Qytetërimi islam dhe problemi racor
Në lidhje me pikëpamjen islame mbi etnitë, mund të thuhet me bindje të plotë se asnjë fe tjetër nuk mund t’i afrohet ndjenjës së vëllazërisë islame, pavarësisht nga origjina e pasuesve të saj. Muslimanit i mjafton shehadeti (dëshmia e fesë) që t’i shtyjë muslimanët e tjerë ta trajtojnë atë si të barabartë. Kjo ka qenë rrjedhojë e urdhrave kur’anore, sipas të cilave devotshmëria, në pajtim me rregullat e Kur’anit, është kriteri i vetëm për vlerësimin e njeriut.
Dallimet morale ndërmjet njerëzve janë vlerësuar vetëm në bazë të veprave të tyre, pavarësisht nga kulturat nga të cilat vinin këta njerëz. Prandaj duket kuptimplotë fakti që muezini i parë në Islam ka qenë një njeri i racës së zezë. Për më tepër, Islami ka bërë thirrje për lirimin e të gjithë robërve dhe ka treguar se të gjitha krijesat duhet të trajtohen me drejtësi dhe kujdes. Në Islam, për 14 shekuj asnjë person i vetëm nuk u mbulua me turp për shkak të ngjyrës së tij. Fëmija i një nëne të zezë dhe i një babai të bardhë ka gëzuar barazi të plotë dhe nuk është përjashtuar nga mundësia për të arritur postet e larta. Nga viti 946 deri më 968, Egjipti është udhëhequr nga Kafuri, një zezak i lindur në robëri. Qoftë në shekullin X, apo edhe sot, thotë Levi Provencal, në aristokracinë ose në klasat tregtare islame sheh njerëz me ngjyrë dhe kjo ka qenë gjithmonë veçori thelbësore e botëkuptimit islam. Është domethënëse që gjatë shekujve pranimi i Islamit, pagimi i zekatit, falja e namazit, kryerja e haxhit dhe zbatimi i rregullave të obliguara të muajit të Ramazanit është aplikuar plotësisht pa asnjë pengesë nga origjina ose gjendja financiare e muslimanit. Edhe Malcom X gjatë haxhit të tij e ka vënë re këtë veçori thelbësore dhe ka shkruar: “Kam ndier dashuri të sinqertë dhe vëllazërore për shumë muslimanë me ngjyrë të bardhë që kurrë nuk i kanë kushtuar vëmendje racës apo ngjyrës së muslimanit tjetër.”
Pjesëmarrje politike, ekonomike dhe kulturore për të gjithë
Edhe Scotti shkruan se si në periudhat më të hershme, kur tronditja e parë e pushtimit kishte kaluar, “terrori mbytës i frymëzuar nga prania e pushtuesve (muslimanë) ishte zbehur. Muslimanët dëshmuan se ishin diçka krejtësisht ndryshe nga demonët e mishëruar të imagjinatës së shfytyruar. U kuptua se ata ishin të butë, bujarë dhe humanë. Njerëzit nën sundimin islam, vazhdon Scott-i, mund të përfitonin nga qytetërimi islam i sjellë nga sunduesit e tyre. Me të vërtetë, gjatë gjithë administrimit islam, qoftë nën sundimin e arabëve a të turqve, të gjitha minoritetet përfituan nga liria dhe mundësitë e barabarta, të cilat nuk janë të atij niveli as në fuqitë e sotme perëndimore. Van Essi shkruan se në Botën Islame nuk kanë ekzistuar kurrë getot e imponuara. Anëtarët e një komuniteti fetar shpesh kanë jetuar në të njëjtën lagje për arsye të solidaritetit familjar, por jo se janë veçuar nga muslimanët me qëllim apo me ligj. Kordova ka pasur 800 shkolla publike të frekuentuara nga muslimanët, të krishterët dhe çifutët. Dyert e universitetit ishin të hapura për studentët e të gjitha kombësive dhe se arabët e Andaluzisë, shton Scotti, kanë marrë të njëjtat njohuri, në të njëjtën kohë dhe në kushte të njëjta si pelegrinët e dijes nga Azia e Vogël dhe Egjipti, nga Gjermania, Franca e Anglia. Edhe studiuesit i kishin dyert e hapura, qofshin ata kinezë, indianë, afrikanë, evropianë a çifutë. Disa nga shkencëtarët më të hershëm dhe më të famshëm në oborrin mbretëror të abasitëve, Isak bin Huneini dhe Hunein bin Isaku, ishin të krishterë nestorianë. Astronomi Thabit bin Kurrah ishte sabej. Ndërsa familja Bakhishtu, e cila ka mbajtur poste të rëndësishme në oborrin mbretëror në shekullin IX, ka qenë e krishterë. Të tillë kanë qenë edhe historiani e fizikani Ebul Faraxh, Ali bin Riduani, një egjiptian që ka qenë mjek i el-Hakimit; Ibën Xhazla nga Bagdadi dhe Isa bin Ali, një tjetër fizikan me famë, e kështu me radhë. Edhe faqet më të lavdishme të qytetërimit çifut janë shkruar nën sundimin islam. Kushdo që lexon me kujdes librin “Hyrje në Historinë e Shkencës” të Sartonit, do të befasohet nga emrat e dijetarëve çifutë që punuan për qytetërimin islam në të gjitha drejtimet. Disa nuk kanë qenë vetëm dijetarë, por kanë zënë edhe pozitat më të besueshme në pushtetin islam. Maimondesi (filozof) ka qenë mjeku i Salahudin el-Ejubit, ndërsa Hasdai bin Shapruti i pasuar nga djemtë e tij ka mbajtur disa nga postet më të larta në Spanjën islame. Pothuajse të gjithë ambasadorët e muslimanëve në fuqitë e krishtera kanë qenë çifutë dhe shumica e tregtisë së muslimanëve ka qenë në duart e çifutëve.
Edhe kur toka islame ishte kërcënuar nga kryqëzatat, e më vonë nga mongolët (gjysma e shekullit XIII), minoritetet, qofshin çifutë a të krishterë, mbijetuan deri në ditët e sotme me privilegjet dhe pasurinë e tyre të pacenuar. Ky fakt është sigurisht tepër larg imazhit stereotip të Islamit si fe e intolerancës. Muslimanët nuk kanë sulmuar fenë dhe traditën e të tjerëve. Dallimi në besim është një gjendje me të cilën muslimanët duhet dhe mund të jetojnë. Një qytetërim njerëzor për të gjitha krijesat
Ajetet 190-193 të sures Bekare tregojnë qartë pozicionin e Islamit në lidhje me përdorimin e forcës: Askush nuk duhet t’i tejkalojë kufijtë e pranueshëm, pasi Allahu nuk dëshiron asnjë formë agresioni, material apo verbal. Rrëfimet mbi piratët turq e algjerianë që terrorizonin detet e largëta dhe bregdetet evropiane ishin një manovrim politik i përdorur për të justifikuar pushtimin e Algjerisë nga Franca në vitin 1830. Earle dhe Bono, e mbi të gjithë Fisheri, e kanë demaskuar këtë legjendë. Me të vërtetë, piratëria praktikohej kryesisht nga evropianët dhe në Algjerinë e shekullit XVIII nuk ka ekzistuar asnjë pirat, siç kanë vërtetuar Valensi dhe Braudeli. Sa i përket mijëra robërve të ngulur në hunj jashtë dyerve të Algjerit, apo të çfarëdo vendi tjetër ku sundonin turqit, kjo nuk është e vërtetë. Dëshmitë e irlandezit Simon, pelegrin i shekullit XIV, tregojnë se rrëfimet për robërit e krishterë të lidhur si shtazë nuk duhen besuar. Islami, i supozuar përgjithësisht si burim mizorie, shfaq tërësisht të kundërtën. Thevenot shkruan se një nga mësimet e Islamit (zekati) praktikohet shumë nga turqit, sepse ata janë mirëbërës dhe plotësisht të gatshëm për të ndihmuar të varfrit, qofshin këta turq, të krishterë apo çifutë. Disa turq ua shpërndajnë pasurinë e tyre të varfërve ende pa vdekur, disa të tjerë lënë pas vdekjes shuma të mëdha për të ndërtuar spitale, ura, hotele dhe ujësjellës. Ata që nuk kanë mundësi financiare e kalojnë kohën duke riparuar rrugë dhe duke mbushur cisterna. Turnefort konfirmon se asnjë popull nuk shpenzon aq shumë si turqit për fondacionet. Bujaria, një formë bamirësie e urdhëruar edhe nga Pejgamberi alejhi selam, është shtirë nga muslimanët edhe te kafshët. Besimi islami si burim i humanizmit
Nga sa u pa më sipër, mund të thuhet se shoqëria islame është larg imazhit të errët që i është atribuuar për një kohë të gjatë. Muslimanët sigurisht se nuk janë supernjerëz. Disa muslimanë bëjnë veprime të tmerrshme kundër të tjerëve, kundër muslimanëve e madje edhe kundër vetvetes. Mirësia e muslimanëve si qenie nuk lidhet me faktin se muslimanët si individë janë më të mirë se të tjerët. Ata janë të mirë dhe të këqinj si gjithë të tjerët. Dallimi është te besimi i tyre, te ligjet dhe rregullat e tij si dhe te ndryshimet që sjell ky besim tek individët dhe shoqëritë, posaçërisht kur kjo fe dhe sheriati i saj, koncept shpesh i demonizuar, funksionon. Është me të vërtetë sheriati ai që këmbëngul për mbrojtjen e të tjerëve, përfshirë të krishterët, çifutët etj., që jetojnë nën qeverisjen islame. Është feja islame ajo që i ndryshon njerëzit për të mirë, siç tregojnë shembujt. Kur mbreti i Abisinisë i ka pyetur muslimanët muhaxhirë rreth fesë së re, Xhaferi, i afërmi i Pejgamberit alejhi selam, iu përgjigj: “Të udhëhequr nga pasionet tona, ne kemi njohur vetëm ligjin e më të fortit, derisa Zoti zgjodhi një njeri nga raca jonë, të famshëm për nga origjina dhe shumë të respektuar për virtytet e tij. Ky Pejgamber na ka mësuar të deklarojmë njëshmërinë e Zotit, të refuzojmë besëtytnitë e baballarëve tonë e të përbuzim zotat e gurit dhe të drurit. Ai na urdhëroi të themi të vërtetën, të jemi besnik ndaj amanetit, ta duam farefisin dhe të mbrojmë musafirët, të largohemi nga prostitucioni, të jemi të sjellshëm e bujarë ndaj prindërve dhe fqinjëve. Ai na ka ndaluar marrjen e nderit të grave dhe vjedhjen e pasurisë së jetimëve si dhe na ka urdhëruar të falim namaz, të japim lëmoshë dhe të agjërojmë. Ne e kemi besuar misionin e tij dhe kemi respektuar ligjet dhe moralin që i janë zbritur nga Zoti.”
Ndërsa Smithi shton: “Këto janë të njëjtat ndryshime që Islami u ka sjellë edhe të tjerëve. Në kontaktin me Islamin, çdo popull ka lulëzuar, siç pohon edhe Fosteri, i cili ngre lart ndikimin e Islamit mbi moralin e shëndoshë te zezakët e konvertuar në Islam.”
Në përfundim
Nëse ata që sot i prijnë sulmit kundër Islamit mendojnë se çdo gjë do të jetë më mirë pa “errësirën e Islamit”, siç pretendojnë, le të jenë të bindur se pa Islamin do të mbizotërojnë përbindëshat. - Fund -
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|