shpërndajuani atyre që mendoni se do të kenë përfitim.
-Interesohuni për kompjuterët dhe programet kompjuterike. Kjo është një fushë e gjerë që mund t’ju mbush një pjesë të madhe të kohës. Kompjuteri mund të përdoret për të bërë shumë gjëra të mira dhe të nevojshme dhe njëkohësisht siguron zbavitje nëpërmjet lojërave të lejueshme fetarisht.

Në fund, një thirrje rinisë dhe njerëzve të mençur
Rini e nderuar!
Mos harroni se sot është një ditë e re. Allahu na e dha këtë ditë për ta përdorur si kemi dëshirë. Mund ta çojmë dëm ose ta përdorim për diçka të mirë dobiprurëse. Por le ta dimë se ajo që bëjmë sot është e rëndësishme, sepse po këmbejmë një ditë të jetës sonë me të. Kur të vijë e nesërmja, kjo ditë do të ketë shkuar përgjithnjë dhe në vend të saj do të jetë diçka që e kemi lënë pas..., pra, le të jetë diçka e mirë dhe dobiprurëse!
--------------------------------------------------------------
Referencat:
1. “KUR’AN-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe” – Përktheu dhe komentoi Sherif Ahmeti.
2. ”Esh shebab vel internet” – Adil bin Muhammed Abdul Ali, botimi i parë, viti 1421 h, pa vend botimi.
3. ”Devrush-shebab fi hamli risaletil islam” – Abdullah Nasih Ulvan, botimi i katërt, 1413 h – 1992.
4. Revista “Err-Rrabitatu”, nr. 385, viti 1417 h – 1997, Mekë – Arabia Saudite.
5. “Dilemat rreth Islamit” – Muhammed Kutub, botim i dytë, Tiranë 1993.
6. ”Interneti dhe pornografia” – Ismail Lutolli dhe Samire Ademi, Revista “Argumenti” nr.25, Prishtinë.
7. ”Hukmul islam fi vesailil i’lam” – Abdullah Nasih Ulvan, botimi i gjashtë, 1407 h – 1986.
8. ”Media dhe dezinformimi” – Albana Muja, Revista “Argumenti” nr.34, Prishtinë.
9. ”Shebab bila meshakil, rihletun mined-dahil” – Dr.Ekrem Rida, botimi i parë, Janar 2002.
10. ”Prindi i tretë” – Muhamed Sherifi, Revista “Argumenti” nr.38, Maj 2005, Prishtinë.
11. ”El muslimune vel i’lam el fedaij” – Mervan Kexhuk, Revista “El Bejan” nr. 145, Janar 2000-Ramazan 1420.
12. ”Vetëm për të rinjtë: Të kanë zgjedhur për një çështje që sikur ta kuptoje...”, Revista “Argumenti” nr.31, Prishtinë.
13. “Shahsijetul muslim kema jesuguha el-islamu fil kitabi ves-sunneti” – Dr. Muhammed Ali el-Hashimi, botimi i nëntë, 1422 h – 2001, Darul beshair el-islamijjeti, Bejrut-Liban.
14. “Personaliteti i muslimanit” – Bahri Curri, Revista “Argumenti” nr. 50, Maj 2006, Prishtinë.
15. “Ndikimi i mjeteve propaganduese dhe përdorimi i tyre kundër Islamit” – Bahri Curri, Revista “Dituria Islame”, nr. 198, Prishtinë, janar 2007.
16. “Gjendja e disa muslimanëve sot – Musliman, por i padijshëm” – Bahri Curri, Revista “Dituria Islame”, nr. 202, Prishtinë, maj 2007.
17. “Shtypi islam dhe interneti” – Imer Gruda, (http://www.horizonti.com).
18. ”Udhëzime për shfrytëzuesit e internetit”, (http://www.klubikulturor.com).
19. “El-fetatu el-iliktrunijetu” – Selman Avde, (http://www.islamtoday.net).
20. “Interneti” – Wikipedia, Enciklopedia e Lirë, (http://sq.wikipedia.org/wiki/Interneti).
21. “Mekahi el internet tahtafu esh-shebab”, (http://www.islamway.com), dhe (http://www.moe.gov.jo/school/hamza/MGAINTRT.htm-22k).
22. ”Esh-shebab vel internet”, (http://www.enashir.com/blogs/Teacher/480/).
23. “Internet World Stats – Usage and Population Statistics”, (http://www.internetworldstats.com).
24. “The History of the Internet” – Dave Kristula, (http://www.davesite.com/webstation/net-history.shtml).


[1] Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: Kjo thënie ka kuptimin: Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të! Duhet thënë sa herë që të përmendet i Dërguari i Allahut, në të folur dhe në të shkruar, që njëherit është edhe urdhër i Allahut në Kur’an ku thotë: “Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë të Dërguarin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” (Ahzabë, 56). Tash e tutje do ta përdorim në shqip.
[2] Që e tërë kjo përmblidhet në ajetin 72 të sures Ahzabë: Ne ua ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete.”

 
< Prapa   Para >

     

     10 Pyetjet e Fundit
 
  10 Shkarkimet e Fundit
 
     10 Dërgesat e Fundit n[ Fjala e Bukur - Grup
 

No Documents
Cache Directory Unwriteable

Materialet qė paraqiten nė kėtė uebsajt nuk do tė thotė se korrespondojnė gjithsesi me atė ēfarė Fjala e Bukur di pėr tė vėrtetė.
Materialet e kėtij uebsajti mund tė publikohen edhe nė uebsajte dhe mediume tjera me kusht qė tė tregohet burimi (www.fjalaebukur.com).
Copyright © 2004-2008 Fjala e Bukur. Tė gjitha tė drejtat e rezervuara.
Strehohet dhe mirėmbahet nga VIVA4 Solutions - Kliko Kėtu! Tash edhe nė shqip!