E kur njeriu ta dijë se çka do të bëhet ai me pasurinë, rininë, shtëpinë dhe fëmijët e tij, atëherë do të mund të jetonte jetën e tij, ashtu siç dëshiron Allahu i Lartësuar nga ai, prej adhurimit, nënshtrimit dhe obligimeve, me të cilat e ka obliguar Allahu i Lartësuar atë. Gjithashtu do të mund të përcaktonte qëllimin e tij për këtë botë dhe t’i marr mjetet dhe metodat që lidhen me qëllimin, dhe që me to ta arrijë qëllimin (cakun).
E sa i përket atij, i cili e ka humbur këtë njohje dhe nuk ndalet para saj, e as që zemra e tij bindet se kjo jetë e ka edhe fundin e saj, ku do të mbarojë dhe do të do të vuloset çdo gjë, atëherë jeta e tij do të bëhet e pavlerë, e paqëllimtë dhe pa cak.
Allahu i Lartësuar na ka sqaruar në Kur’anin Fisnik se Ai i ka krijuar krijesat e Tij për një qëllim më të lartë dhe synim më të plotë. E pasi që Zoti jonë e krijoi njeriun, ia nënshtroi atij çka ka në qiej e në tokë dhe e bëri atë zotërues të tokës dhe të asaj që gjendet në të, a thua vallë e tërë kjo pa ndonjë qëllim dhe pa ndonjë cak? Kjo është çështje, prej të cilës na ka larguar Allahu i Madh.
Allahu i Lartësuar thotë:
“A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni te Ne? I lartë është Allahu, Sundues i vërtetë, nuk ka të adhuruar tjetër veç Tij, Zot i Arshit bujar.” (Mu’minunë, 115).
Dita e Fundit fillon me shkatërrimin e kësaj ekzistence, me ç’rast do të vdesë çdo gjallesë, do të ndërrohet toka dhe do të merr pamje tjetër, e gjithashtu edhe qiejt.
E pastaj Allahu do t’i ringjallë të vdekurit nga varrezat dhe ua rikthen atyre jetën përsëri.
Allahu i Lartësuar thotë:
“A mendon njeriu se do të lihet duke mos zënë asgjë (pa kurrfarë përgjegjësie). A nuk ka qenë ai një pikë ujë që derdhet. E pastaj u bë gjak i trashë, e Ai e krijoi dhe e përsosi? Dhe prej tij Ai i bëri dy lloje: mashkullin dhe femrën. A nuk është Ai (Zot) i fuqishëm që i ngjall të vdekurit?” (Kijame, 36-40).
E pas kësaj jete tjetër, do ta llogaritë Allahu i Lartësuar çdonjërin individ prej njerëzve për atë që ka punuar në jetën e kësaj bote prej të mirave apo të këqijave. Ai që është mirëbërës në jetën e kësaj bote, bënë vepra të mira, ai edhe do të ngritet me vepra të mira dhe për të gjitha këto Allahu ia paguan me xhenet.
Ndërsa, ai që është keqbërës në jetën e kësaj bote, punon vepra të këqija, nuk e kryen atë që ia ka obliguar Allahu atij prej mirësive, atë e shpërblen Allahu për veprat e tij të këqija me zjarrin e xhehenemit.
Të besuarit në Ditën e Fundit është tejet i rëndësishëm, e rëndësia e tij shfaqet me një fotografi të qartë gjatë leximit të ajeteve kur’anore, të cilat u përmendën më parë.
Allahu i Lartësuar thotë: “ ...por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, Ditës së Gjykimit...” (Bekare, 177).
Allahu i Lartësuar e ka ndërlidhur të përmendurit e Ditës së Kijametit me besimin në Të, e kjo nuk ndodh për tjetër, përpos për shkak të rëndësisë dhe vlerës së saj të madhe. Ai, i cili e lexon Kur’anin Fisnik sheh në të ajete të shumta, të cilat e përmendin atë dhe flasin mbi të. Pothuajse nuk ka kaptinë që nuk flet mbi këtë çështje, e cila i është e afërt mendjeve dhe kuptimeve, herë me argumente e fakte, e herë me sjelljen e shembujve.
Lexuesi i ajeteve kur’anore vëren se Dita e Fundit ka edhe disa emra të veçantë, dhe çdo emër prej këtyre emrave tregon ngjarjet dhe skenat, të cilat do të ndodhin në atë ditë madhështore, në Ditën e Fundit.
E ajo është “Dita e Ringjalljes” siç thotë Zoti ynë i Lartësuar:
“E atyre që iu është dhënë dija dhe besimi thonë: Ju keni qëndruar aq sa u pat caktuar Allahu deri në Ditën e Ringjalljes, e kjo pra, është Dita e Ringjalljes, por ju ishit që nuk e pranonit.” (Rrumë, 56).
Ajo është “Dita e Ngritjes, Kijametit”, ditë kur njerëzit do të ngriten për të dhënë llogari para Allahut, ashtu siç thotë Ai i Lartësuari:
“E ata që bënë gënjeshtër ndaj Allahut, do t’i shohësh në Ditën e Kijametit, fytyrat e tyre të nxira. A nuk është në xhehenem vendi i arrogantëve.” (Zumer, 60).
Ajo është “Çasti Përfundimtar”, ashtu siç thotë Zoti ynë i Lartësuar:
“O ju njerëz, ruanu dënimit nga Zoti i juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së Çastit Përfundimtar është një llahtari e madhe.” (Haxhxh, 1).
Ajo është “Dita e Llogarisë”, siç thotë Allahu i Lartësuar:
“Musai tha: Unë iu kam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj që të më mbrojë prej çdo kryeneçi, që nuk i beson Ditës së Llogarisë.” (Gafir, 27).
E për këtë Ditë Përfundimtare ka edhe emra tjerë të shumtë përveç këtyre.
Kur’ani ka vënë në dukje rëndësinë e gjithë kësaj çështje që ka të bëjë me këtë ditë për shumë shkaqe:
E para: Politeistët ( mushrikët) prej arabëve e injoronin dhe nuk e pranonin këtë.
E dyta: Besimi në Ditën e Fundit bënë që jeta të jetë më e fuqishme, kuptimplote dhe e qëllimshme.
E treta: Disa ithtarë të feve tjera të kota e mendonin Ditën e Fundit si diçka krejtësisht tjetër nga e vërteta që obligohet të pranohet.
Ajetet fisnike dhe hadithet pejgamberike rrëfejnë se fillimi i Ditës së Fundit do të bëhet me paraqitjen e ndërrimeve të mëdha të përgjithshme të kësaj bote, në të cilën jetojmë me tokën dhe qiellin e saj.
Do të çahet qielli.
Do të shkapërderdhen yjet.
Do të pëlcasin kodrat.
Do të rrënohet çdo gjë.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para Allahut, Një, Mbizotërues.” (Ibrahim, 48).
Koha në të cilën do të ndodhë Dita e Fundit, është gjë të cilën e di vetëm Allahu i Lartësuar e askush tjetër pos Tij, nuk ia ka treguar këtë askujt prej krijesave të Tij, as ndonjë të Dërguari apo meleku të afërm. Allahu i Lartësuar thotë:
“Vetëm Ai e di për Katastrofën (për Kijametin).” (Fussilet, 47).
Disa prej sahabëve e kanë pyetur të Dërguarin e Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për kohën dhe çastin e ndodhjes së saj, madje e përsëritnin pyetjen, e urdhëroi Allahu i Lartësuar që diturinë rreth saj dhe kohën e ndodhjes së saj ta kthen vetëm tek Ai, i Lartësuari. Allahu i Lartësuar thotë:
“Të pyesin ty (Muhammed) për Çastin e Fundit (Katastrofën e Përgjithshme) se kur do të ndodhë ai. Thuaj: Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë askush pos Tij (e sjell Kijametin pa e hetuar askush nga krijesat). Çështja e tij (se kur do të ndodhë) është preokupim i rëndë ( për krijesat) në qiej e në tokë. Ajo (Katastrofa) nuk vjen ndryshe, vetëm se befas. Të pyesin ty sikur ti di për të. Thuaj: Për të di vetëm Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë).” (A’rafë, 187).
Pasi që Allahu i Lartësuar t’ua rikthejë jetën njerëzve përsëri, t’i nxjerrë ata prej varreve të tyre, i tubon dhe i mbledhë afër Vetes, që pastaj çdonjërin nga ata ta llogarisë për atë që ka vepruar.
Do të dëshmojë edhe toka për atë që është bërë mbi sipërfaqen e saj. Allahu i Lartësuar thotë:
“Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme, dhe të nxjerrë toka atë që ka në brendësinë e saj (barrën nga brenda), dhe njeriu të thotë: Çka kjo (që bënë këtë dridhje)? Atë ditë, ajo i rrëfen tregimet e veta, ngase Zoti yt e ka urdhëruar atë. Atë ditë njerëzit shfaqen të ndarë në grupe që të shpërblehen për veprat e tyre. E kush punoi ndonjë vepër të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (Zelzele, 1-8).
E jo vetëm kaq, por vërtetë edhe gjuhët do të dëshmojnë, edhe duart do të flasin, e gjithashtu edhe këmbët, lëkurat, deri atëherë kur do t’i pamundësohet ndonjërit gënjeshtra apo ikja. Allahu i Lartësuar thotë:
“Në atë ditë kur dëshmojnë kundër tyre gjuhët e tyre, duart dhe këmbët e tyre për atë që ata kanë punuar. Atë ditë Allahu ua plotëson shpërblimin e merituar, e ata e dinë se Allahu është Ai i vërteti, i Qarti në drejtësi.” (Nurë, 24).
Ja kështu pra, plotësohet argumenti i Allahut ndaj botëve, e ai që ka qenë mirëbërës xheneti do të jetë vendi i tij, e ai që ka bërë mëkat ndaj Zotit të tij do të dënohet me zjarr, e sa përfundim i keq që është ai.
Marrë nga:
Libri “Islami i lehtësuar” - Ali Hasen Abdul Hamid