|
E falënderojmë Allahun subhanehuhu ve teala në çdo gjendje, Ai është i cilësuar me cilësi të plota dhe i madhëruar, falënderimi i takon në fillim e mbarim, e tek Ai do të kthehemi dhe do të jemi përgjithmonë. Me të vërtetë se të dhënat e Allahut subhanehu ve teala ndaj robërve besimtarë janë lehtësime për të bërë bamirësi, të mira dhe mirësi të shumta, me të cilat njeriu ngritet i kënaqur në jetën e tij, e që shpërblimet e këtyre veprave të mira i vazhdojnë robit edhe pas vdekjes së tij.
Banorët e varrezave në varrezat e tyre janë të penguar, nuk kanë mundësi më të punojnë. Ata do të pyeten, e do të llogariten për punët që i kanë bërë sa ishin gjallë, e ndërsa nga veprat e mira që i ka punuar, do të korrë shpërblim të pandërprerë, edhe pse ai qëndron në varrin e tij. Ai privohet nga punët e kësaj jete, por shpërblimet nuk i ndërpriten, i ngriten të mirat e tij, gjithashtu i shumohen dhe i rriten të mirat, e ai qëndron në varrin e tij. A ekziston gjë më e mirë se kur njeriu është në këtë gjendje?! A ka gjë më të bukur dhe më të dashur për atë se sa shpërblimet?! Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka cekur shtatë vepra, shpërblimet e të cilave i vazhdojnë njeriut në varr pas vdekjes së tij. Këtë e transmeton el-Buzar në zinxhirin e tij prej hadithit të Enes bin Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: ”Shtatë vepra, shpërblimet e të cilave i vazhdojnë robit në varr pas vdekjes së tij, janë: Kush ia mëson dikujt diturinë, apo lëshon një lum, apo çel një pus, apo mbjellë një pemë, apo ndërton një xhami, apo trashëgon një Kur’an, apo le një djalë e ai kërkon falje (istigfar) nga Zoti për të pas vdekjes së tij.” (Këtë hadith e bën hasen shejh Albani, mëshira e Allahut qoftë mbi të!). Vëlla i dashur musliman, mendo një kohë të gjatë për këto punë dhe shpreso që këto punë të jenë fat për ty, e mos vazhdo të jesh në përtaci! Shpejto në punët e mira para se të kalojë koha e të vijë Ahireti.
Disa sqarime dhe shpjegime të këtyre punëve:
1. Të ia mësosh dikujt diturinë Qëllimi i diturisë këtu është dituria e dobishme, e cila i ngrit njerëzit në fenë e tyre, e me këtë ata e njohin Zotin dhe adhurimin e tyre. Gjithashtu me të udhëzohen robërit në rrugën e drejtë. Dituria është ajo që me të cilën njeriu e dallon rrugën e drejtë prej rrugës së humbur, e dallon hakun prej të pavërtetës, hallallin prej haramit, e nga kjo e kuptojmë vlerën e dijetarëve që ata i këshillojnë njerëzit në rrugën e drejtë, e janë thirrës të sinqertë, janë ata të cilët bëhen shkaktarë për ta drejtuar robin në rrugën e ndriçuar, e ndriçojnë vendin e tyre, e ngritin popullin, e mbjellin urtësinë. Jeta e tyre është e shtrenjtë, ata e mësojnë të paditurin, e përkujtojnë të pakujdesshmin, e drejtojnë atë që është në rrugë të humbur, nuk bie vlera e tyre, e as nuk kanë frikë për tejkalimin e kufijve. Por, edhe nëse vdes njëri prej tyre mbetet dituria e tij në mesin e njerëzve e trashëguar, librat dhe thëniet e tij janë të paharrueshme, e që prej tyre njerëzit kanë dobi dhe marrin dituri. E të gjitha këto bëjnë që shpërblimet e dijetarit të vazhdojnë në varrin e tij, dhe të mirat e tij të jenë në vazhdimësi. Në kohën e hershme njerëzit kanë thënë: ”Vdes dijetari, por mbetet libri i tij.” Prej asaj kohe deri më tash, zëri i dijetarit është i incizuar nëpër kaseta, të përfshira me ligjëratat e tij mësimore, të dobishme. Ligjëratat e tij janë me vlerë të madhe, përfitojnë prej tij popujt, të cilët nuk kanë jetuar me të, por as që e kanë njohur atë. Kush ndihmon në botimin e librave të vlefshme, shpërndarjen e kasetave mësimore, dhe është thirrës me to në rrugën e Allahut subhanehu ve teala ai do të ketë fat madhështor për marrjen e shpërblimit në dashtë Allahu subhanehu ve teala.
2. Hapja e lumit Qëllimi i hapjes së lumit është hapja e kanaleve të ujit prej puseve e lumenjve që të arrijë uji në vendet ku jetojnë njerëzit, dhe ku i mbjellin bimët. E nga ai lum, njerëzit shuajnë etjen e tyre, ujisin bimët, mundësohet shërbimi i kafshëve... Nuk ka gjë më të mirë se kjo punë e madhe, ku tregohet bamirësia ndaj njerëzve dhe preokupimi për largimin e brengave të tyre duke ua lehtësuar arritjen e ujit, që është jetë për njerëzit dhe është shumë e rëndësishme për jetesën e tyre. Hapja e lumit tash bëhet duke përçuar ujin nëpër gypa në vendet ku jetojnë njerëzit, e po ashtu duke instaluar kroje në rrugët dhe vendet e ndryshme për nevoja të njerëzve.
3. Çelja e puseve Transmetohet një hadith se Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Një njeri gjatë rrugës se tij ishte etur, kishte hasur tek një pus, pastaj kishte zbritur në të dhe kishte pirë ujë, pas daljes prej tij, sheh një qen duke dahitur dhe hante dhé prej etjes. Ky njeri tha: “I ka arritur etja këtij qeni me një gradë të madhe, siç më patë arritur mua më herët.” Zbriti në pus dhe e mbushi këpucën e tij me ujë, dhe e freskoi qenin me të. Për këtë punë Allahu subhanehu ve teala e kishte falënderuar dhe ia kishte falur mëkatet. Shokët e Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) thanë: A kemi shpërblim në kafshët tona? Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) iu tha: Në të gjitha shtazët dhe bimët ka shpërblim prej Allahut subhanehu ve teala.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi). Vallë, si do të jetë shpërblimi për një person, i cili e çel një bunar, apo bëhet shkaktarë për vendosjen e tij, e që nga ai pinë ujë kafshët dhe shumë dobi tjera prej tij?!
4. Mbjellja e hurmës Siç dihet se hurma është më e dalluar prej pemëve tjera. Është më e mira e më e dobishmja, dhe më së shumti njerëzit kanë dobi prej saj. Kush e mbjell një hurme dhe dedikon që frutet e saj të jenë për muslimanët, vërtetë shpërblimi do t’i vazhdojë atij për çdo ushqim që bëhet prej fruteve të saj, pa dallim a ushqehen njerëzit apo kafshët. Mirësia në mbjelljen e pemëve është se çdo herë kanë njerëzit dobi. Veçohet këtu hurma në përmendjen e vlerës së saj dhe dallimin mes tjerave.
5. Ndërtimi i xhamive Është puna më e dashur tek Allahu subhanehu ve teala, në të cilat na ka urdhëruar Allahu që ta lavdërojmë dhe ta përmendim emrin e tij. Nëse ndërtohet një xhami e në të falet namazi, lexohet Kur’ani, përmendet emri i Allahut subhanehu ve teala, përhapet dituria në të, tubohen muslimanët, e shumë të tjera prej punëve të mira e të lavdëruara, për të gjitha këto do të ketë shpërblim ai që e ndërton këtë xhami, e nuk do i ndërpritet inshallah as pas vdekjes së tij. Transmetohet një hadith se Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:“Kush e ndërton një xhami që në të përmendet Allahu subhanehu ve teala, Allahu do t’ia ndërtojë atij një shtëpi në xhenet.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
6. Trashëgimi i Kur’anit Botimi i Kur’anit dhe blerja e tyre, të cilat lihen në shërbim të xhamisë, apo organizimi i të mësuarit mbi fenë që muslimanët të përfitojnë prej tyre. Për këto punë njerëzit do të kenë shpërblim të madh. Lërja e Kur’anit vakf për xhami është një shpërblim i pakufizueshëm. Çdo herë që të lexohet ky Kur’an shpërblimet vazhdojnë tek ai që e la këtë mus’haf. Sa herë që mediton njeriu në të, dhe sa herë që i ndjek këshillat e Kur’anit, shpërblimet për atë janë të pandalshme.
7. Edukimi i fëmijëve Edukimi ndaj tyre duhet të jetë në nivel të lartë, duke u munduar për t’ua mbjellë atyre frikën ndaj Allahut subhanehu ve teala, që të bëhen të sinqertë, të bëhen të arsyeshëm, të bëjnë lutje të mirë ndaj prindërve, të kërkojnë prej Allahut subhanehu ve teala mëshirë dhe falje për mëkatet e tyre, e këto janë punët, të cilat e freskojnë të vdekurin në varrin e tij. Në këtë kapitull është shënuar kuptimi i hadithit të parë që transmetohet nga Ibën Maxhe prej hadithit të Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë se Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Prej punëve dhe të mirave që besimtarin e pasojnë edhe pas vdekjes së tij janë: Një dituri, të cilën ia ka mësuar dikujt dhe e ka përhapur atë tek të tjerët, lënia e një fëmije të sinqertë, një mus’haf që e la atë (në shërbim të Islamit), apo ndërtimi i xhamisë, apo ndërtimi i një shtëpie për kalimtarët, hapja e lumit, lëmosha e dhënë prej pasurisë kur ka qenë me shëndet deri sa ishte gjallë, të gjitha këto punë e pasojnë edhe pas vdekjes së tij.” (Albani e bëri këtë hadith hasen në Sahih Ibni Maxhe, nr.198). Transmetohet nga Ahmedi dhe Taberaniu prej Ebu Umames (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë se Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Katër vepra, shpërblimet e të cilave njerëzve iu vazhdojnë pas vdekjes, janë: Kush vdes duke menduar për të luftuar në rrugën e Allahut subhanehu ve teala, kush ia mëson diturinë tjerëve e që do t’i vazhdojë puna e tij edhe pse punon dikush tjetër, gjithashtu kush e jep një lëmoshë e që shpërblimi i saj do t’i vazhdojë për të edhe pse dikush tjetër e merr ketë lëmoshë, dhe ai, i cili e lë një fëmijë të sinqertë që ai bënë lutje për prindërit e tij.” (Shiko “Sahih el-xhamië”, hadithi nr.890). Në Sahihun e Muslimit prej hadithit të Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se vërtet Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse vdes biri i Ademit i ndërpritet puna e tij, përveç tre gjëra: Lëmosha e vazhdueshme, lënia e diturisë prej të cilës kanë dobi, dhe lënia e fëmijës të sinqertë, i cili bënë lutje për prindërit e tij.” E kanë komentuar një grup i dijetarëve se: “Lëmoshë e vazhdueshme” janë vendet që lihen (vakf) për hir të Allahut subhanehu ve teala, p.sh.: trojet, kroje, shtëpitë, etj.. Ose thënia: “Se ai, i cili e ndërton një shtëpi për hir të Allahut subhanehu ve teala”, së pari ka shpërblim për ndërtimin e saj, e pastaj për lënien e saj që të kenë dobi muslimanët, qofshin këta kalorës apo studentë, jetimë, vejusha, të varfër, apo shtresa të dobëta. Vallë, sa dobi dhe të mira ka prej kësaj shtëpie?!
Tash, na mbetet t’i themi me fjalë të shkurta veprat, të cilat nëse i punon robi në jetën e tij, i vazhdojnë shpërblimet e tyre edhe pas vdekjes së tij. Për këtë Sujutiu i ka thurur disa rreshta duke i përmbledhur këto: Kur të vdes biri i Ademit, Asgjë nuk arrin nga punët e tij përveç dhjetë nga to: Diturinë që e ka përhapur, fëmijën që për të bën dua, Mbjellja e hurmës, dhe ai kur dha sadaka, Trashëgimi i mus’hafit, dhe muxhahidi që i ruan kufijtë e tij, Çelja e bunarit, hapja e lumit, ndërtimi i strehimores për kalimtarë, Apo ndërtimi i një vendi ku në të bëhet dhikër.
Thënia: ”Muxhahidi, i cili i ruan kufijtë e tij”, argument për këtë është hadithi i Ebu Umames që është përmendur më herët, të cilin e ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij prej hadithit të Selman el-Farisij (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë se e kam dëgjuar Pejgamberin (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) duke thënë: “Ai, i cili ruan në luftë për hir të Allahut subhanehu ve teala ditën dhe natën, shpërblehet më shumë se të agjërosh një muaj apo të falësh namaz nate gjatë këtij muaji, e edhe nëse vdesë i vazhdon shpërblimi i kësaj pune që e ka punuar, nuk i ndërpritet risku i tij, dhe puna e tij vazhdon të rritet deri në Ditën e Kijametit, dhe është i sigurt nga sprova e varrit.” E lus Allahun e Madhëruar që të na e mundësojë çdo të mirë, të na ndihmojë që të çelim çdo derë të mirësisë, të na udhëzojë në rrugën e drejtë. Dhe salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij dhe të gjithë sahabët e tij (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!).
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|