BALLINA arrow LIBRA arrow BIRI IM, TASHMĖ JE I RRITUR!
Fjala e Bukur - Shkėndija qė sfiket | e enjte , 04 dhjetor 2008
Menyja Kryesore
BALLINA
LAJME
ISLAM
KUR'AN
SUNNET
FAMILJE
RINIA
SHKENCĖ
HUTBE
LIBRA
FETĖ
PĖR NE
SHKARKIME
WWW ADRESA
PYETJE E PĖRGJIGJE

KYĒUNI PĖR QASJE TĖ PLOTĖ!





Keni harruar fjalėkalimin
Nuk keni ende llogari? Bėje njė
BIRI IM, TASHMĖ JE I RRITUR! Bėje PDF Shtyp E-mail
Shkruar nga Muhammed Duvejsh (Nga anglishtja: Driton Maxhuni)   
e hėnė , 12 mars 2007
HYRJA
Vërtet të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut. Ne e falënderojmë Atë dhe vetëm prej Tij ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje prej Allahut nga të këqijat e shpirtit dhe veprave tona. Cilin e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe cilin e humbë s’ka kush e udhëzon. Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Allahut.
Dikur të gjithë ishim fëmijë dhe shpesh bënim pyetje të tilla si:
“Kur do të rritemi?”
“Cili është dallimi në mes të fëmijërisë dhe burrërisë?”
“Deri kur mund të konsiderohet dikush fëmijë dhe kur e quajmë atë të rritur?”
Puberteti shënon fazën e obligimeve fetare, dhe është fundi i fëmijërisë e fillimi i burrërisë. Kur njeriu arrin pubertetin, ai i lë lamtumirën fëmijërisë dhe çështjeve që lidhen me të. Faza e pubertetit karakterizohet me ndryshime të nduarnduarta fizike, mendore dhe psikike. Këto ndryshime nuk ndodhin gjithmonë në të njëjtën kohë. Kjo fazë karakterizohet me rritjen e dalluar të trupit, ndryshimin e zërit dhe me shenja tjera fizike. Të gjitha këto ndodhin me një qëllim që vetëm Allahu e di. Kjo periudhë gjithashtu është dëshmitare e ndryshimeve tjera në të menduar dhe emocione. Të gjitha këto ndryshime e përgatisin njeriun që të hyjë në një fazë të re dhe të fillojë një lloj tjetër të jetës.  Kjo është kështu, sepse Allahu i ka krijuar njerëzit për ta adhuruar Atë.
Në këtë fazë djemtë dhe vajzat përballen me një botë të re dhe atyre zakonisht u vërtiten shumë pyetje në kokë. Megjithatë, përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk është lehtë të gjenden, sepse librat e specializuara që trajtojnë tema të tilla të ndjeshme si puberteti nga pikëpamja fetare, janë të rralla. Për më tepër, kur te fëmija mbizotëron turpi ai shpesh bëhet pengesë për të parashtruar pyetje të kësaj natyre të ndjeshme.
Për këtë arsye, e kam shkruar këtë libër duke shpresuar që t’i njoftojmë të rinjtë me këtë fazë të pubertetit. Është paraqitur në formën e dialogut në mes të babait dhe të birit, për të theksuar rolin e rëndësishëm që prindërit e luajnë në edukimin e fëmijëve, sidomos në këtë fazë kalimtare.
Shkrimtari mund të ketë vështirësi kur t'ia drejtojë punimet e tij një gjenerate më të re se mosha e vet. Ai ndoshta nuk mund t’i zgjedhë fjalët e përshtatshme për këtë pjesë të lexuesve, ai ndoshta e mbithekson një çështje, e cila tashmë është sqaruar për ata, ose ai mund ta thjeshtojë një çështje, e cila kërkon analizë më të thellë.
Sidoqoftë, unë kam bërë atë që është e mundur, duke përfituar nga përvoja ime si i rritur dhe nga karriera ime si mësues. Tashmë i kam lexuar shumë libra dhe artikuj në temën që diskutohet dhe shpresoj që këto burime të ndryshme të më kenë ndihmuar për t’i tejkaluar shumë vështirësi të përmendura më lartë. Allahu është Ai që sjellë suksese në të gjitha çështjet. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij.
Muhammed Abdullah Duvejsh


MOSHA E OBLIGIMEVE FETARE

I biri: Baba, dua të bisedoj me ju për çështjen e obligimeve fetare dhe pubertetit. Mendoj se është shumë e rëndësishme të sqarojmë me saktësi fillimin e një faze të tillë që shënon se dikush ka hyrë në moshën madhore dhe se bartë përgjegjësi ligjore në Islam.

Babai: Po, kjo është çështje me rëndësi për diskutim në këtë periudhë. Mendoj se duhet sqaruar saktësisht fillimin e fazës që shënon arritjen e pjekurisë dhe përgjegjësisë ligjore në Islam, nga ana e njeriut.
Ne duhet të specifikojmë moshën e obligimeve fetare dhe të pubertetit, para se të flasim për ndonjë çështje tjetër. Meqenëse puberteti paraqet obligim dhe përgjegjësi fetare në Islam, Sheriati Islam përmend disa indikacione të qarta që shënojnë fillimin e kësaj periudhe, me qëllim që të mos ngatërrohemi me faza tjera që vijnë pastaj.
Disa nga këto shenja janë të përbashkëta për të dy gjinitë, derisa disa të tjera janë të veçanta për secilën gjini. Njëra nga shenjat e rëndomta është dalja e qimeve rreth organeve gjenitale. Djemtë karakterizohen me ejakulimin e spermës, ndërsa vajzat karakterizohen me menstruacione, zakonisht të njohura si “periudha e saj”.
Pasi që të gjitha këto indikacione janë shumë të qarta, djemtë dhe vajzat nuk duhet të presin që të paraqiten shenja tjera nëse e vërejnë ose ndiejnë njërën prej tyre.

I biri: Baba, a mund të m’i kujtosh disa rregulla që kanë të bëjnë me ekskretimin e spermës?

Babai: Kjo pyetje është e rëndësishme, biri im. Shumë të rinj kur e arrijnë pubertetin befasohen me rastin e ejakulimit të spermës, rregullat dhe hollësitë e të cilit nuk i kanë të njohura. Nganjëherë ata ndihen të turpëruar që të pyesin për këto gjëra, dhe kjo mund  t’i shpie në bërjen e gabimeve ligjore, gabime që nuk arsyetohen. Në vend të kësaj ata duhet të gjejnë një mësues ose një person të ditur për ta pyetur.
Duhet ta dish, biri im, se ajo që ejakulohet për shkak të dëshirës seksuale është dy llojesh:
-Medhij: Është substancë e dukshme, e cila prodhohet nga përkëdhelja dhe dëshira seksuale. Kjo substancë nuk është e pastër. Njeriu duhet t'i pastrojë organet gjenitale dhe të marrë abdes, por nuk ka nevojë të bëjë dush.
-Menij:  Është substancë e trashë dhe e bardhë, e cila ejakulohet pas një orgazme. Edhe kjo po ashtu është e papastër, por në këtë rast është e obligueshme të bëjmë dush që ta heqim papastërtinë. Mirëpo, nëse sperma derdhet me qëllim, kur muslimani është agjërueshëm, agjërimi i tij prishet. Ndërsa, nëse kjo ndodh pa qëllim ose duke fjetur agjërimi i tij është i vlefshëm.

I biri: Baba, disa studentë të rinj bëhen të papastër kur janë në shkollë, mirëpo ata megjithatë falin namazin e ikindisë pa u pastruar.

Babai: Biri im! Muslimani nuk lejohet të falet derisa ai është i papastër, sepse kjo është e rëndë dhe e rrezikshme. Turpërimi nuk duhet të bëhet pengesë për të kërkuar leje që të shkojë në shtëpi. Ai mund ta vonojë pak namazin brenda kohës së tij, derisa të kthehet në shtëpi dhe gjithsesi të bëjë dush dhe të falë namazin e shtyrë.

I biri: Tani i kuptova shenjat që tregojnë fillimin e obligimeve fetare, por çfarë janë obligimet fetare, baba?

Babai: Para se të arrihet mosha e pubertetit, njeriu sipas ligjit, nuk i kërkohet përgjegjësi për çfarëdo që ai bën. Menjëherë, posa ta arrijë moshën e obligimeve fetare, ai është përgjegjës për detyrat e tij fetare, si për shembull aktet e adhurimit. Ai duhet të kujdeset për higjienën personale, pra t’i pastrojë organet pasi të urinojë ose pas jashtëqitjes etj..
Ai gjithashtu duhet të largojë papastërtinë me rastin e derdhjes së spermës gjatë ëndrrave erotike ose marrëdhënieve seksuale. Ai duhet të kryejë faljen rregullisht dhe me kujdes. Duhet të agjërojë gjatë muajit të Ramazanit. Ai duhet të kryejë haxhin kur të ketë mundësi, të luftojë në rrugë të Allahut, të urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja.
Ai është përgjegjës për mëkatet dhe veprimet e gabuara të tij si rrena, përgojimi, shpifja, moskujdesi ndaj prindërve, shikimi i grave tjera përveç nënës, motrës, gruas dhe tezes së tij etj.. Kurdoherë që ai kryen një veprim të paligjshëm, ajo është në regjistrin e tij të punëve të këqija dhe mund të ndëshkohet për të në Ditën e Gjykimit nëse nuk pendohet.

I biri: Unë tani po e kuptoj këtë shumë mirë, por nëse një i ri rritet nga një baba jofetar, i cili nuk iu bindet urdhrave të Allahut, a mund të jetë kjo arsyetim për të?

Babai: Jo, biri im. Kjo nuk mund të jetë arsyetim për të, pasi që ai është bërë përgjegjës për veprat e tij. As babai i tij, e as dikush tjetër nuk do të bartë përgjegjësinë për mëkatet e tij. Nëse babai i tij e urdhëron që të bëjë vepra të këqija ose e ndalon nga veprat e mira, atij i lejohet që të mos e dëgjojë. Nëse i pason udhëzimet e tij, ai do të bartë mëkatin e vet dhe babai i tij nuk do të bartë asgjë për të.
Mirëpo, babai i tij mund të ndëshkohet për nxitjen e tij në këto mëkate, sepse Pejgamberi alejhi selam transmetohet të ketë thënë: “Kushdo që thërret njerëzit në mëkate do ta ketë ndëshkimin e njëjtë si ata që pasojnë thirrjen e tij, pa iu pakësuar ndëshkimi i mëkatarit.” (Shënon Muslimi).

I biri: A do të thotë kjo që një i ri, prindërit e të cilit nuk e zgjojnë atë për të falur namazin e sabahut, nuk arsyetohet tek Allahu?

Babai: Natyrisht, biri im, ai duhet të bartë përgjegjësinë vetë. Ai duhet të kërkojë nga prindërit e tij ose dikush tjetër që ta zgjojnë. Nëse nuk mund të gjejë dikën që ta zgjojë, ai duhet ta vëjë zilen e orës, ose të kërkojë nga shokët që t’i bëjnë thirrje në kohën e namazit.

I biri: Disa të rinj thonë se njeriu nuk është përgjegjës për veprat e tij nëse është në gjumë, a është kjo e saktë?

Babai: Kjo është e vërtetë për atë që ka bërë të gjitha përgatitjet dhe përpjekjet për t’u zgjuar në kohën e faljes, për shembull të fjeturit herët ose kërkimi nga dikush që ta zgjojë, ose kurdisja e orës. Në këtë rast nëse nuk i del gjumi, ai do të arsyetohet. Por, kjo vërtet ndodh në raste të rralla.
Megjithatë, nëse ai ose ajo e zhvillon një shprehi të tillë dhe numri i ditëve kur ai nuk zgjohet me kohë ia kalon numrit të ditëve kur ai zgjohet për namaz, është dëshmi për pakujdesinë dhe indiferencën e tij.

I biri: E kuptova atë që thatë, por disa të rinj akoma thonë se janë tepër të rinj që t’i kryejnë obligimet fetare. Çfarë thua për këtë?

Babai: Ata shumë mirë e dinë që Allahu i ka krijuar ata dhe se Ai i di obligimet që i kanë ata ndaj Tij. Allahu thotë në Kur’anin Fisnik: “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë.” (Mulk, 14).
Dhe është Ai që ka zgjedhur këtë fazë për të qenë fillimi i kohës së përgjegjësive të njeriut. Kjo do të thotë se ata mund të kryejnë detyrat obligative. Po ashtu do të thotë se ata janë të aftë të largohen nga çdo gjë që Allahu ka e ndaluar.


OBLIGIMET FETARE DHE RREGULLAT LIGJORE

I biri: A ka rregulla tjera të caktuara nga Ligji Islam për njeriun kur të arrijë moshën, në të cilën ai konsiderohet i rritur, përveç atyre që i përmendëm?

Babai: Po. Kur një i ri arrin moshën e obligimeve fetare, ai është përgjegjës për rregullat që vlejnë edhe për shokët e tij, duke mos përjashtuar asgjë. Ja disa nga rregullat që kanë të bëjnë me këtë pikë:
Nëse është i rritur dhe ka mbetur pa prind atij i jepet pasuria e tij dhe kështu termi “jetim” nuk aplikohet më për të. Nëse një fëmijë trashëgon një shumë parash, atij nuk do t’i jepen parat derisa të arrijë moshën e pjekurisë. Ato mund t’i jepen vetëm atëherë kur të provohet se është mjaft i aftë për t’i menaxhuar ato. Allahu në Kur’anin Fisnik thotë: “Provoni bonjakët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni te ta pjekuri, atëherë dorëzoju atyre pasurinë e tyre.” (Nisaë, 6).
Ndryshe nga ai që nuk ka arritur pubertetin, nëse një musliman i rritur kryen një mëkat të madh si vjedhja, vrasja, prostitucioni, etj., ai dënohet me ndëshkimin e merituar. Dëshmia e tij në gjykatë është valide dhe kështu vendimet ligjore mund të bazohen në të. Nëse dëshmon se e ka parë hënën që shënon fillimin e Ramazanit, muajin e agjërimit, dëshmia e tij merret parasysh dhe muslimanët duhet të fillojnë agjërimin.

I biri: Si vepronte Pejgamberi alejhi selam me të rinjtë që sapo arrinin pubertetin?

Babai: Kjo pyetje është me vend. Pejgamberi alejhi selam i trajtonte këta të rinj si anëtarë të pjekur të shoqërisë islame. Sa i përket luftës, në të cilën ka vrasje dhe gjakderdhje dhe e cila nuk mund të përballohet përveç se nga burrat e fortë, e kishte zakon t’i lejonte në luftë ata luftëtarë të rinj te të cilët vërente shenja të burrërisë. Pejgamberi alejhi selam inspektonte ushtrinë dhe përjashtonte çdo të ri që nuk kishte arritur moshën e pubertetit.
Puberteti ishte kriter për maturi. Ibën Umeri thotë: “Pejgamberi alejhi selam më pa në betejën e Uhudit kur unë isha 14 vjeçar dhe më largoi. Por, kur më pa në betejën e Hendekut kur unë isha 15 vjeçar më lejoi që t’i bashkohem ushtrisë."
Imam Shafiu thotë: "Pejgamberi nuk i lejoi 17 të rinj të moshës 14 vjeçare të marrin pjesë në luftë derisa ata i mbushën 15 vjet”.

I biri: A ka mosha e pjekurisë ndonjë efekt në çështjen tonë me jobesimtarët? Dua të them, a ekziston ndonjë dallim ndërmjet të rriturve jobesimtarë dhe të atyre që nuk kanë arritur pubertetin?

Babai: Po. Nëse muslimanët shpartallojnë një grup të jobesimtarëve dhe zënë ndonjë rob, ai do të trajtohet si burrë, nëse tashmë ka arritur pubertetin (p.sh. është e lejuar të mbytet, të mbahet si rob ose të lirohet). Por, nuk lejohet të mbytet dikush që nuk e ka arritur pubertetin.

I biri: Por, çfarë fati i pret jobesimtarët që nuk e kanë arritur pubertetin nëse mbyten në betejë?

Babai: Fati i tyre është i njëjtë me atë të jobesimtarëve të rritur; ata të gjithë e meritojnë zjarrin. Kjo ishte ajo që Pejgamberi ynë veproi me fisin Beni Kurejdha (fis çifut). Kur ata iu nënshtruan gjykimit të Pejgamberit alejhi selam pas betejës, ai e pyeti njërin prej shokëve të tij, Sa’d bin Muadhin, që të gjykojë në çështjen e tyre sipas Ligjit Islam. Të gjithë ata që morën pjesë në betejë do të dënoheshin me vdekje. Pejgamberi e vlerësoi këtë vendimin duke thënë: “Është në pajtim me atë që ka urdhëruar Allahu”.
Kështu, këta njerëz jetonin me prindërit e tyre çifutë dhe ishin rritur me ta, por nuk u arsyetuan nga Allahu. Për shkak se morën pjesë në luftë, ata ishin përgjegjës për atë që vepruan.

I biri: A ka ndonjë gjë tjetër që aplikohet për të rriturit, por nuk vlen për ata që s’kanë arritur moshën e pjekurisë?

Babai: Po. Kur muslimanët luftojnë ithtarët e librit (të krishterët dhe çifutët), ata u japin atyre lirinë duke u bërë muslimanë ose duke mbajtur fenë e tyre me kusht që ta paguajnë xhizjen (tatimin për siguri në shtetin islam). Allahu në Kur’an thotë: "Luftoni ata që nuk besojnë Allahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar (haram) atë që e ndaloi Allahu dhe i Dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen në dorë e duke qenë të mposhtur.” (Tevbe, 29).
Xhizja merret vetëm nga jobesimtarët e rritur. Sa’d bin Muadhi transmeton se Pejgamberi alejhi selam e dërgoi atë në Jemen dhe e urdhëroi të marr nga çdo jobesimtar një dinar ose vlerën e saj në rroba, ose në shtazë.


SHQYRTOJE JETËN TËNDE

I biri: Çfarë është këshilla e parë që dëshiron t’i japësh personit, i cili vetëm sa e ka arritur pubertetin?

Babai: Ti duhet ta krahasosh jetën tënde, të tashmen me të kaluarën. Shumë nga ajo që ishte e pranueshme, tani nuk është. Fillo që ta adhurosh Allahun. Vepra themelore e adhurimit është namazi, siç ka thënë Pejgamberi alejhi selam: “Gjëja e parë, për të cilën robi do të pyetet në Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse namazi i tij është mirë ai do të jetë fitues i shpërblimit të Allahut. Nëse ka mangësi në namazin e tij ai do të jetë humbës. Nëse mangësitë gjenden në namazet e tij obligative Allahu do të thotë:  Shikoni nëse robi im ka kryer namaz vullnetar që mund t’i plotësojnë mangësitë e tij në namazin obligativ.” (Shënon Buhariu).
Nëse kërkoj nga ti që t’i kushtosh vëmendje të madhe namazit obligativ nuk do të thotë se po të akuzoj për lënien e namazit në tërësi. Por, unë jam i përqendruar për mënyrën se si e kryen namazin. A e kryen atë me përulje të duhur ndaj Allahut? A e kryen me qetësi? Ai i zbaton të gjitha karakteristikat morale të faljes?
Pastaj shiko marrëdhëniet tua me prindërit, sa kujdesesh për ta? Allahu i ka shoqëruar të drejtat e tyre me të drejtat e Tij. Ndërsa, Pejgamberi alejhi selam e konsideroi mosmirënjohjen ndaj prindërve të barabartë me mëkatet tjera të mëdha. Enesi transmeton se kur Pejgamberi alejhi selam ishte pyetur për mëkatet e mëdha, ai ishte përgjigjur: “Të shoqëruarit shok Allahut, mosmirënjohja ndaj prindërve, mbytja e njerëzve të pafajshëm dhe dëshmia e rrejshme.”
Ruaje gjuhën, ule shikimin dhe ke kujdes për shqisat tjera. Pastaj zgjidhi shokët me kujdes. Ajo që po përpiqem të të them është se ti i dhe lamtumirën asaj faze të jetës dhe je bërë burrë në kuptimin e plotë të fjalës. Ambicia dhe dëshira jote nuk duhet të kufizohet në këtë botë, por ajo duhet të orientohet drejt botës tjetër. Kështu që ti duhet të ulesh dhe të mendosh shumë për vetveten. Mund të përmirësohesh aty ku ke gabuar dhe ta lësh atë punë, e cila nuk e kënaqë Zotin tënd.

I biri: Por, disa të rinj thonë: “Kënaquni sa jeni të rinj, pasi që kur të plakeni do të keni mjaft kohë të kompensoni atë që keni lëshuar.” Çfarë mendon ju?

Babai: Kjo logjikë është e gabuar dhe larg të vërtetës për arsyet vijuese:
- Kënaqësia e vërtetë manifestohet në adhurimin e Allahut dhe në kryerjen e urdhrave të Tij. Fatkeqësisht, ata që largohen nga Zoti i tyre nuk e kuptojnë këtë fakt.
- Rinia është një fazë, e cila duhet të shfrytëzohet në kryerjen e veprave të mira. Pejgamberi alejhi selam na tregoi se në Ditën e Gjykimit, kur gjendja bëhet tmerruese dhe frikësuese dhe kur dielli përvëlues rrezon mbi masat e njerëzve, Allahu favorizon një grup adhuruesish, duke i vendosur ata nën Hijen e Tij.  Ky grup përfshin edhe atë, i cili ka kaluar rininë në adhurim dhe bindje ndaj Allahut. Si rrjedhim, është e pamundur të krahasohen kënaqësitë kalimtare të kësaj bote me kënaqësitë dhe gëzimin e përhershëm të botës tjetër.
Çdonjëri do të pyetet për gjëra të caktuara në Ditën e Gjykimit. Një nga këto pyetje është se ku e ka kaluar rininë? Si mendoni se do të përgjigjen njerëzit e shkujdesur? Rinia është periudha e energjisë, aktivitetit dhe vitalitetit. Si ta kalojë njeriu këtë periudhë, ai fillon të prishet dhe të bëhet i dobët dhe më i dobët. Allahu në Kur’anin fisnik thotë: "Allahu është Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri. Ai krijon çka të dojë, Ai është më i dijshmi, më i fuqishmi.” (Rrumë, 54).
A do të thoshte një person i mençur: Unë do ta vonoj bindjen dhe adhurimin e Zotit tim deri sa të plakem?
Tash, më lejo të të pyes: Kush mund t’ju garantojë se ai do të jetojë derisa të plaket. Njeriu mund të vdes derisa ai është akoma i ri. Megjithatë, nëse ai do të garantohej se do të jetonte një jetë të gjatë, a do të mund të garantohet se do të mund të pendohet në pleqëri?


MBARIMI I JETËS NË LULE TË RINISË

I biri: Po baba, këtë e harrojnë shumë të rinj. A mund të m’i jepni disa shembuj të njerëzve, të cilët vdiqën të ri?

Babai: Po, biri im. Umer bin Vekasi ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçar kur ra dëshmor në betejën e Bedrit, bashkë me një numër të martirëve tjerë të rinj, duke përfshirë edhe Harith bin en-Nu’mani dhe Muadh bin el-Harith.
Sa i përket shembujve të kohës sonë, unë i di vetëm disa. Tre nxënës të drejtimeve të ndryshme – Allahu i mëshiroftë shpirtrat e tyre – vdiqën pothuajse në moshën të njëjtë.
Njëri nga ata më pyeti një javë para se të vdiste: "Nëse dikush vdes dhe varrimi i tij vonohet, a do të merret në pyetje për Zotin e tij, fenë e tij dhe pejgamberin e tij?" Unë i thash atij: "O biri im, ajo që duhet t'ju preokupojë është fakti se ju sigurisht do të merreni në pyetje pas vdekjes, pa marrë parasysh si dhe kur, dhe është e rëndësishme të përgatitemi për atë." As ai, e as unë nuk kishim menduar që vetëm brenda disa ditëve ai do të jetë në një situatë të tillë.
Djaloshi tjetër ishte një i ri inteligjent dhe plot energji. Të gjithë njerëzit kishin shpresa të mëdha për të ardhmen e tij. Ai e kreu provimin e fundit në shkollën e mesme dhe vdiq para se t'i merr rezultatet.
Djaloshi i tretë vetëm sa kishte përfunduar shkallën e tretë në fakultet dhe po kërkonte punë me qëllim që të fillonte karrierën dhe të martohej. Ai po kthehej nga Meka pasi e kreu Umren dhe bëri aksident disa kilometra larg vendlindjes së vet.
Unë i njihja dy të rinj tjerë të devotshëm. Njëri nga ata kishte filluar fakultetin qe një javë, ndërsa tjetri ishte gati ta mbaronte shkallën e tretë – master. Ata të dy vdiqën derisa po ktheheshin nga qyteti i shenjtë i Mekës. Pamjet e këtyre dy të rinjve akoma janë të freskëta në mendjen time. Allahu i mëshiroftë ata!
Ata ndoshta kanë planifikuar shumë për të ardhmen, dhe prindërit e tyre kanë pritë shumë prej tyre në këtë jetë. Megjithatë, ata shkuan përgjithmonë.

I biri: A ka ndodhur  t'i jetë shmangur dikush vdekjes?

Babai: Na mjafton ta dëgjojmë këtë shembull. Një i ri që i përkiste një familje të mirë, mori rrugën e gabuar të drogës. Gjendja e tij u keqësua derisa një ditë ai ra i vdekur pas një doze të tepërt të drogës. Ai akoma nuk i kishte njëzet vjet kur vdiq. Allahu e faltë! Për më tepër, shumë të rinj vdesin në lule të rinisë nga aksidentet në rrugë dhe në mënyra tjera.


VËLLAZËRIA DHE MIQËSIA

I biri: Baba, ju më thatë që të shqyrtoja shoqërinë time, a do të thotë kjo se unë duhet të jetoj në vetmi dhe izolim dhe të mos bëhem shok me askënd?

Babai: Jo, asnjëherë. Unë nuk po kërkoj që ju të bëni kështu, por po kërkoj që ju të shoqëroheni me shokë të mirë dhe të drejtë. Ju do të gjeni tek ata, atë që kërkoni te njerëzit e tjerë. Ju do të gjeni kënaqësi, rehati dhe largim të brengave. Përveç kësaj, do të ketë shpërblime të mëdha në botën tjetër për ata që shoqërohen me të devotshmit dhe të drejtit.

I biri: A mund t'i përmendim disa nga ato shpërblime?

Babai: Po, disa nga ato janë:
1 – Besimtari, siç theksohet nga Pejgamberi alejhi selam, do të jetë në Ditën e Gjykimit me ata të cilët i do. Nëse i do njerëzit e devotshëm, ai do t'i takojë ata në xhenet, banimi i tyre i përhershëm.
2 – Transmetohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë se shembulli i shoqëruesit të mirë është si shembulli i bartësit të miskut, nëse nuk arrin të marrësh prej tij, atëherë bile arrin era e tij. Shembulli i shoqëruesit të keq është si shembulli i farkëtarit, nëse nuk ndotesh me katranin e tij, do të arrijë tymi. (Shënon Ebu Davudi).
3 – Allahu në Ditën e Gjykimit, i mëshiron ata që duhen për hir të Tij duke i vendosur nën hijen e Tij, kur dielli përvëlues rrezon në masat e njerëzve, duke ua mbuluar kokat e tyre me djersë. I Dërguari alejhi selam transmetohet të ketë thënë: "Shtatë persona (lloje njerëzish) Allahu do t'i vendos nën hijen Tij atë Ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij. Ata janë: udhëheqësi i drejtë; një i ri i cili është rritur në adhurim dhe respekt të Allahut të Madhëruar; një njeri, zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë; dy njerëz të cilët në emër të Allahut duhen, janë shoqëruar dhe të tillë mbeten deri në vdekje; një njeri të cilin e ka thirrur një grua autoritative dhe e bukur, kurse ai e refuzon duke i thënë se i frikësohet Allahut; njeriu i cili ndan lëmoshë fshehurazi; dhe njeriu që në vetmi e përmend Allahun dhe i mbushen sytë me lot." (Shënon Buhariu).
4 – Gjithashtu, ata të cilët e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut të Madhërishëm do të kenë pozita të larta në xhenet, sa që do t'ua kenë lakmi pejgamberët dhe dëshmorët.
5 – Lidhja në mes të atyre, të cilët e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut, do të mbetet e pandryshueshme edhe në Ditën e Gjykimit, dita kur njeriu do të ik nga babai, nëna dhe fëmijët. Allahu thotë në Kur’an: "Shokët atë ditë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve...!"
6 – Allahu, biri im, i do ata të cilët e duan njëri-tjetrin për hir të Tij. Transmetohet në traditën e muslimanëve të parë se Ebu Idris el-Hulani erdhi te Muadhi dhe i tha: "O Muadh! Unë të dua për hir të Allahut." Muadhi u përgjigj: "Në këtë ka lajme të mira, sepse e kam dëgjuar Pejgamberin alejhi selam duke thënë: "Allahu i Lartësuar ka thënë: Dashurinë time e kanë merituar ata, të cilët e duan njëri-tjetrin për hir Timin, ata të cilët e vizitojnë njëri-tjetrin për hir Timin, ata që sakrifikohen për mua dhe ata që shoqërohen për hir Timin." (Shënon Ahmedi dhe Taberaniu).

I biri: Allahu ju shpërbleftë baba. Ato vërtet janë shpërblime të mëdha dhe unë e ndiej se çdonjëra nga këto shpërblime do të ishte e mjaftueshme për t'i inkurajuar të rinjtë që të bëhen shokë me njerëz të atillë. Mirëpo, në mes të atyre shokëve mund të ketë mospajtime në mendime ose çështje të caktuara, e cila mund të rezultojë në armiqësi dhe inat. A mund t'i privojë kjo nga shpërblimi i Allahut në Ditën e Gjykimit?

Babai: Biri im, njerëzit nuk janë të pagabueshëm. Vëllezërit dhe shokët nganjëherë nuk pajtohen. Megjithatë, kjo nuk duhet të shkojë aq larg. Çdonjëri duhet të përpiqet t'i trajtojë vëllezërit dhe shokët e tij me një zemër të ndershme e të pastër. Si rezultat Allahu i begaton ata, ashtu siç thotë në Kur’an: "Dhe ne do të largojmë nga zemrat e tyre ndonjë ndjenjë të pakënaqësisë që mund të kenë, kështu që do të jenë si vëllezër ballë për ballë në frone."

I biri: Por baba, të supozojmë që gjendet një i ri, i cili nuk është shumë i përkushtuar në adhurim dhe që thotë: "Unë jam hipokrit. Si mund të bëhem shok me njerëz të ndershëm?" Ai atëherë mund të mendojë që të mos i shoqëroj ata. A është kjo në rregull?

Babai: Jo, biri im. Shejtani e bën atë të mendojë në këtë mënyrë, pasi që ai është në gatishmëri për t'i çorientuar robërit e Allahut. E bën këtë, sepse marrëdhëniet e vërteta shoqërore sjellin qetësi në mendje, kështu që ai përpiqet t'i ndalojë nga një kënaqësi e tillë. Ebu Musa el-Eshariu transmeton se një njeri e pyeti Pejgamberin alejhi selam për atë, i cili i pëlqen njerëzit, por nuk shoqërohet me ta. I Dërguari alejhi selam iu përgjigj duke thënë: "Njeriu është me ata që i do."
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë:
"Vërtet Allahu ka engjëjt udhëtar të zgjedhur, të cilët i përcjellin tubimet e dhikrit dhe kur gjejnë tubim të dhikrit, ata ulen me ta dhe e mbështjellin njëri-tjetrin me krahët e tyre, kështu që mbushin gjithë çka ka në mes tyre dhe qiellit të kësaj bote. Pasi shpërndahen (të tubuarit), engjëjt ngrihen dhe shkojnë në qiell. Atëherë, Allahu i pyet ata për përmendësit e Allahut, ndonëse më mirë se ata e di gjendjen e tyre: “Prej nga erdhët?" Engjëjt thonë: "Vijmë nga robërit e Tu, që në tokë të bëjnë tesbih, tekbir, tahmid, dhe lutje!" Allahu i Madhëruar thotë: "Për çfarë po më lusnin?" Engjëjt thonë: "Të lusin për xhenetin!" Allahu thotë a e kanë parë ata xhenetin tim?" Jo, o Krijuesi ynë!" Allahu thotë: "E si do të lutnin ata për xhenetin sikur ta kishin parë atë?" Engjëjt thonë: "Të lusin t'i strehosh ata." Allahu thotë: "A e kanë parë ata zjarrin Tim?" Engjëjt thonë: "Jo!" Allahu thotë: "E si do të bënin nëse do ta kishin parë atë?" Engjëjt thonë: "Ata të lusin për falje." Allahu thotë: "Unë tashmë të gjithëve ua kam falur dhe u kam dhënë ç'kanë kërkuar dhe i kam mbrojtur nga ajo që kanë kërkuar." Engjëjt i thonë: "Në mesin e tyre ka një rob mëkatar, ai ka ecur dhe rastësisht iu është bashkuar grupit." Allahu thotë: "Edhe atij ia kam falur, sepse ata janë popull, individët e të cilit nuk mund të jenë jo të lumtur."
Kur kështu ngjan me dikënd, i cili ka ardhur dhe është ulur me ta rastësisht, si është çështja me atë që i pëlqen vendet ku përmendet Allahu dhe ulet me njerëz, të cilët e përmendin Allahun. Ai po ashtu i braktisë kënaqësitë materiale dhe vendet e ndyra me qëllim që të jetë në shoqëri me ta. Ai gjithmonë dëshiron të jetë si ta dhe gjithë kohën e fajëson veten për përtacinë dhe mosefektshmërinë në adhurim ndaj Allahut.

I biri: Kështu ndodhë në rastin e shokëve të mirë, por si është puna me shokët e këqij?

Babai: Rrallë kam parë raste kur një djalosh i mirë bëhet djalë i keq pa pas shokë të këqij prapa këtij ndryshimi. Si rrjedhim, i Dërguari alejhi selam na ka paralajmëruar kundër shokëve të këqij dhe na ka dhënë shembullin ilustrues kur tha: "Shembulli i shoqëruesit të mirë është si shembulli i bartësit të miskut, nëse nuk arrin të marrish prej tij, atëherë bile arrin era e tij. Shembulli i shoqëruesit të keq është si shembulli i farkëtarit, nëse nuk ndotesh me katranin e tij, do të arrijë tymi." (Shënon Ebu Davudi).
Një pjesë e ndikimit të keq që kanë shokët e këqij mund të përmblidhet në pikat vijuese:
1 – Ata flasin me shokët e tyre për veprat e pahijshme dhe aventurat e pamoralshme. Nganjëherë, ata shpikin tregime që kurrë nuk kanë ndodhur me qëllim që të mburren para shokëve të tyre.
2 – Ata ua mësojnë shokëve mënyrat për të bërë të liga. Ata ua shtrojnë atyre rrugën e keqe, shkallë-shkallë në mënyrë vjedhacake.
3 – Shoqërimi me ata, ta dobëson besimin. Kur kjo ndodh njeriu do të jetë më i prirur për kryerjen e mëkateve dhe gjërave të ndaluara.
4 – Kur ata e shohin që dikush është i përkushtuar në adhurim, ata tallen me të, e kjo mund të bëjë atë person që t'i braktisë veprat e mira.

I biri: Mirëpo, baba kur i thuhet një të riu që të mos shoqërohet me një koleg ose shok të keq, ai zakonisht thotë se kolegu dhe shoku është i afërm ose fqinjë.

Babai: Shumë njerëz, biri im, gabimisht e kuptojnë konceptin e shokut të keq. Shoku i keq është çdonjëri që thirr ose inkurajon në mosbindje ndaj Allahut dhe e lehtëson këtë përmes fjalëve ose veprave të tij, qoftë direkt ose indirekt. Ai ndoshta është një i afërm, një fqinjë ose bile vëllau; mirëpo lloji i lidhjes me atë njeri nuk mund të jetë arsye për të mos e braktisur dhe shmangur shoqërimin me të. Shoku i mirë, në anën tjetër, është ai, i cili i ndihmon shokët për t'iu nënshtruar dhe adhuruar Allahun. Ai urdhëron në punë të mira përmes fjalëve dhe veprave.

I biri: Disa të rinj thonë se ata bëjnë shokë dhe rrinë me ta, por në të njëjtën kohë janë në dijeni për të mirat dhe të këqijat e tyre. Ata po ashtu thonë se bisedojnë me njerëz të tillë në shkollë vetëm për t'u zbavitur dhe nuk ndikohen nga ata.

Babai: Jo, biri im, Pejgamberi alejhi selam është këshilltar besnik. Ai na tregoi se ata janë si farkëtari që ndikon tek ata që e shoqërojnë. Nëse një musliman i mirë shoqërohet me një musliman të keq, ai mund të marrë reputacion të keq ose të shkatërrojë fenë dhe jetën e tij përmes një fatkeqësie ose katastrofe të rëndë. Për më tepër, ky arsyetim i rrejshëm është një nga mënyrat dredharake të shejtanit për t'i mashtruar qeniet njerëzore, kështu që të mund t'i hedhë në një ambient të korruptimit dhe prishjes.
Nëse ne e paramendojmë se ata shokë të këqij nuk do të ndikojnë në të në asnjë mënyrë, e që nuk është e vërtetë, ka shumë gjasa që ai të pasojë shembullin e tyre. Kur t'i përlyen ata, ai do të bashkohet përsëri me ta në Ditën e Gjykimit.


PROBLEMI I EPSHIT

I biri: Ju më keni treguar për avantazhet dhe aspektet e ndritshme të periudhës së burrërisë, a ke mundësi që të më tregosh diçka për problemet dhe vështirësitë e kësaj faze të jetës?

Babai: Kjo është pyetje e rëndësishme. Ju e dini që shejtani është kureshtar për t'i joshur dhe mashtruar qeniet njerëzore. Allahu thotë në Kur’an: "Shejtani tha: Për shkak se më humbe mua, unë do t'u ulem atyre në rrugën tënde. Mandej, do t'ju sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën nuk do të gjesh që të falënderojnë.” (A’rafë, 17).
Për këtë shkak lufta në mes të shejtanit dhe njeriut e arrin kulmin kur njeriu hynë në moshën e obligimeve fetare.
Urtësia e Allahut është që të bëjë rrugën për në xhenet të vështirë dhe rrugën për në zjarr ta rrethojë me dëshira dhe epshe. Me fjalë tjera, rruga për në zjarr është më e afërt se sa rruga për në xhenet. I Dërguari alejhi selam ka thënë: "Xhehenemi është i rrethuar nga të gjitha llojet e dëshirave dhe pasioneve, derisa xheneti është i rrethuar nga të gjitha llojet e gjërave të padëshiruara.  (Shënon Buhariu).
Në këtë mënyrë, dëshirat dhe epshet fillojnë të paraqiten në këtë fazë të jetës së njeriut, me qëllim që të dallohen ata që mund t'i rezistojnë joshjeve nga ata që nuk munden. Sepse, nëse rruga për në xhenet do të ishte e shtruar me lule, çdokush do ta merrte.

I biri: A dëshiron të më tregoni më tepër për këto dëshira?

Babai: Po, biri im, ato janë shumë dhe ndryshojnë në forcë dhe në shtrirje. Allahu thotë në Kur’an: "Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek Allahu është e ardhmja më e mirë.” (Ali Imran, 14).
Sa i përket natyrës ndryshuese të tyre, ato dallojnë nga një person në tjetrin dhe nga një vend në tjetrin. Megjithatë, ndikimi i dëshirës seksuale në të rinjtë është më i madh dhe më i rrezikshëm, sidomos në kohën tonë. Pejgamberi alejhi selam gjithashtu ka thënë: "Kush më siguron atë që është në mes dy nofullave dhe atë që është në mes të dy këmbëve, unë ju garantoj xhenetin." (Shënon Buhariu).
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari alejhi selam u pyet për gjërat që më së shumti i fusin njerëzit në xhenet. Ai u përgjigj: "Kujdesi për obligimet ndaj Allahut dhe sjellja e mirë." Pastaj ai u pyet: "Cilat janë gjërat që do ta çojnë njeriun në xhehenem?" Ai u përgjigj: "Gjuha e tij dhe organet gjenitale." (Sahihu i Buhariut).

I biri: Ju i jeni afruar shtëpisë (familjes) kur biseduat për këtë dëshirë. A mund t’ju bëjë edhe disa pyetje lidhur me këtë?

Babai: Pa tjetër.

I biri: Disa të rinj thonë se Allahu është i Gjithëmëshirshëm, kështu që ata pyesin se a ka urtësi që muslimani mund të shoh prapa kësaj dëshire të fuqishme?

Babai: Ju duhet ta dini, biri im, se muslimani nuk lejohet të dyshojë ose t’i kundërshtojë urdhrat e Allahut. Ai duhet t’i nënshtrohet çfarëdo ligji që vjen nga Allahu dhe t‘i besojë asaj, pa marr parasysh se a e di apo jo urtësinë prapa saj. Megjithatë nëse e di urtësinë, besimi i tij do të bëhet më i qëndrueshëm.
Urtësia prapa dëshirës seksuale është mbajtja e racës njerëzore me anë të riprodhimit. Si rezultat, dy gjinitë e tërheqin njëra-tjetrën për t’u arritur ky qëllim. Po ashtu, siç e përmendëm më herët, një nga urtësitë e mëdha është sprovimi me anë të kësaj dëshire. Nëse rruga e bindjes është e vështirë, ajo nuk do të trasohet përveç se nga njerëzit që karakterizohen me durim dhe burrëri. Përndryshe, çdokush do ta merrte këtë rrugë.

I biri: Unë mendoj se hapi i parë për një njeri të mençur është njohja e joshjeve që mund të nxisin një dëshirë të tillë e në këtë mënyrë të mund t’i shmanget atyre. A nuk është kështu?

Babai: Natyrisht. Njeriu duhet të largohet nga gjërat që mund t’i ngacmojnë dëshirat dhe epshin e tij.

I biri: Cilat janë joshjet më të rrezikshme?

Babai: Në krye të këtyre joshjeve është shikimi i qëllimshëm i një femre si objekt i dëshirës seksuale. Kjo shërben si nxitës që mund të çojë në një punë të ndaluar. Po ashtu është hapi i parë drejt mëkateve të mëdha. Allahu na paralajmëron nga një shikim i tillë. Ai thotë në Kur’anin Fisnik:
"Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç...." (Nurë, 30-31).
Për shkak të pasojave të tij të rrezikshme, i Dërguari alejhi selam i paralajmëroi shokët e tij nga shikimi në gjërat e ndaluara. Ai u tha: “Përmbahuni nga qëndrimi në rrugë.Shokët i thanë: “O i Dërguar i Allahut, ne nuk kemi alternativë  tjetër, nuk ka vend tjetër ku mund të ulemi dhe të bisedojmë." Ai tha: “Nëse kështu është puna, atëherë përmbahuni përgjegjësive sa i përket rrugës.” Shokët e pyetën se çfarë përgjegjësie kishin sa i përket rrugës. Ai tha: “Uleni shikimin, largoni pengesat, ktheni selamin, urdhëroni në të mirë dhe ndaloni nga të këqijat".

I biri: Nga kjo kuptoj se muslimani duhet të ruhet nga vendet ku mund t’i shikojë gjërat e ndaluara. A është ashtu?

Babai: Po, biri im. Në thënien e përmendur të të Dërguarit alejhi selam ai urdhëroi ata që jo vetëm të mos shikojnë gjërat e ndaluara, mirëpo të shmangen nga qëndrimi në rrugë. I Dërguari alejhi selam tha kështu edhe pse rrugët e Medinës në atë kohë ishin ndryshe nga rrugët në kohën tonë, të cilat janë plot me gra të pambuluara, të cilat kanë zakon t’i shfaqin bukuritë e tyre. Gratë atëherë ishin të mbuluara dhe shfaqnin shenja të turpit, kështu që ato ecnin për skaj mureve kur nuk ishin të përcjellura nga shoqëruesi i lejueshëm.

I biri: Pse është i rrezikshëm shikimi i një femre?

Babai: Sepse ai shpesh ka pasoja të rënda. Kur dikush e shikon një grua, ai e mendon atë si objekt të dëshirës seksuale. Ky imazh zhvillohet në mendjen e tij. Atëherë, shejtani ia zbukuron këtë imazh dhe ia sjellë në mendje në të gjitha llojet e animacioneve të dëshiruara. Kur kjo përsëritet, ajo zhvillohet në obsesion dhe njeriu mund të shqetësohet nga një imazh i tillë bile edhe kur është në namaz.
Kur dikush obsesohet me një ide të caktuar gjithherë ekziston mundësia që një ide e tillë të materializohet në vepër. E gjithë kjo fillon me një qëllim të menduar, pastaj qëllimi shndërrohet në vendosmëri, i cili pasohet me planifikim vicioz, që më në fund rezulton në kryerjen e imoralitetit. Nëse nuk ndodh kështu, të menduarit mund të shpie në masturbim.

I biri: Baba, kam një pyetje të rëndësishme për masturbimin, mirëpo unë do ta shtyj për më vonë. Tani, kam një pyetje tjetër të rëndësishme për shikimin e femrave. Çka thoni për të rinjtë, të cilët i shikojnë aktoret në filma ose shikojnë fotografitë e femrave në revista? Arsyetimi i tyre është se nuk ka dëm në veprimin e kësaj.

Babai: Kjo është e ngjashme me shikimin e vajzave në rrugë. Nuk ka dallim, meqë të dy veprimet çojnë në rezultatin e njëjtë.

I biri: Çka nëse krejt çështja kufizohet thjesht në mendim. E kam fjalën që nuk kryhet asnjë vepër. A ka përgjegjësi për këtë?

Babai: Një nga epitetet e Allahut është i Mëshirshmi, kështu që Ai nuk i ndëshkon robërit e tij, përveç për gabimet që ata aktualisht i bëjnë. Transmetohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Allahu ua fal pasuesve të mi veprat e këqija që mund t'ua sugjerojë vetja e tyre derisa ata nuk i veprojnë ato." Mirëpo, të menduarit për femra në një mënyrë të vazhdueshme mund të shpie në veprën e ndaluar të imoralitetit. Unë të këshilloj ty dhe çdo të ri që të angazhohet me gjëra që ju sjellin përfitime në këtë botë dhe në botën tjetër. Ke kujdes kur t’ju kalojnë në kokë mendime të tilla. Mundohu t’i ndalosh ato menjëherë dhe zëvendësoji ato me mendimet të mira.

I biri: Baba, si mund t’i kufizoj dëshirat e mia?

Babai: Gjëja më e mirë që duhet të bëhet është forcimi i besimit në Allahun. Kjo është arma më e efektshme kundër dëshirës. Unë po ju them këtë, sepse i Dërguari alejhi selam transmetohet të ketë thënë se do të vijë një kohë kur besimi do të bëhet i shtrenjtë. Muadhi kishte zakon t’u thoshte shokëve të vet dhe ata t’i thoshin atij: “Eja të ulemi dhe të bisedojmë për çështje që na ngritin besimin."

I biri: Cilat janë punët që mund ta shtojnë besimin tonë?

Babai: Besimi shtohet me nënshtrim ndaj Allahut. Veprat e mira, si leximi i Kur’anit Fisnik dhe meditimi për kuptimet e tij, kujtimi i Allahut dhe mendimi mbi krijesat e Tij, gjithashtu e rrisin besimin.
Pastaj ju duhet t’i frikësoheni Allahut në mënyrën më të përshtatshme dhe t’i kryeni detyrat ndaj Tij kudo që jeni. Besimtari i vërtetë duhet ta di se Allahu e përfshinë çdo gjë me diturinë e Tij dhe asgjë nuk i fshihet. Madje as një atom nuk ik nga dituria e Tij. Allahut thotë në Kur’an:
“Çelësat e fshehtësive janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi - Mahfudh).” (En’amë, 59).
Allahu e di kush bën mëkat ditën dhe kush bën mëkat prapa dyerve të mbyllura. Dhe nëse besimtari është në dijeni për këtë fakt, ai do t’i frikësohet Allahut. Ju kujtohet thënia e të Dërguarit të Allahut alejhi selam, kur ai i përmend llojet e njerëzve, të cilët do të jenë nën hijen e Allahut në Ditën e Gjykimit? Njëri nga ata njerëz është ai, i cili thirret në imoralitet nga një grua e bukur me autoritet, mirëpo ai thotë se unë i frikësohem Allahut.

I biri: Baba, çka vjen me radhë?

Babai: Njeriu duhet të kujtojë se do të qëndrojë para Allahut në Ditën e Llogarisë kur të gjitha sekretet do të zbulohen. Asgjë nuk do të fshihet nga Ai, dhe gojët e njerëzve do të mbyllen, ndërsa gjymtyrët e tyre do të dëshmojnë kundër tyre: “E derisa i afrohen atij, kundër tyre dëshmojnë: të dëgjuarit e tyre, të parit e tyre dhe lëkurat e tyre për çdo gjë që ata kanë punuar.” (Fussilet, 20).
Tani ju pyes se a ka mundësi që dikush të mëkatojë dhe gjymtyrët e tij të mos jenë të pranishme? Allahu i përgjigjet kësaj pyetje në Kur’an: ”Ju nuk fshiheshit (kur bënit mëkate) se do të dëshmojnë kundër jush të dëgjuarit tuaj, të pamurit tuaj dhe lëkurat tuaja, bile ju menduat se Allahu nuk di për shumë gjëra që ju i bënit.” (Fussilet, 22).

I biri: A ka diçka tjetër?

Babai: Po biri im. Besimtari duhet të kujtojë atë që Allahu e ka përgatitur në Ditën e Ringjalljes për ata, të cilët i binden urdhrave të Tij dhe largohen nga ajo që Ai e ka ndaluar.

I biri: A e keni fjalën për hyritë e xhenetit?

Babai: Pikërisht! Këto janë gra të dëlira të xhenetit që Allahu i përshkruan në Kur’an: “Ne i kemi krijuar ato në një krijim të ri (formë të re). Dhe ato i kemi bërë virgjëresha. Të dashuruara (për burrat e vet), të një moshe. (Ato janë) Për ata të djathtët.” (Vakia, 35-38).
Dhe i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Grupi i parë që do të hyjë në xhenet do të shndrit si hëna e plotë. Ata as nuk do të pështyjnë dhe as nuk do t’i fryjnë hundët dhe as nuk do të kenë jashtëqitje.”

I biri: Çka tjetër baba?

Babai: Ju duhet t’i ktheheni Allahut, duke ndjekur shembullin e Pejgamberit Jusuf alejhi selam kur gruaja për të cilën punonte u përpoq ta josh në imoralitet. Kur’ani Fisnik e përshkruan se çfarë përgjigje i dha ai:
“Ai (Jusufi) tha: “O Zoti im, burgu është më i dëshiruar për mua, se sa atë që ma ofrojnë ato mua dhe nëse Ti nuk largon prej meje dredhinë e tyre, unë mund të anoj tek ato e të bëhem injorant.” (Jusuf, 33).
Biri im, ktheju Zotit tënd, ngriti duart me përulje ndaj Allahut dhe kuptoje se Allahu nuk do t’i refuzojë ata që e lusin. Përveç kësaj, ju duhet ta forconi vullnetin. Ju duhet ta ushtroni veten për t’i bërë ballë dëshirave të pakontrolluara; ju kurrë nuk duhet t’u dorëzoheni atyre dëshirave. Mirëpo, duhet ta dini se kjo kërkon ushtrime jashtëzakonisht të mëdha, sepse ju po luftoni me instinktet më vicioze, të cilat përforcohen dhe mbështeten nga shejtani i mallkuar.

I biri: A është kjo e tëra?

Babai: Jo, biri im. Mbetet një çështje e rëndësishme që gjithmonë u theksua nga i Dërguari alejhi selam.

I biri: E keni fjalën për martesën, apo jo?

Babai: Natyrisht bir. Allahu ju dhashtë suksese në jetën tuaj. Martesa ia mundëson njeriut të kënaqet me atë që Allahu i ka lejuar. Kjo natyrisht se do të parandalojë nga rënia në kënaqësitë e ndaluara. Dhe nëse një person i moshës suaj nuk mund të martohet, ai duhet të agjërojë në ato ditë, të cilat i Dërguari alejhi selam i ka favorizuar, siç janë ditët e hëne dhe e enjte, ose ndonjë ditë që është më e përshtatshme. Agjërimi siç e dini, ngjallë devotshmëri në zemër. Allahu thotë në Kur’an: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183).
Për më tepër agjërimi forcon vullnetin dhe vendosmërinë dhe ju aftëson t’i shpartalloni instinktet vicioze.

I biri: Baba, si është gjykimi për masturbimin?

Babai: O biri im. Ajo është shprehi e ndytë dhe e gabuar. Për më tepër, ndalohet nga Allahu në Kur’an dhe nga i Dërguari alejhi selam në Sunet autentik. Allahu thotë në Kur’an: “Edhe ata që janë ruajtur prej punëve të ndyra (amorale). Me përjashtim ndaj grave të veta dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim, ata nuk qortohen për to. E kush kërkon përveç tyre, të tillët janë të shfrenuar (meritojnë dënim).” (Mearixh, 29-31).
Ky ajet tregon se besimtari i vërtetë duhet t’i ruajë pjesët intime nga aktiviteti ilegal seksual.  Janë dy mundësi të lejuara për t’i kënaqur dëshirat seksuale: bashkëshortet ose robëreshat. Si rezultat, me askënd tjetër nuk lejohet që të kënaqen këto dëshira, përveç në këto dy raste.
Gjithashtu praktikimi i kësaj shprehie të gabuar sjellë probleme shëndetësore te njeriu. Për shembull, ajo ndikon në ngritjen e penisit, e cila do të bezdis njeriun kur të përpiqet të kryej marrëdhënie me bashkëshorten e tij. Po ashtu do ta ul potencën e spermës së tij. Për më tepër, masturbimi shkakton digjestim të dobët dhe e dobëson gjëndrën hipofizare, e cila ndikon në riprodhim.
Përveç kësaj, masturbimi është shkak kryesor i shqetësimeve psikike si depresioni dhe mërzitja. Ejakulimi i spermës me anë të masturbimit zakonisht pasohet me brejte të ndërgjegjes, e cila më vonë zhvillohet në ndjenjë të indiferencës. Çka është më e keqja dikush mund ta praktikojë këtë shprehi në një vend ku nuk mund ta largojë papastërtinë duke bërë dush, e kjo shkakton mosfaljen e namazeve në kohën e tyre ose faljen e tyre në gjendje të papastër, e me këtë rast namazi nuk i pranohet. Në të dy rastet personi bën mëkat.

I biri: Atëherë baba, si mund të lë njeriu këtë shprehi të fëlliqur?

Babai: Me qëllim që të heq dorë nga kjo shprehi njeriu duhet t’i bëjë disa gjëra. Së pari, duhet të forcohet besimi në Allahun e Madhërishëm. Së dyti, njeriu duhet të ulë shikimin e tij dhe të mos mendojë për dëshira seksuale. Së treti, njeriu duhet të shmanget nga vetmia. Së katërti, njeriu duhet ta angazhojë veten me aktivitete të dobishme, si të lexuarit e Kur’anit etj.


DASHURIA DHE PASIONI

I biri: Baba, disa të ri bien në pasione të palejuara. Çfarë do t’u thoni atyre?

Babai: Të jesh viktimë e pasionit të ndaluar është çështje e rrezikshme, sepse ka gjasa që ai shkakton një varg veprimesh të ndaluara. Së pari, nëse ky pasion shpie në marrëdhënie seksuale të paligjshme, ai do të shkaktojë shumë mëkate dhe nëse dëshira seksuale nuk kënaqet, pikëllimi do të mbetet në zemër. Së dyti, i dashuruari zakonisht preokupohet me zonjën e tij dhe kjo e largon nga detyrat fetare dhe punët e përditshme. Kur vazhdojnë këto simptome, ato shndërrohen në dhimbje dhe vuajtje shpirtërore. Së treti një obsesion i tillë ka gjasa ta largojë nga dashuria për Allahun. Më në fund, zonja e tij do të jetë në krye të prioriteteve.
Për më tepër, thuhet se fjalët e fundit të njeriut para se të vdes janë mendimet, të cilat ia kanë preokupuar zemrën. Më është treguar se një i ri u dashurua me një vajzë që quhej Islame. Mirëpo, pasi që dashuria nuk ishte reciproke, atij iu thye zemra dhe u sëmurë. Gjendja e tij u keqësua dhe fjalët e fundit që i shqiptoi ishin: "O Islame. Preferoj dashurinë tuaj ndaj mëshirës së Allahut.” Kjo tregon se dashuria shpie në fund katastrofal. Këto janë pasojat e rrezikshme të dashurisë së paligjshme. Tani, ju ndoshta po mendoni për alternativat. Mbushe zemrën me dashuri dhe kujtim të Allahut gjithë kohën. Çdo ditë kalo pak kohë duke lexuar Kur’anin Fisnik. Shoqërohu me njerëz të mirë. Ule shikimin. Shmangu dashurisë së paligjshme dhe mundohu ta ndalësh qysh në syth, sepse njëherë kur zhvillohet, do të jetë vështirë të ndalet.


PUBERTETI

I biri: A është e vërtetë që puberteti është faza e humbjes dhe devijimit nga Rruga e Drejtë?

Babai: Jo, biri im. Sa më tepër që njeriu zhvillohet fizikisht dhe psikikisht aq më shumë bëhet i prirur për seriozitet në fe dhe në çështje të kësaj bote. Allahu e ushqen këtë prirje posa njeriu t’i afrohet pubertetit. Si rrjedhim, ata që humbin dhe devijojnë nga Rruga e Drejtë janë ata që e mohojnë fenë dhe vrapojnë egërsisht pas dëshirave të tyre.

I biri: Baba, pse sot shumë të rinj dhe të reja po çojnë jetë të shfrenuar?

Babai: Shiko bir. Rinia është plot energji. Nëse kjo energji nuk shfrytëzohet në mënyrë të përshtatshme, ata pritet ta çojnë një jetë pa moral dhe pa ideale të shëndosha. Ata nuk do t’i kushtojnë as vëmendjen më të vogël pasojave të tyre. Nëse ata nuk i angazhojnë shpirtrat e tyre në bindje ndaj Allahut – ata definitivisht do të bëjnë mëkate. Megjithatë, gjeneratat e mëhershme të rinisë muslimane ishin shumë të interesuar të angazhohen në punë të vlefshme, si lufta në rrugë të Allahut, mësimi dhe kërkimi i diturisë etj.. Bile edhe në komunitetet rurale, ku të rinjtë punonin me prindërit e tyre, sidomos si bujq dhe bari, ju nuk do të gjenit shumë shkujdesi, sepse vullneti i tyre shfrytëzohej me kujdes.

I biri: Baba, pse disa të rinj janë të ashpër ndaj prindërve, dhe ata rrallë i pranojnë këshillat e tyre?

Babai: Ashtu po ndodh biri im. Shumë të rinj janë indiferentë ndaj prindërve të tyre, ose ndaj më të vjetërve, për shkak se ata janë zakonisht egoist në këtë fazë. Ata kanë shprehi të kundërshtojnë gjithkënd që ata mendojnë se ka autoritet ndaj tyre. Brenga primare e tyre në këtë fazë është ndërtimi i një personaliteti të pavarur. Ata ndiejnë se kanë arritur burrërinë e plotë dhe më nuk kanë nevojë për të tjerët. Si rrjedhim, çdokush duhet t’i dëgjojë se çfarë thonë me respekt të duhur. Megjithatë janë dy faktorë, të cilët i përkeqësojnë punët:
1 – Mungesa e përvojës që akumulohet gjatë jetës së njeriut, e cila është shumë e rëndësishme për zhvillimin e mendimeve të veta.
2 – Disa prind i trajtojnë fëmijët e tyre të rritur si fëmijë të vegjël. Në këtë mënyrë fëmijët e ndiejnë se nuk po marrin respektin që e meritojnë. Dhe natyrisht, përgjigja e tyre ndaj këshillave të prindërve është zakonisht negative.

I biri: Baba, disa nxënës në këtë fazë kanë zakon të kundërshtojnë mësuesit e tyre, a është kjo për arsye të njëjtë?

Babai: Po, biri im. Arsyet janë të njëjta që i bëjnë nxënësit dhe nxënëset të rebelohen në këtë fazë kundër mësuesve dhe që i bën ata të mos iu përgjigjën atyre.

I biri: Ju e përmendët se një arsye për këtë fenomen është se prindërit i trajtojnë fëmijët e tyre të rritur si fëmijë të vegjël. Pse i trajtojnë ata në këtë mënyrë?

Babai: Disa arsye lidhen me vetë fëmijët dhe të tjerat kanë të bëjnë me prindërit. Arsyeja më e rëndësishme është se kur disa të rinj hyjnë në këtë fazë ata akoma sillen si fëmijë dhe brengat e tyre janë akoma fëmijërore. Ata akoma janë të dhënë pas lodrave. Përveç kësaj, kur një i ri vëren shenja të pubertetit, ai zgjeron aftësitë e tij. Si rrjedhim, mendimet e tij mund të mos jenë të pjekura e kështu që njerëzit e moshuar do t’i trajtojnë ata në të njëjtën mënyrë. I riu është shumë i afërt me shokët e tij, sa që ai është më i vëmendshëm për ta se sa për prindërit dhe mësuesit e tij. Fatkeqësisht, këshilla e të rinjve të të njëjtës moshë nuk është gjithmonë e shëndoshë.

I biri: Baba, pse karakterizohet sjellja e të rinjve me rebelim dhe kryeneçësi?

Babai: Kjo është kështu, sepse ata e konsiderojnë sjelljen e tillë si mënyrë e impresionimit të të tjerëve dhe mënyrë të imponimit të sjelljeve të tyre ndaj të tjerëve.

I biri: Por, kjo mund të ketë pasoja të kundërta, apo jo?

Babai: Natyrisht bir. Kjo sjellje rrallë arrin objektivat e veta. Të tjerët shpesh do të jenë agresiv, bile edhe nëse janë të bindur për një mendim që iu imponohet atyre.

I biri: Megjithatë kam parë disa të rinj që kanë arritur atë që e kanë synuar përmes rebelimit dhe kryeneçësisë.

Babai: Kjo është e vërtetë. Ata mund të kenë sukses në këtë, mirëpo ata që i përgjigjen kërkesave të tyre bëjnë kështu nga dëshpërimi. Këta të rinj mund të arrijnë përfitime të kufizuara, por e humbin respektin e të moshuarve, i cili është më i vlefshëm se sa ajo që e marrin ata.

I biri: Si mundet një i rritur t’i bind ata që janë më të vjetër se ai në moshë, se tani është bërë burrë?

Babai: Në fillim ai duhet të kuptojë se mënyra e jetës së tij ka ndryshuar duke lënë prapa brengat e fëmijëve të vegjël, duke i marrë sjelljet e të rriturve tipik dhe duke u dhënë të vjetërve respektin që e meritojnë. Ai gjithashtu duhet të tregojë se ai mund të bart përgjegjësi për vete, duke i kryer punët e veta në mënyrë të duhur. Vetëm atëherë ai mund t'i propozojë mendimet e veta dhe të presë që të tjerët t’i dëgjojnë ato. Megjithatë, koha është më e rëndësishme. Pra, gjërat nuk duhet të nguten. Më në fund kur disa njerëz ia nënvlerësojnë aftësitë e vërteta atij, ai duhet të jetë durimtar dhe tolerant.


TË DREJTAT E PRINDËRVE

I biri: Baba, kam parë diçka që më mërzitë. Fjala është për disa të rinj që nuk i trajtojnë prindërit e tyre mirë dhe arsyeja e vetme për këtë trajtim të keq është se prindërit nuk i lejojnë të bëjnë atë që dëshirojnë dhe i konsiderojnë ata si të ishin fëmijë të vegjël. Për më tepër, unë e di se ky është arsyetim i pavlefshëm. A mund ta elaboroni këtë?

Babai: Allahu ju bekoftë, biri im. Është turp të shihni një të ri duke ngritur zërin ndaj prindërve të tij, ose duke i trajtuar ata keq. Ata i harrojnë të drejtat e tyre, të cilat përmenden në Kur’an: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).” (Israë, 23).
Allahu i urdhëron besimtarët të nënshtrohen me përulje ndaj prindërve. Ai thotë në Kur’an: “Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël.” (Isra 24).
Xhihadi konsiderohet një nga detyrat më të mëdha islame. Megjithatë muslimani nuk mund t’u bashkohet trupave të luftës pa lejen e prindërve të tij. Një njeri erdhi tek i Dërguari alejhi selam për t’i kërkuar leje që të marrë pjesë në luftë. I Dërguari alejhi selam e pyeti: “A i ke prindërit gjallë? Burri tha: “Po.” I Dërguari alejhi selam i tha: “Shërbeju atyre.” Një njeri tjetër i tha: “Unë u betova që të emigroj nga shoqëria jobesimtare dhe i lash prindërit duke qarë për largimin tim." I Dërguari i tha: “Kthehu dhe bëj ata të lumtur siç i bëre të qajnë.” (Sahihu i Buhariut).

 I biri: Atëherë, nëse Islami e vë dëgjueshmërinë ndaj prindërve në një pozitë aq të lartë; duhet të ketë shpërblim të madh për ata që i trajtojnë prindërit e tyre me mirësi?

Babai: Sigurisht, bir. Allahu ka premtuar shpërblim të madh. Së pari, bindja ndaj prindërve konsiderohet bindje ndaj Allahut. Kështu që nëse një person përmbush detyrat ndaj prindërve, ai me këtë i bindet Allahut. Së dyti kënaqja e tyre çon në kënaqjen e Allahut. Pra, nëse një person i kënaq prindërit e tij, Allahu do të jetë i kënaqur me të. I Dërguari alejhi selam gjithashtu tha: “I përbuzur është, i përbuzur është, i përbuzur është, ai që e arrin pleqërinë e njërit ose të dy prindërve të tij dhe nuk hyn në xhenet.” (Sahihu i Muslimit).
Shpërblimi i tretë është që Allahu iu përgjigjet lutjes së atyre, të cilët janë të dëgjueshëm ndaj prindërve. I Dërguari alejhi selam u tregoi shokëve për një njeri të quajtur Uvejs el-Kami, që ishte i dëgjueshëm ndaj prindërve të vet sa që çdo dua që i bënte Allahut, Ai ia pranonte. (Shënon Muslimi).

I biri: Baba, nëse ka shpërblim për ata që i përmbushin të drejtat e prindërve, atëherë çfarë është dënimi për ata që nuk i respektojnë të drejtat e prindërve?

Babai: Mosrespektimi i të drejtave të prindërve është fatkeqësi e madhe që sjell pasoja të rënda. I Dërguari alejhi selam e shoqëroi mosbindjen ndaj prindërve me politeizmin ndaj Allahut.
Enes bin Malik e pyeti të Dërguarin alejhi selam për mëkatet më të mëdha. I Dërguari alejhi selam u përgjigj: "Mëkatet më të mëdha janë: Allahut nëse i përshkruhet shok, mosdëgjimi i prindërve, vrasja e njeriut dhe betimi i rrejshëm." (Shënon Buhariu).
Kjo do të thotë se kur dikush nuk i bindet prindërve, kjo mund t’i zemërojë ata kështu që ata ndoshta i luten Allahut kundër tyre. Sigurisht, se një lutje e tillë mund të pranohet. I Dërguari alejhi selam ka thënë: “Allahu nuk e kthen prapa lutjen e tre personave: lutjen e prindërve kundër fëmijëve të tyre të padëgjueshëm, lutjen e udhëtarit dhe lutjen e atij të cilit i është bërë padrejtësi.” (Shënon Buhariu).

I biri: Cili është lloji më i keq i mosbindjes?

Babai: Lloji më i keq i mosbindjes është refuzimi i fëmijës të bëjë vepra të mira, të cilat nxiten dhe rekomandohen nga prindërit?

I biri: Mirëpo disa të rinj thonë se janë të padëgjueshëm ndaj prindërve të tyre vetëm se pse prindërit ua refuzuan atyre të drejtat e tyre. Çka mendoni për këtë?

Babai: Biri im. Nuk ka mëkat më të madh se politeizmi. Megjithatë Allahu na urdhëron në Kur’anin Fisnik që të jemi të dëgjueshëm ndaj prindërve edhe nëse ata bëjnë politeizëm dhe po ashtu përpiqen që edhe neve të na nxisin të bëjmë politeizëm. Allahu thotë në Kur’anin Fisnik:
“Ne e kemi obliguar njeriun me punë të mira ndaj prindërve të vet, e nëse ata të dy përpiqen të shpiejnë ty që të më pëshkruash Mua shok (zot tjetër) për çka ti nuk di asgjë, atëherë ti mos i respekto ata. Kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni vepruar.” (Ankebutë, 8).
Është e qartë që ju nuk do t’u bindeshit atyre nëse do t’ju ftonin në politeizëm, e atëherë pse nuk ju bindeni atyre kur ata të ftojnë në Rrugë të Allahut. Megjithatë edhe nëse ata ju thirrin në politeizëm ju duhet t’i trajtoni ata në mënyrën më të mirë.

I biri: Ne mund të themi se nëse prindërit nuk i kryejnë detyrat islame ashtu siç duhet, ne akoma duhet t’i trajtojmë ata me mirësi. A është ashtu?

Babai: Absolutisht po. Allahu na urdhëron t’i trajtojmë prindërit me respekt edhe nëse  ata luftojnë të na largojnë nga Islami duke na thirrur në politeizëm. E gjithë kjo është t’i ftojmë ata me urtësi në Islam. Përveç kësaj, kur prindërit e tyre janë mëkatarë, njeriu duhet t'i durojë ata.
Respekti ndaj prindërve është e drejtë natyrore dhe nuk varet se si i trajton prindi fëmijët e vet. Rreptësia me fëmijët e vet mund të bëhet për një arsye të mirë. Ata mund të kenë qëllim të përmirësojnë një sjellje të papëlqyer.


EMOCIONET E FORTA

I biri: Baba, të kalojnë tani në një temë tjetër. Disa të rinj zemërohen sa që nuk mund t’i kontrollojnë reagimet e tyre. A ka kjo diçka të bëjë me arritjen e pubertetit?

Babai: Po, biri im. Disa të rinj karakterizohen me emocione të zjarrta në këtë fazë. Kur zemërohen ata bërtasin me zë të lartë. Ata i thyejnë gjësendet në shtëpi dhe i trajtojnë më të vjetrit keq. Zemërimi, biri im duhet të përmbahet, sepse ai mund të shkaktojë shumë telashe. Disa të rinj shpesh i godasin gjokset e tyre kur veprojnë në mënyrë joracionale nga zemërimi.
Një ditë një njeri erdhi tek i Dërguari alejhi selam për të kërkuar këshilla në çështjen e sjelljes së mirë. I Dërguari alejhi selam tha: “Mos u zemëro! Kur burri e përsëriti kërkesën, i Dërguari alejhi selam i dha këshillën e njëjtë. Pastaj burri tha: “Kur mendova për atë që më tha i Dërguari alejhi selam, e kuptova se zemërimi është rrënjë e të gjitha të ligave.” Kjo, biri im është dëshmi se zemërimi mund ta bëj njeriun të veprojë punë për të cilat do të pendohet tërë jetën.
Allahu i pëlqen ata, të cilët i kontrollojnë emocionet dhe e përmbajnë veten kur zemërohen.
Allahu thotë në Kur’anin Fisnik: "Ata, të cilët japin kur janë shlirë dhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e Allahu i do bamirësit.” (Ali Imran, 134).

I biri: Baba, diskutimi për zemërimin e pakontrolluar më kujton për një gjë. Shpesh e vërej te bashkëmoshatarët e mi, se kur i vlerësojnë njerëzit ata shkojnë në ekstrem. Kur i pëlqen dikush, ata i zmadhojnë meritat e tyre dhe kur e urrejnë dikë ata flasin me një ton të ndryshëm. A ka kjo ndonjë lidhje me periudhën e pubertetit?

Babai: Po. Të rinjtë kanë zakon t'i rrisin ndjenjat e tyre të pëlqimit dhe urrejtjes dhe kjo është për shkak të intensitetit të emocioneve që janë karakteristikë e moshës së re.

I biri: Unë mendoj se armiqtë e Islamit e kuptojnë këtë fakt dhe ata veprojnë në pajtim me këtë. Ata përpiqen shumë t'i largojnë të rinjtë nga udhëzimi i saktë përmes shumë zbavitjeve të palejueshme.

Babai: Po, bir, keni të drejtë. Armiqtë e Islamit gjithmonë kërkuan ta joshin në punë të këqija rininë muslimane, përmes medieve, sidomos ato kanalet satelitore që transmetohen në shumë pjesë të largëta të botës.

I biri: Baba, a ka diçka me të cilin njeriu mund ta mbrojë veten nga kjo joshje?

Babai: Puna më e mirë që duhet të bëhet është të lexohen tregimet e muslimanëve të hershëm, të cilët ndihmuan të ngrihet flamuri islam. Ata janë shembuj të mirë që duhet t'i pasojnë. Dhe Kur'ani Fisnik është plot tregime të njerëzve të devotshëm, të cilët kaluan tërë jetën në kauzë të Allahut. Po ashtu nga tregimet për luftërat e të Dërguarit të Allahut kundër jobesimtarëve mund ta marrim shumë mësime të vlefshme.
Kur të rinjtë dhe të rejat kanë përpara shembuj të mirë, është pothuajse e vështirë të joshen në punë të këqija nga njerëzit e parëndësishëm.


SHEMBUJT E NJERËZVE TË DEVOTSHËM

I biri: Baba, a dëshiron të hedhësh pak dritë në disa shembuj të njerëzve të drejtë, sidomos kur ishin të ri?

Babai: Po, biri im. Allahu ka përmendur tregimin e Pejgamberit Jusuf. Ai ishte shembull i mirë i abstenimit. Ai ishte i ri dhe i pamartuar kur gruaja për të cilën punonte u përpoq ta joshte në marrëdhënie intime me të. Ajo nuk ishte vetëm e bukur, mirëpo gjithashtu grua me ndikim, sepse ishte gruaja e kryeministrit. Ajo hyri në vendin ku rrinte Jusufi, ia mbylli derën pas dhe e kërcënoi se do ta burgoste nëse nuk do t'i bindej. Me gjithë këtë joshje dhe mbi të gjitha, me të gjitha këto kërcënime, ai iu kthye Allahut duke thënë: "E ajo, në shtëpinë e së cilës ishte Jusufi, i bëri lajka atij dhe ia mbylli dyert e i tha: "Eja!" Ai (Jusufi) tha: "Allahu më ruajt, ai zotëria im (e burri yt) më nderoi me vendosje të mirë (si mund t'i bëjë hile në familje)? S'ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses.” (Jusuf, 23).
Ai më parë do të shkonte në burg se sa të bënte imoralitet. Ju e dini se kur një musliman i ri e lexon këtë tregim dhe e kupton porosinë e tij, unë mendoj se ai do të mendojë mirë para se të bëjë imoralitet.
Një shembull tjetër i përkushtimit të sinqertë është Habab bin el-Arazt. Kur e morën vesh jobesimtarët për kthimin e tij në Islam, ata filluan ta torturonin pamëshirshëm. Trupi i tij i zhveshur vendosej mbi thëngjillin e ndezur, derisa shiheshin shenjat permanente të djegies në trupin e tij.
Admirimi i shokëve të të Dërguarit alejhi selam për Hababin është mjaft i njohur. Ali bin Ebu Talib, në rrugë për në Mekë, kaloi pranë varrit të Hababit. Ai u ndal për pak dhe tha: "Allahu e mëshiroftë Hababin. Ai e pranoi Islamin dhe emigroi në Medinë, duke i zbatuar urdhrat e të Dërguarit alejhi selam. Tërë jeta e tij iu kushtua luftës në kauzë të Allahut. Ai u torturua shumë, por kurrë nuk u dorëzua. Allahu e shpërbleftë me shpërblimin më të mirë." Biri im, ky sahab ishte gati i moshës tënde kur veproi kështu.
Shembulli më i lartë i devotshmërisë që gjendet në mes të shokëve të të Dërguarit alejhi selam është Harithi, i cili u mbyt në betejën e Bedrit. Nëna e tij erdhi tek i Dërguari alejhi selam dhe i tha: "O i Dërguar i Allahut! Ju e dini se sa i dashur ishte Harithi për mua. Nëse ai është në xhenet unë do të duroj dhe do të pres shpërblim nga Allahu për atë çfarë ka bërë, mirëpo nëse nuk është, ju do të shikoni se çfarë do të bëj." I Dërguari alejhi selam i tha: "Mjerë për ju! A është vetëm një xhenet? Ka më tepër se një xhenet dhe biri juaj është në Firdevs!"
Një shembull tjetër i vendosmërisë së madhe është Umer bin Ebu Vekas, një shok gjashtëmbëdhjetë vjeçar i të Dërguarit alejhi selam. Vëllai i tij, Sa'di, rrëfen tregimin: "Unë e shikoja vëllaun tim, Umerin duke u fshehur para se të bëhej inspektimi i trupave. Kur e pyeta se pse po e bënte këtë, ai tha: "Frikësohem se i Dërguari alejhi selam do të më konsiderojë shumë të ri për të marrë pjesë në luftë. Ai kishte shumë dëshirë të binte shehid. Pastaj i Dërguari alejhi selam erdhi dhe e pa atë. Ai i tha se ishte shumë i ri dhe e ktheu prapa. Umeri qau me dënes për shkak se i Dërguari alejhi selam nuk e kishte lënë t'i bashkohej trupave të tij si ushtar." Luftëtarit të ri, iu deshtë ta shkurtonte rripin e shpatës kështu që të mos i prekte në tokë. Dhe në fund dëshira e tij u plotësua kur ai ra shehid në betejë.
Shumë shokë të të Dërguarit alejhi selam ishin më të ri se njëzet vjeç, kur luftuan krah për krah me të.
Një shembull i shquar i rinisë muslimane në fushën e nxënies përmendësh të Kur'anit fisnik ishte Umer bin Seleme. Ai i memorizonte të gjitha vargjet e Kur'anit posa zbriteshin një nga një në kohën para se Kur'ani të përmbledhej në një formë të caktuar. Si shpërblim për këtë, ai gjithmonë trajtohej me një mënyrë të veçantë.
Në fushën e kërkimit të diturisë, Muadh bin Xhebeli u përshkrua nga i Dërguari alejhi selam si personi më i ditur për hallallin dhe haramin. Ai ishte rreth njëzet vjeçar kur e pranoi Islamin.
Ibën Umeri, djali i kalifit të dytë, ishte shembull i mirë i atyre, të cilët ia kushtuan jetën adhurimit ndaj Allahut. Ai flinte disa orë dhe pastaj zgjohej për të kryer namazin vullnetar.
Muhammed bin Talha njihej si es-Sexhxhad për shkak të numrit të madh të namazeve që i kryente. Në sporte, shpesh të praktikuara si përgatitje për xhihad, ne gjejmë shumë shembuj të shkëlqyeshmërisë. Për shembull, Abdullah bin Umer dallohej në kalërim.

I biri: Baba, a kishte zakon i Dërguari alejhi selam të përmend shembuj të njerëzve të devotshëm kur i mësonte shokët e tij.

Babai: Po, bir. Kur Hababi po torturohej ai dërgoi dikë te Pejgamberi alehi selam për të kërkuar nga ai që ta lus Allahun që ta kursejë nga dënimi, të cilin vështirë mund ta përballonte. I Dërguari alejhi selam ka thënë: “Në mes të popujve që ishin para jush besimtari lidhej dhe vendosej në gropë, sharra i vendosej mbi kokë dhe trupi i tij ndahej në dy pjesë. Megjithatë, ai nuk do të hiqte dorë nga feja. Para se ta hidhnin në gropë trupi i tij përshkohej me krehër të hekurt e të nxehtë, i cili ia hiqte lëkurën e djegur. Mirëpo, ai nuk do të largohej nga feja. Pasha Allahun kjo fe do të mbizotërojë, por ju po nguteni.” (Shënon Buhariu).

I biri: Vërtet, këta janë shembuj të mirë, baba. Por, këta të gjithë i takojnë gjeneratës së të Dërguarit alejhi selam. Po për gjeneratën tonë?

Babai: Kur një person i shikon këta shembuj nuk do të thotë se pritet nga ai të bëhet si ta. Por, kjo na ndihmon që ta forcojmë vendosmërinë në fe.
Dhe mos harro se i Dërguari alejhi selam u ka premtuar atyre që qëndrojnë në fe, përkundër sprovave, se do të kenë shpërblim të begatshëm në botën tjetër. Shembujt e muslimanëve të tillë të mirë janë shumë për t'u numëruar. Ata janë njerëz, të cilët ia kanë dalë të arrijnë sukses në shumë fusha të diturisë. Ata janë të ditur në çështje fetare si dhe në çështje të kësaj bote. Ky është indikacion që kur rinia mbështetet në Allahun, ata mund të kalojnë çdo pengesë që mund ta hasin.

I biri: Ky ka qenë një diskutim i shkëlqyeshëm dhe unë ndiej se kam marrë nga ju një kohë të çmueshme. Tani, ju kërkoj leje të largohem pasi që edhe ju keni nevojë për pushim. Allahu ju shpërbleftë për gjithë atë që po bëni për mua!

Përktheu nga anglishtja: Driton Maxhuni
Redaktor gjuhësor: Avni Avdiu
Redaktor fetar: Bahri Curri
Titulli në origjinal: “O my child, you heve becave an adult!”
Autor: Muhammed Abdullah Duvejsh

 
Para >

     
Advertisement

     10 Pyetjet e Fundit
 
  10 Shkarkimet e Fundit
 
     10 Dërgesat e Fundit n[ Fjala e Bukur - Grup
 

No Documents
Cache Directory Unwriteable

Materialet qė paraqiten nė kėtė uebsajt nuk do tė thotė se korrespondojnė gjithsesi me atė ēfarė Fjala e Bukur di pėr tė vėrtetė.
Materialet e kėtij uebsajti mund tė publikohen edhe nė uebsajte dhe mediume tjera me kusht qė tė tregohet burimi (www.fjalaebukur.com).
Copyright © 2004-2008 Fjala e Bukur. Tė gjitha tė drejtat e rezervuara.
Strehohet dhe mirėmbahet nga VIVA4 Solutions - Kliko Kėtu! Tash edhe nė shqip!