BALLINA arrow LAJME arrow PAVARĖSIA E KOSOVĖS DHE LIRITĖ FETARE
Fjala e Bukur - Shkėndija qė sfiket | e enjte , 20 nėntor 2008
Menyja Kryesore
BALLINA
LAJME
ISLAM
KUR'AN
SUNNET
FAMILJE
RINIA
SHKENCĖ
HUTBE
LIBRA
FETĖ
PĖR NE
SHKARKIME
WWW ADRESA
PYETJE E PĖRGJIGJE

KYĒUNI PĖR QASJE TĖ PLOTĖ!





Keni harruar fjalėkalimin
Nuk keni ende llogari? Bėje njė
PAVARĖSIA E KOSOVĖS DHE LIRITĖ FETARE Bėje PDF Shtyp E-mail
Shkruar nga Ekrem Avdiu   
e enjte , 28 qershor 2007
Problemi i identitetit fetar të muslimanëve të Kosovës, definimi i ekstremizmit fetar dhe kompleksi i fajësisë
Të nderuar të pranishëm, pjesëmarrës të kësaj tryeze!
Tema të cilën jemi mbledhur ta trajtojmë sot është komplekse dhe shumëdimensionale. Duke marrë parasysh prezencën tuaj dhe spektrin e panelistëve që do të ligjërojnë në këtë tryezë, unë e shoh të rëndësishme që të përqendrohem në disa pika që ma merr mendja se duhet të trajtohen nga këndvështrimi im si njohës i Islamit dhe njëkohësisht si pjesëtar i komunitetit musliman e më tepër si imam, detyrë të cilën e kryej me krenari në vendin ku jetoj. Në të vërtetë, koha e dedikuar për të folur në këtë takim në mënyrë shumë të natyrshme është e kufizuar dhe e shkurtër, andaj kjo, krahas kompleksitetit dhe rrethanave që dominojnë në botë, e bën trajtimin e këtij problemi të rëndësisë globale akoma më të vështirë.
Shenjtëria e citateve kur’anore dhe thënieve profetike ma imponon që trajtimin tim ta filloj duke vënë në pah se Islami, edhe përkundër prezantimit shpeshherë jokorrekt që i bëhet edhe prej pjesëtarëve të tij e edhe prej të tjerëve, është aq madhështor dhe i pastër sa që të gjitha akuzat dhe etiketimet që i bëhen janë të pavërteta. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij fisnik thotë: “...dhe ai (i Dërguari i Allahut) i urdhëron ata në punë të mira, i dekurajon nga të këqijat, ua lejon të bukurat dhe ua ndalon të shëmtuarat.” (A’rafë, 157). Ndërsa i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, sipas asaj që në mënyrë autentike shënon Buhariu nga transmetimi i Ebu Hurejres, ka thënë: “Feja Islame është lehtësi. Askush nuk tenton ta vështirësojë atë, e të mos dështojë.” Në të vërtetë, citatet që mund të shërbejnë si dëshmi në këtë kontekst janë të panumërta, por dy të përmendurat le të shërbejnë vetëm për ilustrim. Ndërsa ajo që duhet gjithsesi të kuptohet është se Islami është i lehtë, i natyrshëm, tolerant dhe doemos i përgjigjet natyrës dhe nevojave të njeriut, individ apo shoqëri. Këto fjalë ndoshta do të ishin të tepërta sikur të mos jetonim në një kohë ku për çdo të keqe që ndodhë në botë, qarqe të caktuara janë të gatshme që në një apo mënyrë tjetër të fajësojnë Islamin apo muslimanët. Mu për këtë, nevoja për trajtimin e mirëfilltë të temave të këtilla është shumë e theksuar.

Identiteti fetar i muslimanëve të Kosovës
Kjo problematikë gjithsesi është shumë komplekse dhe ka nevojë që të trajtohet shikuar nga këndvështrimi historik, kulturor, social, gjeopolitik, etj.. Ajo që kam për të thënë unë me këtë rast nuk ka të bëjë me aspektet e sipërpërmendura. Unë do të fokusohem te pyetja, athua a është dhe a mund të jetë përkatësia islame e shumicës së kosovarëve pengesë për pavarësinë e Kosovës? Ky fakt a mund të jetë barrierë edhe për integrimet e mëtejshme evropiane të kosovarëve?
Unë personalisht mendoj se një dilemë e tillë më shumë është pjellë e fantazive jo sa duhet të shëndosha të disa individëve (e që fatkeqësisht përbëjnë numër jo të vogël) se sa që është pyetje e shtruar mbi baza të ndonjë realiteti. Realiteti dëshmon se para se të ndodhë ajo që ka ndodhë (lufta e Kosovës, gjenocidi serb mbi popullatën kosovare, intervenimi i NATO-së dhe instalimi i administratës ndërkombëtare në Kosovë) ka qenë e gjithënjohur se populli i Kosovës me shumicë i takon fesë islame. Me këtë rast, asnjëherë nuk është vënë në dilemë se legjitimiteti i përkrahjes që SHBA-të dhe Evropa u kanë ofruar kosovarëve mund të vihet në pyetje për shkak se shumica e kosovarëve janë të fesë islame. Madje, prej argumenteve më të forta, me të cilat perëndimi argumenton se fushatat e udhëhequra nga SHBA-të në Irak dhe Afganistan, nuk janë luftë kundër Islamit (kryqëzatë, si quhet nga disa), është mu ndërhyrja e forcave perëndimore për mbrojtjen e një populli musliman (kosovarët) nga dhuna që kundër tyre ushtrohej prej një shteti të krishterë (Serbia). Në bazë të kësaj, nuk është e pavend të përfundoj se përkatësia islame e shumicës së kosovarëve nuk ka qenë problem në momentet shumë më vendimtare dhe të ndjeshme, në mënyrë që të jetë sot, kur, mendoj se procesi i pavarësimit të Kosovës nga Serbia ka marrë rrjedhën e vet dhe ka hyrë në fazën përfundimtare.
Jemi dëshmitarë të një propagande të paskrupullt dhe perfide, nëpërmjet të cilës qarqe armiqësisht të disponuara dhe të pozicionuara ndaj kosovarëve dhe Kosovës mundohen t’i tregojnë botës dhe ta alarmojnë atë se në mes të Evropës qenka duke u bërë një shtet islam. Makineria propagandistike serbe kur mbetet pa argumente, merr rolin e alarmuesit dhe mbrojtësit të Evropës së krishterë nga Islami. Ironinë e bën më të madhe fakti se kjo “brengosje” në realitet vjen prej atyre që, me politikën dhe aktivitetin e tyre, posaçërisht në pesëmbëdhjetë vitet e fundit kanë qenë turpi i Evropës së krishterë. Në të vërtetë, nëse kihet parasysh fakti se një propagandë e tillë është aq e pavlerë saqë nuk meriton të merremi me të, do të ishte e tepërt të thuhet se akoma askush nuk e ka vënë në dilemë laicizmin e shtetit të ardhshëm të Kosovës dhe ekziston konsensus lidhur me këtë në të gjitha qendrat e vendosjes. Mirëpo këtë fatkeqësi e bën më qesharake fakti se në të këtilla raste disa mendjelehtë (nga tanët) me nxitim të madh marrin pozicion defanziv dhe, për t’i treguar botës se ajo është vetëm një rrenë e rëndomtë e fabrikuar ne Serbi, fillojnë të distancohen nga çdo gjë që është islame, e që për mendimin tim është e tepërt, e pavend dhe larg çdo logjike.
S’do mend se për Evropën dhe Perëndimin çështja e identitetit fetar të kosovarëve është një gjë kaherë e përfunduar dhe të gjitha problemet e imagjinuara dhe të fantazuara në mendjet e disave janë humbje kohe, devijim nga synimi madhor dhe marrje me gjëra tanimë të përfunduara. Pra, të flasësh tash për identitetin fetar të kosovarëve është sikur ta zbulosh Amerikën për së dyti.

Kompleksi i pozitës inferiore dhe ndjenja e fajësisë
Ngjarjet që shënuan përfundimin e shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij të tanishmit ndikuan thelbësisht në ridefinimin e raporteve mes shteteve, shoqërive, civilizimeve dhe feve. Duke pasur parasysh se protagonistë kryesorë të ngjarjeve që tronditën botën (11 shtatori, Londra, Madridi, tash edhe incidenti i fundit në SHBA) ishin disa muslimanë, në mendjet e njerëzve (jo spontanisht, por falë propagandave të ndryshme) u vizatua dhe u ngulit profili i muslimanit të këtij shekulli, të cilit i përgjigjen etiketat më komprometuese dhe më nënçmuese, si: terrorizmi, ekstremizmi, e izmat e tjerë. Nuk kam për qëllim shfajësimin e keqbërësve, ngase komuniteti musliman gjithandej botës asnjëherë nuk ka ngurruar që t’i dënojë dhe të distancohet prej akteve të dhunës dhe formave tjera të pamatura dhe joislame të veprimit, por krahas gjykimit dhe dënimit të fajtorëve, duhet të veprojmë në shfajësimin e të pafajshmëve, gjë kjo që bota në këto vitet e fundit shumë pak e ka bërë. Pra, pasojë e euforisë në dënimin e krimeve dhe distancimin prej terroristëve, ekstremistëve dhe keqbërësve të të gjitha llojeve, ishte edhe lindja e qëndrimit me rezervë dhe dyshimeve se çdo musliman është terrorist dhe kriminel potencial. Në këtë rast në mënyrë shumë flagrante është shkelur vlera dhe parimi demokratik shumë gjatë i promovuar se njeriu është i pafajshëm derisa të mos vërtetohet fajësia e tij.
As muslimanët e Kosovës nuk mbetën jashtë kësaj loje me përmasa globale. Me apo pa qëllim, qarqe të ndryshme këtu te ne, u vunë në shërbim të elektrizimit të situatës, gjë që sikur të mos ishe maturia e skajshme e komunitetit musliman e përfaqësuar nga BI e Kosovës, OJQ-të islame dhe kolektivet tjera të jetës civile e fetare të muslimanëve, sigurisht se do të ishte e lehtë të inskenoheshin incidente me pasoja të padëshirueshme. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se te muslimanët nuk është krijuar, kultivuar dhe fuqishëm ushqyer kompleksi i vlerës së ultë, inferioritetit dhe ndjenjës së fajësisë. Pra, në kohën e sotme mjafton të jesh musliman, e rrethanat të ta imponojnë të ndihesh fajtor për mëkatin e dikujt, me të cilin nuk të lidh linja e përgjegjësisë. Është shumë e padrejtë dhe diskriminuese të akuzohesh për fajin e  tjetrit, të ndëshkohesh për veprën që nuk e ke bërë dhe të merresh në përgjegjësi për krimin, të cilit në asnjë mënyrë nuk i ke kontribuar.
Pasojat e një gjendje të tillë gati që nuk ka musliman që nuk i ka përjetuar, e edhe ne në Kosovë nuk kemi qenë të kursyer nga ajo eufori që kaploi botën e pas 11 shtatorit (të vitit 2001). Mirëpo, obligim i yni mbetet që këtë ndjenjë të inferioritetit ta luftojmë dhe flakim nga jeta jonë. Së paku duhet t’i shpallim luftë në mënyrë urgjente asaj pjese të kompleksit, të cilin vet e kemi krijuar në veten tonë. Nuk bën në asnjë mënyrë të lejojmë që komuniteti musliman këtu tek ne, të bëhet peng i veprimeve të pamatura, të dëmshme dhe kriminale të të tjerëve, individë qofshin ata apo grupe të organizuara. Përgjegjësia jonë përfundon aty ku përfundojnë kompetencat. Konkretisht, derisa nuk kemi pasur mundësi t’i parandalojmë ngjarjet që i kushtuan shumë njerëzimit në përgjithësi, e edhe muslimanëve në veçanti, atëherë përgjegjësia jonë përfundon te dënimi i akteve të dhunës dhe terrorit dhe angazhimi serioz që ato të mos reflektohen në asnjë mënyrë tek ne.
Është shumë i dhembshëm për ne rasti i incidentit të fundit që ndodhi në SHBA, posaçërisht për faktin se në atë veprim ishin përfshin edhe katër bashkëkombës tonë dhe një gjë të tillë e gjykojmë dhe dënojmë fuqimisht. Në të njëjtën kohë nuk ia japim e as pranojmë askujt të drejtën që me veprime të tilla, të njollosë identitetin, qëndrimet, besnikërinë dhe dashamirësinë tonë ndaj çdokujt që na ka bërë mirë. Veprimet e tilla, përveç tjerash i bëjnë dëm edhe Islamit, ngase pa kurrfarë të drejte e njollosin atë.
Nuk është e lehtë të lirohemi prej gjithë kësaj që është shkaktuar si pasojë e një propagande shumë të fuqishme disavjeçare, por ne muslimanët e Kosovës kemi vullnet, arsye dhe bagazh për të bërë një gjë të tillë.

Kush duhet t’i cilësojë tejkalimet?!
Është e domosdoshme që kur kemi të bëjmë me tejkalime dhe devijime të çfarëdo natyre qofshin ato, cilësimin dhe vlerësimin e atyre rasteve apo dukurive ta bëjnë ekspertët, ata që janë më përgjegjësit të bëjnë një gjë të tillë. Nëse një dukuri ka të bëjë me fenë, atëherë teologët janë ata që duhet të flasin dhe ta trajtojnë problemin në mënyrë adekuate. Te ne, fatkeqësisht, kur është folur për probleme të natyrave të këtilla, shumë pak ka pasur vend dhe hapësirë që njohësit e Islamit të japin mendimin dhe vlerësimin e tyre për problemet që janë të lidhura me Islamin, qofshin ato edhe të nivelit global. Sa për ilustrim, është shumë qesharake që njerëzit që as që dinë se si shqiptohet emri i një problemi, ta trajtojnë atë sikur të ishin njohësit më të mirë të asaj fushe. Mua me vjen të qesh kur dëgjoj njerëzit (në një fushatë donkishotiane kundër mullinjve të erës) që akoma nuk dinë mirë të shqiptojnë fjalën vehabi, flasin për “dukurinë e rrezikshme të vehabizmit” në Kosovë. Është shumë e tejdukshme se të këtillët nuk bëjnë më shumë se të përkthejnë dhe në mënyrë naive të përsërisin refrene të fabrikuara nga makineria historikisht e dëshmuar si dashakeqe. Shembulli arab thotë se fatkeqësia më e keqe është ajo që të bën të qeshësh.
Nga këto situata, sa të dhembshme aq edhe qesharake, do të dilnim sikur t’i jepej mundësia që secili të flasë dhe kontribuojë në segmentin që zotëron dhe për të cilin është i kualifikuar. Kemi nevojë për më shumë debate si ky, për më shumë diskutime, për më shumë hapësirë që problemet të trajtohen nga këndvështrime të ndryshme. Gjithashtu kemi nevojë edhe për më tepër liri fetare, për më tepër hapësirë në institucionet edukative dhe arsimore, medie, madje edhe në qarqet vendimmarrëse, ngase kjo është garanci që të mos ndodhin devijime, e nëse ndodhin, të mos marrin përmasa të gjera. Nëse të mirëve nuk u jepet hapësirë, të këqijtë nuk e kërkojnë, ata e rrëmbejnë dhe sa keq e me sa pasoja e bëjnë.
Ju faleminderit.

(Ky punim është letër pune në debatin me temën “Pavarësia e Kosovës dhe liritë fetare” mbajtur në Gjilan më 13.05.2007)

 
< Prapa   Para >

     
Advertisement

     10 Pyetjet e Fundit
 
  10 Shkarkimet e Fundit
 
     10 Dërgesat e Fundit n[ Fjala e Bukur - Grup
 

No Documents
Cache Directory Unwriteable

Materialet qė paraqiten nė kėtė uebsajt nuk do tė thotė se korrespondojnė gjithsesi me atė ēfarė Fjala e Bukur di pėr tė vėrtetė.
Materialet e kėtij uebsajti mund tė publikohen edhe nė uebsajte dhe mediume tjera me kusht qė tė tregohet burimi (www.fjalaebukur.com).
Copyright © 2004-2008 Fjala e Bukur. Tė gjitha tė drejtat e rezervuara.
Strehohet dhe mirėmbahet nga VIVA4 Solutions - Kliko Kėtu! Tash edhe nė shqip!