Koncepti se shkencat janë ekskluzivisht produkte të mendjes perëndimore vazhdon të mbetet i pacenuar nga shumë individë edhe sot. Çdo rishikim që do t'u bëhej teksteve enciklopedike në lidhje me historinë e shkencës do ta mbështeste këtë koncept.
Shumica e teksteve përmendin shumë pak, për të mos thënë fare, përparimet e sjella nga shkencëtarët dhe studiuesit indianë e kinezë dhe në veçanti nga ata muslimanë.
Të dhënat që lidhen me datat, emrat dhe subjektet e avancimeve perëndimore janë marrë nga tre burime kryesore: “World Book Encyclopedia” (Enciklopedia e Librit Botëror), “Enciklopedia Britannica” dhe libri 700 faqësh i Isak Asimovit, “Kronologji e shkencës dhe e zbulimeve”. Të dhënat që tregojnë për arritjet e studiuesve muslimanë janë marrë nga referenca të ndryshme që janë shënuar në bibliografinë e këtij libri.
Çfarë mësohet:
Shkenca e gjeografisë u gjallërua gjatë shekujve XV, XVI dhe të XVII-të kur u zbuluan studimet e lashta të Ptolemeut. Trajtimet e para shkencore gjeografike në këtë periudhë u shkruan nga studiuesit evropianë.
Çfarë duhet mësuar:
Që nga shekulli i VIII-të e deri në shekullin e XV-të studiuesit muslimanë shkruan volume të panumërta librash mbi gjeografinë e Afrikës, Azisë, Indisë dhe Kinës. Këto shkrime përfshinë enciklopeditë e para gjeografike, kalendarë dhe harta rrugësh. Kryeveprat e Ibën Battutas në shekullin XIV-të japin një vështrim të hollësishëm të gjeografisë së botës së lashtë. Gjeografët muslimanë të shekullit të X-të e deri në shkullin XV-të i tejkaluan shumë punimet e evropianëve për sa i përket gjeografisë së këtyre vendeve deri në shekullin e XVIII-të. Kryqëzatat sollën shkatërrimin e institucioneve të edukimit, vrasjen e shkencëtarëve dhe zhdukjen e librave të tyre. Ato nuk sollën asgjë të rëndësishme për botën perëndimore në lidhje me gjeografinë.
Çfarë mësohet:
Kimia e ka origjinën e saj në shekullin e XVII-të nga Robert Boili.
Çfarë duhet mësuar:
Një grup i tërë kimistësh muslimanë, si Er-Razi, Xhabri, El-Biruni dhe El-Kindi kryen eksperimente kimike rreth 700 vjet përpara Boilit. Duranti shkruan se ishin myslimanët ata që e futën metodën eksperimentale në këtë shkencë, ndërsa Humbolti i konsideron muslimanët si themeluesit e kimisë.
Çfarë mësohet:
Leonardo da Vinçi (shekulli i XVI-të) u bë babai i gjeologjisë kur vuri re që fosilet e gjetura në male tregonin origjinën e ujshme të tokës.
Çfarë duhet mësuar:
El-Biruni (shekulli i XI-të) bëri pikërisht këtë vëzhgim dhe solli edhe shumë ide të tjera, përfshirë një libër voluminoz mbi gjeologjinë, qindra vjet përpara lindjes së Da Vinçit. Edhe Ibën Sina e vuri re këtë gjë. Është shumë e mundur që Da Vinçi mësoi për këtë koncept nga përkthimet në latinisht të librave të muslimanëve. Ai nuk shtoi asgjë origjinale në këtë fushë.
Çfarë mësohet:
I pari që foli për formimin gjeologjik të luginave ishte Nikolas Desmaresti në vitin 1756. Ai tha se ato ishin formuar për një periudhë të gjatë kohore nga përrenjtë dhe burimet.
Çfarë duhet mësuar:
Ibën Sina dhe El-Biruni e bënë këtë zbulim gjatë shekullit të XI-të, rreth 700 vjet para Desmarestit.
Çfarë mësohet:
Galileo (shekulli i XVII-të) ishte i pari eksperimentues i madh i botës.
Çfarë duhet mësuar:
El-Biruni (v. 1050) ishte i pari eksperimentues i madh i botës. Ai shkroi më tepër se 200 libra, shumë prej të cilëve trajtojnë eksperimentet e tij të sakta. Kontributi i tij shkencor, që arrin në 13 mijë faqe, ia kalon shkrimeve të Galileit dhe Njutonit të marra së bashku.
Çfarë mësohet:
Italiani Xhovani Morganji konsiderohet si babai i patologjisë sepse ishte i pari që përshkroi saktë natyrën e sëmundjes.
Çfarë duhet mësuar:
Kirurgët muslimanë ishin patologët e parë. Ata e kuptuan plotësisht natyrën e sëmundjes dhe përshkruan një sërë sëmundjesh në detaje. Ibën Zuhri përshkroi saktësisht natyrën e sëmundjes së pleuritit, të perikarditit dhe të tuberkulozit. Ez-Zahravi dokumentoi saktësisht patologjinë e ujit në tru dhe të sëmundjeve të tjera të lindura. Ibën el-Kufi dhe Ibën Eln-Nafsi dhanë përshkrime perfekte të qarkullimit të gjakut.
Kirurgë t tjerë muslimanë dhanë përshkrimet e para të sakta të disa sëmundjeve kanceroze, si të kancerit të stomakut, të zorrëve dhe të ezofagut. Këta kirurgë ishin baballarët e patologjisë dhe jo Xhovani Motganji.
Çfarë mësohet:
Pol Erliç (shekulli i XIX-të) ishte i pari që futi terapinë me ilaçe, d.m.th. përdorimin e disa llojeve të caktuara ilaçesh për të vrarë mikrobet.
Çfarë duhet mësuar:
Mjekët muslimanë përdorën një sërë substancash të caktuara për të vrarë mikrobet. Ata përdorën sulfurin kundër zgjebes, kurse Er-Razi 9shekulli i X-të) përdori përzierje merkuri si antiseptikë lokalë.
Çfarë mësohet:
Alkooli i pastër që nxirrej nga distilimi u prodhua për herë të parë nga Arnan de Vilanova, një alkimist spanjoll në vitin 1300e.r..
Çfarë duhet mësuar:
Një sërë kimistësh muslimanë prodhuan alkool të distiluar për qëllime mjekësore që në shekullin e X-të. Ata bile prodhonin në masë pajisjet që nevojiteshin për distilimin e alkoolit që duhej përdorur në eksperimente kimike. Ata e përdorën alkoolin si tretës dhe si antiseptik.
Çfarë mësohet:
I pari operacion i kryer me anestezi të marrë nga hundët u krye nga amerikani C.W. Long në vitin 1845.
Çfarë duhet mësuar:
600 vjet përpara Longut, në Spanjën islamike Ez-Zahravi dhe Ibën Zuhri bashkë me disa kirurgë të tjerë muslimanë kryenin qindra operacione me një anestezi të tillë, e cila bëhej me përdorimin e gazrave të lagura me narkotikë që vendoseshin në fytyrë.
Çfarë mësohet:
Gjatë shekullit të XVI-të, Paraselsusi shpiku përdorimin e opiumit për anestezi.
Çfarë duhet mësuar:
Mjekët muslimanë i prezantuan vlerat e opiumit për anestezi që në mesjetë. Opiumi përdorej fillimisht për anestezi nga grekët. Paraselsusi ishte një student i Ibën Sinasë dhe është e sigurtë që ideja e tij është marrë nga studimet e Ibën Sinasë.
Çfarë mësohet:
Anestezia moderne u shpik nga Humfrei Deivi dhe Horac Uells në shekullin e XIX-të.
Çfarë duhet mësuar:
Anestezia moderne u zbulua, u zotërua dhe u perfeksionua nga myslimanët 900 vjet përpara Devit dhe Uellsit. Ata përdorën anestezi që merrej nga goja dhe nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes.
Çfarë mësohet:
Koncepti i karantinës u prezantua në vitin 1403 në Vencia, ku ligji i ndalonte të huajt të hynin në qytet pa kaluar një periudhë e caktuar kohore. Nëse deri atëherë nuk shfaqej asnjë shenjë sëmundjeje, atëherë ata lejoheshin të hynin në qytet.
Çfarë duhet mësuar:
Koncepti i karantinës u prezantua për herë të parë në shekullin e VII-të nga Pejgamberi Muhammed alejhi selam, i cili e ndaloi hyrjen apo daljen nga zona që vuante nga ndonjë epidemi. Që nga shekulli i X-të, mjekët muslimanë filluan përdorimin e dhomave apo pavijoneve të izoluara për pacientët që kishin sëmundje ngjitëse.
Çfarë mësohet:
Përdorimi shkencor i antiseptikëve në kirurgji u zbulua nga kirurgu anglez Xhosef Lister në vitin 1865.
Çfarë duhet mësuar:
Që nga shekulli i X-të, mjekët dhe kirurgët muslimanë përdornin alkoolin e distiluar si agjent antiseptik kundër plagëve. Kirurgët në Spanjën islamike përdorën metoda speciale për përdorimin e antiseptikëve përpara dhe gjatë operacioneve. Ata gjithashtu lëshuan protokolle të veçanta për mirëmbajtjen e higjienës gjatë periudhës pas operacionit. Suksesi i tyre arriti maja aq të larta, saqë titullarë nga Evropa erdhën në Kordovë, Spanjë, për t’u kuruar në atë që quhej “Ajka e Klinikave të Mesjetës”.
(Shkëputur nga libri: “Ndreqja e gabimit: Mrekullia e Shkencës Islame”)
Marrë nga:
Revista “Argumenti” nr. 52, Korrik 2006.