|
Të dashur vëllezër besimtarë! Është fat i madh të takohemi përsëri me muajin e bekuar, muajin e mëshirës, bereqëtit dhe sakrificës, muajin e faljeve të mëkatëve, muajin në të cilin zbriti Kur’ani Famëlartë. Ky është muaji i agjërimit. Sa të lumtur që përsëri arritëm të takohemi me muajin që nuk ka të krahasuar me asnjë muaj nga muajt e vitit. Vërtet që Allahu i ka falur ata, të cilët malli i ka marrë për të bërë vepra të mira, dhe mjerë për ata që kanë mbetur në mëshirën e fatit, në detin e injorancës, në sofrën e mëkateve.
Ejani vëllezër, ta falënderojmë Allahun e Plotfuqishëm për begatitë që na ka dhuruar, për muajin e bekuar që na ka bërë të mundur për ta takuar; ta përkujtojmë në të Krijuesin e të gjitha krijesave, Mëshiruesin e të gjitha botëve, atyre që shohim dhe nuk i shohim. Të përfitojmë nga ky muaj atë që kemi lënë mangu në vitet e kaluara, të veprojmë vepra të mira, gjithnjë me qëllime të mira, të shfrytëzojmë rastin që gjatë këtij muaji të japim maksimumin si në vepra, po ashtu edhe në punë të mira, të bashkohemi, të vizitohemi me të afërmit, të përgatisim ushqime për të varfrit, t’i ndihmojmë jetimët, t’i vizitojmë invalidët e luftës, t’i pastrojmë zemrat tona nga ndryshku i xhelozisë, inatit dhe koprracisë, t’i falim ata që na kanë dëmtuar, t’i ftojmë të varfrit në iftare, t’i mëshirojmë të moshuarit, t’i edukojmë të vegjlit. Ejani vëllezër të lexojmë Kur’anin, të falim namazet së bashku me xhemat. Ejani të nderuar besimtarë, ta falënderojmë të Gjithëmëshirshmin për këtë muaj të agjërimit si dhe për begatitë e tij. Vëlla besimtar! Përpiqu që t’i kryesh obligimet gjatë këtij muaji, e veçmas agjërimin, mundohu që t’i japësh hakun aq sa ke mundësi. Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar në suren Bekare, ku thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishtë obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183). Vëllezër besimtarë, kjo është mirësia që Allahu e dëshiron për mbarë njerëzimin. Ramazani na trajnon që gjithherë të veprojmë mirë; na mëson se si të tregohemi dashamirës ndaj të tjerëve, njëherazi na përkujton fushatën e rritjes se imanit dhe forcon anën shpirtërore të njeriut. Pra, ky është qëllimi kryesor i agjërimit. Ne nuk agjërojmë thjesht që t’i rezistojmë etjes dhe urisë. Muaji i agjërimit nuk është vetëm të falim namazin e teravive, apo namazin e natës. Ajo që kërkohet nga ne është se, në çdo adhurim që kryejmë përgjatë këtij muaji, duhet shikuar përtej anës se jashtme së kryerjes së ritualeve. Po ashtu, duhet kushtuar kujdes të veçantë se, adhurimet e kryera duhet të na ndërtojnë ne në një musliman të gjallë, dinamik, musliman me plot kuptimin e fjalës; musliman me plot iman; të jemi shembullor dhe individ energjik. Agjërimi nuk duhet kuptuar si një muaj i vetëm për ta adhuruar Allahun, siç ndodh me shumë muslimanë, ku gjatë muajit të agjërimit bëjnë vepra të mira, dhe me të kaluar të këtij muaji, kthehen përsëri në mëkate dhe vazhdojnë jetën e tyre të mëparshme në mëkate e armiqësi. Agjërimi posedon qëllimet e veta. Muslimani duhet ta kuptojë se agjërimi forcon besimin dhe ndërton frikërespektin ndaj Krijuesit; ndërton karakterin dhe sjell forcë e fuqi për t’i anashkaluar sfidat, të cilat e përcjellin muslimanin gjatë jetës se tij. Vëllezër besimtarë, ejani ta shfrytëzojmë çdo orë të këtij muaji, ta forcojmë besimin tonë, t’i kryejmë obligimet ashtu siç ka porositur Allahu i Madhërishëm. Të fillojmë me veten tonë, t’i kushtojmë rëndësi anës se jashtme në përgjithësi, dhe asaj shpirtërore në veçanti. Të ruhemi nga çdo e metë, të kemi kujdes se si të veprojmë me gjymtyrët tona, ku shkojmë, çfarë hamë, çfarë flasim, dëgjojmë, shikojmë, shkelim, të gjitha këto hyjnë në llogari në Ditën e Gjykimit. Ajo që na duhet gjatë këtij muaji është ndryshimi i vetes sonë, e me pas t’i këshillojmë të tjerët. Vëllezër të nderuar! Fillimisht, jemi të obliguar që para se të fillojmë një punë, të posedojmë nijetin e pastër; të jemi të sinqertë në atë që themi dhe veprojmë. Në këtë muaj të mëshirës, të nxitojmë drejt kryerjes se adhurimeve, ibadeteve me sinqeritet. T’i kryejmë të gjitha për hir të Allahut, e jo për qëllime fitimprurëse, apo për t’u shtirë si besimtar. Vetëm me sinqeritet mund të arrihet suksesi, andaj me zemër të çiltër dhe qëllim të pastër, jemi të obliguar që të veprojmë vetëm vepra të mira. Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. në suren Bejjine thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.” (Bejjine, 5). Gjatë këtij muaji duhet të luftojmë që gjithsesi në mendjet tona të zë vend morali dhe sjelljet e mira. Ta marrim si shembull Pejgamberin e fundit Muhammedin alejhi selam, i cili gjithmonë ishte dhe mbeti shembull për gjeneratat që erdhën pas tij. Ai na tregoi se si duhet të jetë morali i muslimanit. Kjo është diçka e pamohueshme dhe nuk ka pikë dyshimi në të. A ka diç me të mirë në këtë botë kur të lavdëron Krijuesi i Gjithësisë? Vërtet që po të mos ishte shembull për të mirë, Allahu nuk do ta kishte përmendur këtë lëvdatë mbi moralin e Muhammedit alejhi selam, Ai në Librin e Tij Famëlartë thotë: “Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.” (Tevbe, 128). A keni menduar ndonjëherë, përse Islami na nxit të mobilizohemi me moral të mirë? A kemi pyetur vetën ndonjëherë se çfarë do të kishte ndodhur me atë person, i cili nuk posedon moral dhe karakter të mirë? Si do të ishte halli i tij? Çfarë do të flitej për të? Jam i bindur se morali dhe karakteri i mirë janë tejet të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë. Pa dyshim se askush nuk do të pajtohej të jetojë dhe të ndërtojë jetën në një vend apo shoqëri të degjeneruar. Vëllezër besimtarë, tashmë kuptuam se çfarë vlere ka morali, për këtë edhe themi se feja islame është fe që njeriut i sjell të mira, bereqet dhe lumturi në jetë, prandaj ta ndërtojmë një shoqëri me baza të shëndosha, duke filluar themelet e saja ne këtë muaj të rëndësishëm.
Si ta shtojmë besimin, devotshmërinë dhe sjelljet e mira? Për ta shtuar besimin dhe devotshmërinë si dhe për t’u pajisur me moral të mirë, duhet që fillimisht të shtojmë edhe njohuritë, njohuri, të cilat do t’i sjellin dobi mbarë njerëzimit. Feja islame si fe universale, që nga fillet e saj, ka porositur që në mënyrë të vazhdueshme të kërkojmë dituri. Kur njeriu kërkon dituri, arrin grada të larta në këtë dhe botën tjetër, në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. thotë: “Allahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata, të cilëve u është dhënë dituri….” (Muxhadele, 11). Pasi që gjendemi në muajin e agjërimit, dhe leximi i Kur’anit është i domosdoshëm, të mos harrojmë se përveç leximit, rendësi duhet kushtuar edhe kuptimit të ajeteve dhe pas arritjes së njohurive, t’i mësojmë të tjerët, ta shpërndajmë atë që kemi mësuar. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë suksesin e garantuar dhe me këtë gjest do të jemi më afër Kur’anit. Mos të harrojmë se leximi i Kur’anit ka qenë lindës i ideve, zbulimeve dhe inovacioneve të ndryshme për njerëzimin. Kur’ani është libër i shenjtë dhe nga ai mund të mësojmë çdo ditë gjëra të reja, aq më shumë që të lexojmë, aq më tepër do të kuptojmë kuptimet dhe komentimet e tij. Kur’ani nuk duhet lexuar ashtu sikurse lexohet gazeta, ai duhet të lexohet dhe të meditohet, kuptimet e tij të studiohen dhe nëse veprojmë kështu, padyshim se agjërimi, Kur’ani, namazi, zekati, do të formojnë individin dhe do të vërehet se asnjëra pa tjetrën nuk mund të jetojnë. Në qoftë se zbatojmë Kur’anin dhe veprojmë sipas tij, padyshim se do të ketë avancim ne jetën tonë dhe kurrë nuk do të mbetemi prapa, prandaj, duke zbatuar obligimet ashtu siç i ka hije muslimanit, kërkohet edhe durimi, pasi që durimi na shpie deri të arritja e suksesit. Vëllezër besimtarë, së fundi këshilloj veten, e më pas ata, të cilët dëgjojnë dhe lexojnë këtë shkrim se, elementi kryesor gjatë këtij muaji është durimi, vetëm duke bërë sabër, sigurojmë edhe shpërblimet mbi kryerjen e adhurimeve (ibadeteve) tona. Po ashtu, të përpiqemi maksimalisht që gjatë këtij muaji ta përmirësojmë veten tonë, familjen, të afërmit; të përfitojmë nga të mirat që sjell ky muaj, të mobilizohemi me moral të mirë, pa marrë parasysh vendin ku jetojmë dhe rrethanat. Të jemi të durueshëm, ta vëzhgojmë anën e jashtme dhe atë të brendshme. Të falemi dhe të punojmë ashtu siç ka porositur Krijuesi i kësaj Gjithësie. Në fund lusim Allahun e Plotfuqishëm të na i fal mëkatet tona dhe të na bëjë prej vepërmirëve, durimtarëve dhe të jetë i kënaqur me agjërimin dhe ibadetet tona. Aminë!!!
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|