Pasi që Allahu i Madhëruar e zgjodhi Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem që të jetë vulë e Pejgamberëve, gjithashtu edhe feja në të cilën ishte ai - e ajo ishte Islami - është fe me të cilën është i kënaqur Allahu dhe njëherit është edhe vulë e të gjitha feve.
Në të është udhëzimi,
në të është lumturia,
në të është çdo e mirë,
në të është shpëtimi.
Allahu i Lartësuar thotë: "Feja e vetme e pranuar tek Allahu është Islami". (Ali Imran, 19).
Dhe thotë: "E kush kërkon fe tjetër pos Islamit, ajo nuk do t’i pranohet atij dhe ai në botën tjetër do të jetë prej të dëshpëruarve". (Ali Imran, 85).
Me fjalën "fe - (din)" nënkuptojmë "rrugë dhe metodë". Allahu i Lartësuar thotë: "Ai (Allahu) është që dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e fe të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejnë këtë idhujtarët". (Tevbe, 33).
Feja është praktikë jetësore e njeriut dhe metodologji e të menduarit të tij.
Allahu xhel-le shanuhu është Krijuesi jonë dhe njëherit Ai e di realitetin tonë. Allahu i Madhëruar thotë:"E di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që Ai di, të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar". (Bekare, 255).
Do të thotë: Pasi që Allahu i Madhëruar është Krijues, atëherë ai është më i ditur për atë që është e mirë për neve dhe për atë që s’është e mirë për neve. Gjithashtu është më e ditur për atë që na bën dëm dhe për atë që na bën të palumtur.
Prandaj Feja jonë Islame është fe, e cila përfshinë në përgjithësi çdo çështje jetësore, është fe e cila nderon njeriun dhe e ngritë atë në shkallë të lartë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne me të vërtetë i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)". (Israë, 70), dhe: "Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur". (Tinë, 4).
Prandaj njeriu jeton në jetën e kësaj bote, ndërton në të dhe e udhëheq me atë që e ka krijuar Allahu në të. E ai në jetën e tij kalon nëpër periodën e provimit, për t’u ditur se a do t’i nënshtrohet Zotit të tij dhe se a do t’i kryejë urdhrat e Tij. Allahu i Lartësuar thotë:
"Gjithçka që është në tokë Ne e bëmë stoli të saj, për t’i provuar ata, se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë". (Kehf, 7).
Kjo botë, në të cilën ne jetojmë, është vend ku ne në të i kryejmë urdhrat e Allahut dhe në të largohemi nga ajo që Ai na ka ndaluar. Pas përfundimit të jetës sonë në këtë botë, ekziston edhe jeta në botën tjetër, prandaj ka prej atyre që shkojnë në xhenet dhe ka prej atyre që shkojnë në xhehenem.
Kush i është përgjigjur urdhrave të Allahut, është larguar nga ajo që Ai ka ndaluar dhe i është nënshtruar Atij, ai do të jetë prej banorëve të xhenetit. E kush i ka kundërshtuar urdhrat e Allahut të Lartësuar dhe nuk i është nënshtruar Atij, ai do të jetë prej banorëve të zjarrit.
Feja jonë Islame përfshin çdo aspekt jetësor. Ajo nuk e ka lënë anash këtë botë, por përkundrazi i ka kushtuar rëndësi të madhe. Ka përcaktuar në te rregulla, të cilat e përsosin jetën e kësaj bote dhe të banorëve të saj. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe me atë që të ka dhënë Allahu kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bënë të këqija në tokë se Allahu nuk i do çrregulluesit". (Kasas, 77).
Feja jonë madhështore, Islami me veçoritë dhe specifikat që i ka, ka bërë që shumë prej jobesimtarëve dhe idhujtarëve të hyjnë në të dhe t’i përmbahen rregullave të saj, për këtë kjo është feja e vetme e vërtetë. Allahu i Lartësuar thotë:"E Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm se Atë. Kjo është feja e drejtë". (Jusuf, 40).
Ajo gjithashtu është fe, e cila e ngritë njeriun në jetën e kësaj bote. Sa njerëz gjatë shekujve dhe viteve të shumta shijuan lumturinë dhe kënaqësinë me të, e sa të tjerë u dëshpëruan dhe dështuan në kundërshtimin dhe moskryerjen e urdhrave dhe rregullave të saj.
Muslimanët ishin populli (bashkësia) më kualitativ, më i ngritur dhe më i lumtur përderisa iu përmbajtën fesë së tyre.
Me termin "Islam" nënkuptojmë: "nënshtrim, dorëzim". Ndërsa me termin "musliman" nënkuptojmë: "atë që i është nënshtruar (dorëzuar) urdhrave të Allahut dhe njëkohësisht i zbaton ligjet e Tij".
Me këtë fe Allahu xhel-le shanuhu i nderoi të gjitha krijesat. Kjo është fe e plotë dhe rrugë e përsosur. Nuk ka mundësi askush, sado që ka dituri dhe njohuri që të gjejë mangësi në këtë fe madhështore, ngase Allahu xhel-le shanuhu e ka plotësuar dhe e ka përsosur këtë fe.
Allahu i Gjithëmëshirshëm në lidhje me këtë thotë në Librin e Tij Fisnik:"Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe jam i kënaqur që Islami të jetë fe e juaja". (Maide, 3).
Falënderimi i qoftë Allahut të Lartësuar për begatinë e Islamit.
Marrë nga:
Libri "Islami i lehtësuar" - Ali Hasen Abdul Hamid