Pjesën qendrore dhe perëndimore të Ballkanit e banonin Ilirët një popullsi autoktone mjaft numerike në një territor të gjerë nga Arta në jug (tani në Greqi), te lumi Morava në lindje, lumi Danub dhe Sava në veri (tani në Serbi), Alpet në veri-perëndim (tani në Bosnje, Kroaci e Slloveni) dhe deti Adriatik në perëndim. Kjo popullsi me gjuhë, mbretëri, qytetërim dhe besim vetanak, por pa shkrim të vetin për një kohë të gjatë, ishte pre e pushtimeve greke që formuan koloni kryesisht në brigjet e Adriatikut dhe pastaj u pushtua nga Perandoria Romake dhe vazhduesja e saj në Ballkan – Perandoria Bizantine. Ilirët në masë të madhe u romanizuan dhe një pjesë tjetër u përndoqën apo vranë gjatë dyndjes së madhe të popujve gjatë shek. V-VII të erës sonë (nga Gotët, Vandalët, Hunët, Avarët e Sllavët). Megjithatë, në shek. XI-XII mbetën pasardhësit e tyre që u quajtën Albanoi apo Arbër (që morën emrin sipas fisit ilir Albanoi). Më pastaj kjo popullsi e quante vetën Shqiptar, ndonëse nga të tjerët dhe më tutje përdoret emri Arbër, Albanë, Arnaut.
Ballkani si hapësirë territoriale në mes të lindjes dhe perëndimit, me miniera, tokë pjellore dhe ujë të mjaftueshëm, tërhiqte pushtuesit. Dobësimi i Perandorisë Romake dhe pretendimet për të copëtuar atë, nxitën popujt barbarë për lëvizje në këtë territor si kusht për të kaluar në Itali dhe drejt Konstantinopojës (kryeqytet i perandorisë romake të lindjes - Bizantit). Këto lëvizje të popujve janë të njohura si: Dyndja e madhe e popujve.
Këto dyndje patën pasoja të rënda jo vetëm për Perandorinë Romake e cila u shpartallua dhe për Perandorinë Bizantine që u dobësua shumë, por veçanërisht për popullatën ilire që si banorë vendas bartën mbi kurrizin dhe jetën e tyre peshën më të rendë të krimeve barbare. Krenaria dhe organizimi fisnor i tyre i ruajti nga asimilimi i plotë, sidomos në viset rurale. Kjo krenari lindi nga fakti se ata kishin pozitë të privilegjuar si në Perandorinë Romake ashtu dhe asaj Bizantine tek të cilat ata arritën deri në postin e perandorëve. Pasojat më të rënda në planin etnik në Ballkan pati depërtimi dhe vendosja e elementit sllav që nga shek. VI dhe vazhdoi dy shekuj me radhë. Vendosja e tyre në kushtet e dobësimit të dy perandorive romake nga lëvizjet paraprake të popujve drejt perëndimit dhe tërheqjes së ilirëve vendas në pjesët bregore-malore e rurale ishte e lehtë dhe pa konfrontime serioze.
Për konfrontimin luftarak në mes ardhacakëve sllav dhe vendasve nuk ka të dhëna, por konfrontimi historik është më se evident. Autorët serb të nxitur nga ideja e pansllavizmit, panortodoksizmit dhe serbomëdha pa argumente (në këtë drejtim prinë, Dimitrije Bogdanoviqi i cituar më lart) nga fundi i shek. XIX tentojnë të nxjerrin teza për opinionin e vet dhe ndërkombëtar se në Ballkan që në parahistori kishte lëvizje të mëdha të popujve, se asnjë popull (pra as Ilirët) nuk ishin vendas, por se etnografia e saj pësoi ndryshime me shtyrjen e grupeve paraprake. Pra, shtyrjet që bënë sllavët ishin vazhdimësi e filluar më parë d.m.th. e drejtë e tyre të quhen vendas!. Ata lansuan dhe tezat se paraardhësit e shqiptarëve dhe vetë shqiptarët ishin popull nomad pa vendbanime të përhershme. Sipas tyre deri në mesjetë kur u vendos elementi sllav në Ballkan nuk kishte banorë të përhershëm gjë që në Perandoritë si Roma dhe Bizanti me qëndrueshmëri ushtarake e politike nuk mund të ndodhte dhe nuk ka argumente shkencore për lëvizje të tilla deri në dyndjen e madhe të popujve. Sipas Dimitrije Bogdanoviqit,: “Etnografia dinamike e Ballkani antik nuk di për vendosje të qëndrueshme dhe pronësi shekullore-çdo gjë është në lëvizje, shtyrje, vëllime”. Sipas tij dhe pothuaj të gjithë “shkencëtarëve” politik serb as pushtimi romak si thotë ai pa rezistencën ilire dhe qëndrimi nga shek. III para erës sonë deri në ardhjen e sllavëve në Ballkan nuk mund t’i bënte ata as vendasit popull autokton. Për atë dhe mendimtarët si ai vetëm për një shekull sa qëndruan sllavët si pushtues në Kosovë ( shek. XIV-XV) fituan të drejtën e vendasit, të drejtë që nuk e pati më vonë as Perandoria Turke që nënshtroi këtë trevë për pesë shekuj në kontinuitet.
Popullsia parasllovene është dëmtuar shumë edhe para ardhjes së sllavëve, por as sllavët nuk i kursyen. Kjo vinte nga fakti se: ”se sllovenët dëshironin të vendoseshin në vendbanime antike dhe i shmangeshin hapjes së tokave të reja”. Në luftëra të vështira sllavët i shtynë banorët vendas nga tokat e pëlleshme në male, por ndonjëherë dhe krijonin lidhje me ta. Me zgjerimin e sundimit serb, zgjerohej edhe kombi serb, të cilit nuk i bënë rezistencë Arbanasit (shqiptarët-S.R.), sepse ishin të lëvizshëm të paorganizuar dhe besimi i tyre ishte i përbashkët-ortodoks. Bile, gjatë shek. XIV dhe XV lidhjet në mes Arbanasëve dhe serbëve ishin aq intime dhe të forta sa që: “ gjuha serbe dhe kultura, si do të shihet më vonë, kanë dominuar në oborret e zotërinjve arbëresh”. Kjo shpjegohet dhe me faktin se: ”Në mesjetë meshkujt (Arbanas dhe Arumun si popull vendas që jetonin në katune) flisnin dy gjuhë: një në shtëpi (atë amtare-S.R.) dhe tjetrën në rrethin sllav, kurse gratë me fëmijët në shtëpi vetëm gjuhën shqipe apo arumune. Ky bilinguitet është ruajtur tek ata deri tani në RP të Maqedonisë”. Gjatë shek. IX deri X Kosova u gjet nën sundimin bullgar. Në shek. XI rikthehet sundimi i Perandorisë Bizantine. Nga shek. XIII ky territor bëhet shënjestër e përpjekjeve të Zhupanëve serb me qendër në Rashkë. Kështu, gjatë sundimit të Millutinit (1282-1321) Kosova, një pjesë e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë së sotme hyri nën sundimin e tij. Në këtë periudhë nuk njihen konfrontime në mes dy popujve, ngaqë një pjesë e madhe e shqiptarëve ishte e besimit ortodoks dhe pa ndonjë vështirësi kuptohej në rendin e ri.
Konfrontimet e para ishin paraqitur në raportet shqiptaro-serbe vetëm në ato territore ku popullsia shqiptare ishte e besimit katolik dhe ballafaqohej me synimet serbe për ta konvertuar në ortodoks. Por, për shqiptarët ngritja e shtetit serb ishte rast për të shprehur revoltën kundër sunduesve greko-bizantin. Bile, përkundër bindjeve të ineresentëve katolikë: ata (shqiptarët-S.R.) ishin faktorë aktiv për programin imperialist të Dushanit.
Gjatë sundimit të Dushanit i shpallur “perandor i serbëve, grekëve, bullgarëve dhe shqiptarëve” feudalët shqiptarë ortodoksë u përfshinë në sistemin feudal serb dhe kishin tituj: zhupanë e vojvodë. Kjo barazonte me popujt tjerë sllav, ata merrnin pjesë në Sabor (Kuvend) dhe nxjerrjen e Zakonikut të Dushanit (Ligjit të Dushanit) të vitit 1349 dhe 1354.
Por, shqiptarët për të shfrytëzuar kullosat malore që u bënë pronë e manastireve (p.sh. të Manastirit të Deqanit) duhej t’i sillnin kishës, me transport të vështirë, kripë apo vaj nga bregdeti i Shkodrës dhe Barit. Kodi i Dushanit hedh dritë mbi pozitën e vendasve katolikë dhe synimet për t’i konvertuar e serbizuar me dhunë. Me ligjet e vendosura ”me hire të Zotit” më 1349, në Mbledhjen e Patriarkëve, në nenin 6-të parashihej se: ”Sa i përket herezisë latine (të cilës kryesisht i takonin shqiptarët-S.R.) dhe atyre që kanë besim të plotë te ajo fe, autoritetet kishtare duhet të përpiqen t’i kthejnë këta në besimin e vërtet. Nëse një person nuk pranon të konvertohet…, ai do të dënohet me vdekje. Cari ortodoks duhet të zhdukë gjithë herezinë nga shteti i tij. Pasuria e atyre që kundërshtojnë kthimin në fenë tjetër do t’u konfiskohet…. Kishat heretike do të shenjtërohen dhe do të hapën për priftërinjtë e besimit ortodoks”.
Nuk dihet sa kisha kishte nga epoka para pushtimit të Nemaniqëve në Kosovë, sepse nuk janë bërë hulumtime arkeologjike sistematike, por një numër i dukshëm i kishave të Nemaniqëve sigurisht janë ngritur në themelet e vjetra të kishave bizantine.
Kthimi i pronave të vendasve në prone të sundimtarit dhe kishës ortodokse ishte momenti më i ndërlikuar në raportet shqiptaro-serbe në mesjetë. Të mësuar për një kohë të gjatë me besimin katolik, shqiptarët vështirë e përjetonin atë. Dihet se territori i Kosovës kishte kaluar në krishtërizëm shumë më herët sesa të vinin sllavët. Ata ishin të besimit katolik, derisa ata që mbetën nën perandorinë bizantine në masë të madhe në fqinjësi të Greqisë dhe pjesët e rrafshëta e qytete ishin kthyer ngadalë në ortodoksë. Sidoqoftë, ndërrimi me dhunë i besimit nga sunduesit serb pati pasoja për vendosmërinë e shqiptarëve ta mbrojnë atë pas depërtimit të turqve dhe besimit islam. Në mungesë të kishës autoqefale shqiptare dhe traditës shtetërore shqiptarët kaluan më lehtë në islamizëm. Ky kalim në islamizëm pati anët pozitive dhe negative. Ana pozitive ishte fakti se ata siguruan disa privilegje nga sunduesit i rinj dhe shpëtuan nga presionet e kishës serbe për t’u serbizuar. Ana negative ishte fakti se shqiptarët muslimanë nga pushtuesit turq trajtoheshin dhe regjistroheshin si turq, se fqinjët i akuzojnë shqiptarët më vonë jo vetëm bashkëfajtor, por dhe fajtor kryesor për vuajtjet nën sundimin turk dhe mungesa e interesimit dhe ndihmës së fuqive të mëdha të krishtera për përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi dhe mbrojtjen e kufijve historik dhe etnik.
Pas pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga Perandoria Osmane bëri që serbët dhe shqiptarët së bashku me popujt tjerë në Ballkan të jenë të robëruar dhe të rezistojnë së bashku. Por, humbja e primatit në Ballkan për kishën, feudalët dhe popullin serb ishte e papranueshme. Ata e humbën një perandori që nuk zgjati shumë, por u shpërbë nga përçarjet e pasardhësve të Carit Dushanit. Një përçarje e tillë u ndihmoi turqve osmanë të depërtojnë lehtë dhe të thyejnë rezistencën e feudalëve në Maqedoni (Beteja e Maricës,1371) dhe koalicionin e brishtë të të krishterëve në Betejën e Kosovës (1389) kur për serbët definitivisht u shua mbretëria dhe u kthyen në vasal të Turqisë.
Pas betejës së Kosovës për popullin serb Kosova bëhet dëshmi dhe vula e identitetit të tij, çelës që mundëson kuptimin e sugjerimeve për historinë e vetë, lidhja me shtetësinë serbe, nyje e lirisë nacionale. Kjo betejë do të bëhet vija e ndarjeve shqiptaro-serbe, ndonëse luftuan së bashku në këtë betejë ku shqiptarët luftuan për mbrojtjen e krishterimit, kurse serbët për të mbrojtur ortodoksizmin serb - Kishën e pavarur serbe që ishte pronari më i madh i tokave, dhe ideologjiko- politik për dominimin dhe shtetësinë serbe. Humbja në betejën e Kosovës ishte humbje e dominimit të kishës serbe, humbje e pronave shtetërore dhe pavarësisë politike e ekonomike. Serbët e shndërruan në mitologji këtë betejë për arsyet e përmendura e jo për Kosovën si pronësi jo aq e madhe për Perandorinë Serbe, por, ngaqë Kisha autoqefale serbe kishte në pronësi shumicën e tokave si në pjesët e rrafshëta dhe në atë malore dhe se Kosova ishte çelës për depërtim drejt Maqedonisë dhe Adriatikut shqiptar.
Miti mbi Kosovën e krijuar për interesa nacionale serbe bëri kthesë në raportet midis dy fqinjëve që një kohë ishin aleatë për zgjerimin e perandorisë serbe dhe mbrojtjen e saj. Pas Kosovës serbët u vetëshpallën sakrifikues, mbrojtës të krishterizmit, mbrojtës të shtetit dhe popujve sllav, popull i vetëm i vrarë dhe përndjekur nga turqit. Për serbët tani e tutje në Ballkan nuk kishte popuj tjerë që kishin jetuar dhe jetonin, por vetëm serb të shtypur nga sunduesit dhe bashkëvendësit që pranuan islamizimin.
Tani e tutje shqiptarët që pranuan islamizimin dhe merrnin pjesë në ushtrinë, e pastaj dhe në institucionet turke, behën fajtorë kujdestar. Kuptohet nuk ishte e lehtë për Kishën serbe dhe feudalët e popullin serb që shqiptarët, deri atëherë të shtypur dhe shfrytëzuar nga sistemi feudalo-kishtar serb, të bëhen të barabartë, aq më tepër sundues të tyre. Ndonëse deri në shek. XVII shqiptarët në masë të madhe nuk u islamizuan, për serbët dhe propagandën e tyre nacionaliste, ata ishin shtypësit më të egër se turqit, se ata dëbonin serbët dhe krijonin hapësirë nacionale shqiptare (kur vetë serbët thonë se nuk ishin të formuar si komb as në shek e XX-të) në dëm të serbëve.
Lufta e vërtetë bëhej në mes të Kishës greke dhe Kishës autoqefale ortodokse serbe për të shfrytëzuar dhe dominuar mbi popullsinë ortodokse, derisa së bashku luftonin kundër ndikimit të Kishës perëndimore katolike (që si thonë edhe vetë fqinjët, kishte ndikim të madh në Malësi dhe Kosovë) dhe për të copëtuar besimtarët dhe pronat shqiptare që i takonin dy besimeve (katolikët në veri, ortodoksët në jug dhe pjesët e rrafshëta të Maqedonisë dhe Kosovës) dhe më vonë eliminimin e muslimanëve shqiptarë.
Për të përtërirë perandorinë e Dushanit, priftërinjtë serb dhe nga mesi i shek. XIX filluan të përhapin propagandën për Serbinë e Madhe nga Deti i Zi, Deti Adriatik dhe Egje. Pengesë kryesore për ta arritur atë ishin shqiptarët e ngulitur në mes serbëve, bullgarëve, malazezëve dhe grekëve. Për të arsyetuar pushtimet serbe dhe gjenocidin që do të pasonte, ata përhapën dy versione akuzash për shqiptarët si pushtues të “trojeve serbe”:
Njëra, se serbët u dyndën në mënyrë masive (Dyndja e madhe serbe më 1690 fare e pa dokumentuar) nga Kosova për të cilën shpikën emrin “Serbi e vjetër” edhe pse dihet ku u vendosën serbët e vjetër në fillim dhe kur pushtuan Kosovën;
E dyta, se shqiptarët i dëbuan serbët nga Kosova gjatë shek. XVII-XIX, atëherë kur serbët ishin shpërngulur sipas tezës së parë.
Sipas dy këtyre tezave, shqiptarët si muslimanë dhe katolikë ishin fajtorë për fatin e serbëve. Të parët, muslimanët se qëndruan në anën e Turqisë gjatë luftës së vitit 1689 (edhe pse dihet se një masë muslimane kaloi në anën e Pikolominit) dhe të dytët, katolikët shqiptarë që ishin mbështetje e rëndësishme e Kongregacionit për propagandimin e fesë (Congregatio de propaganga fide, themeluar më 1622) për të shfrytëzuar kryengritjet për interesa të veta, dobësimin e kishës ortodokse të sllavëve të jugut duke depërtuar nga bregdeti i Shkodrës ku ajo (besimi katolik-S.R.) ishte ruajtur te shqiptarët. Për të qenë dhe më absurd në vlerësimet “shkencore” autorët serb krijuan tezën mbi gjoja islamizimin dhe shqiptarizimin e serbëve në Kosovë. Si ishte e mundur ky shqiptarizim: kur në të dhënat statistikore të autorëve serb dhe shumë të huaj, serbët paraqitën sa apo më shumë se shqiptarë!, kur shqiptarët nuk kishin predikim fetar në gjuhën e tyre, nuk kishte shkolla, libra, shtyp në gjuhën e tyre, bile deri më 1909 as alfabet unik, pa administratë shtetërore në gjuhën shqipe, dhe si quanin autorët serb popull i pavetëdijësuar kombëtarisht, pa kulture dhe aftësi shtetëformuese. Nga ana tjetër serbët nga mesi i shek. XIX i kishin shkollat e tyre, pandërprerë funksiononte kisha ortodokse (Patrikana e Pejës u ripërtëri më 1557) që mbronte interesat e të krishterëve, ishte Serbia Autonome që mbronte interesat sllave në perandori si dhe aleatët e saj Rusia dhe Austro-Hungaria.
Konfliktet ndëretnike shqiptaro-serbe morën përmasa pas formimit të shtetit autonom serb, shtet në të cilin muslimanët shqiptarë apo të tjerë nuk kishin vend. Që në kryengritjen e parë serbe (1804) u shprehë urrejtja patologjike antimuslimane dhe antishqiptare. Në këtë kryengritje kishte edhe shqiptarë të krishterë, por shumica muslimane sipas obligimeve shtetërore dhe fetare përkrahte veprimet e ushtrisë turke. Kjo ishte një arsye e urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve që u bartë deri në ditët e sotme. Nga ana tjetër vrasja dhe dëbimi i shqiptarëve muslimanë nga Pashallëku i Beogradit dhe pastaj nga gjashtë nahijet, rriti mosbesimin dhe urrejtjen ndaj të krishterëve në pjesët ballkanike të Perandorisë Osmane.