(Pjesa e parë) Falënderimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje e ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij. "O ju që keni besuar, keni frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni (ndryshe), pos duke qenë muslimanë!" [Ali Imran, 102]
"O ju besimtarë, keni frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh." [Ahzabë, 70-71] Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid'at dhe çdo bid'at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr... Vëllezër besimtarë! “Të falënderoj, faleminderit, ia di për faleminderit”, këto shprehje, fjalë të bukura përdoren për të shprehur mirënjohje. Çka është falënderimi? Si të falënderojmë? Kujt t’i falënderohemi? Të mirat e Allahut subhanehu ve teala janë të shumta sa që nuk mund të numërohen e të përcaktohen, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato. Me siguri Allahu shumë fal dhe shumë mëshiron..” [Nahl, 18] Jemi të obliguar ta falënderojmë Allahun për këto dhunti. Falënderimi mund të bëhet në disa mënyra: 1. Falënderimi me zemër, 2. Falënderimi me gjuhë, dhe 3. Falënderimi me vepër. Falënderim me zemër do të thotë bindje e fuqishme se Allahu është Zot, Krijues, Sundues, Furnizues, i Pastër, Mbikëqyrës, Mbizotërues, dhe kështu bënë konfirmim të brendshëm për të mirat e pakufishme. Mirënjohja që duhet të bëhet me anën e gjuhës është shprehje dhe paraqitje e asaj që është në brendësi. Falënderimi me vepër arrihet duke i përdorur dhuntitë e Allahut në formën më të mirë. Këto janë llojet që kërkohen të manifestohen te njeriu, por ajo esenciale është veprimi ku shton bindjen në zemër. Falënderimi ka një pozitë të rëndësishme në fe, ku nëpër mjet ajeteve dhe haditheve të Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem mund ta kuptojmë edhe më mirë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” [Nahl, 78] Njeriu i pajisur me shqisat e të të dëgjuarit, me të parë dhe me zemër, këto janë dhunti të dhuruara që të dëgjohet e vërteta, të studiohet dhe në fund të shprehet falënderimi. S’ka dyshim se falënderimi është i lidhur ngushtë me imanin-besimin, po ashtu ai do të jetë mirënjohës ose përbuzës, ku Allahu xh.sh. ka thënë: “E falënderuat dhe i besuat. Allahu është mirënjohës i dijshëm.” [Nisaë, 147] “Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës.” [Insan, 3] Allahu i Lartësuar njeriun e porositi që të jetë mirënjohës ndaj Krijuesit po ashtu edhe ndaj prindërve: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindërit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjinin. (e porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm te Unë është kthimi juaj.” [Llukman, 14] Allahu xh.sh. na nderoi me të mira të shumta, njeriu është më se i nevojshëm që t’i ruajë këto të mira duke shprehur falënderim dhe mirënjohje. Kur të manifestohet harresa në një popull dhe përbuzë të mirat e dhuruara, Allahu sjell dënimin dhe mbeten të dështuar e të pikëlluar: “Meqë lanë pas dore atë me çka u këshilluan (t’i i drejtohen Zotit), Ne ua hapëm dyert e çdo gjëje (begatie) derisa kur u gëzuan për atë që iu kishte dhënë, i kapëm befas, e ata mbetën të zhgënjyer.” [En’amë, 44] Muslimanë të nderuar! Tradita e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem gjithashtu na motivon për mirënjohje dhe falënderim. Nga Aishja radijallahu anha transmetohet ku thotë: “Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ngrihej natën për namaz aq gjatë sa që këmbët i patën pëlcitur nga dhembja, atëherë unë i thashë: Përse po vepron kështu o i Dërguari i Allahut, kur t’i ka falur ty Allahu mëkatet e mëparshme dhe të pastajmet? Ai tha: “A mos të jem rob falënderues!” [Transmeton Muslimi] Sipas një transmetimi tjetër nga Aishja r.a. transmetohet: I Dërguari i Allahut shpeshherë thoshte në ruku dhe në sexhdet e tij: ”Subhaneke All-llahumme rabbena ve bihamdike, Allahummagfir li” – “Falënderimi të qoftë Ty, Krijuesi ynë dhe qofsh i falënderuar, o Allahu im, më fal...” [Transmeton Buhariu dhe Muslimi] Transmetohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: ”Allahu është i kënaqur me robin, i cili kur han diçka e falënderon Allahun, e po ashtu edhe kur të pijë diçka e falënderon Allahun.” [Transmeton Muslimi]
O rob i Allahut! Mendo dhe falëndero! Fjalët e Allahut subhanehu ve teala dhe mësimet e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem na tërheqin vëmendjen në përkujtimin e të mirave të Allahut subhanehu ve teala që ato na rrethojnë. Përkujto nimetet e Allahut subhanehu ve teala që ato po të vijnë nga të gjitha anët. Shëndeti në trup, ushqimi, veshmbathja, ajri, uji e gjithë dunjaja në shërbim, por prapë nuk po e dinë. Dy sy për të parë, gjuha, buzët, duart, këmbët. Mendon që është lehtë të ecësh me këmbë, pyeti ata që nuk i ka. Ke nevojë për mbështetje, apo për të mbajtur me dorë, pyete atë që nuk e ka dorën. Gjumin nuk e peshon dhe nuk ia dinë rëndësinë, pyete atë që nuk mund të flejë për shkak të dhembjeve apo sëmundjes. Ushqimin e merr dhe e fut në lukth, mendoje këtë dhe falëndero. Mendo për sytë dhe nuk je qorr. Mendo për lëkurën që e ke në trup, dhe sëmundje të lëkurës nuk ke. Mendo në mendjen që e ke, a pajtohesh të mbetesh i çmendur!? A e ndërron të parit me një kodër ari?! A e shet të dëgjuarit për një kilogram ari?! A e shet gjuhën, dorën dhe të mbetesh pa të, për një pallat të mirë?!
O njeri, mendo për të gjitha këto! Mendo për veten tënde, për familjen, për shtëpinë, për punën, për shëndetin, për shokët dhe dunjanë. Kur të zgjohesh, mos e prit mbrëmjen, mendo se do të jetosh vetëm sot, andaj përpiqu dhe puno për ditën që e ke, mos mendo për ditën e djeshme, as për të nesërmen. Ditën e sotme ndaje në orë dhe puno, minutat llogariti vite, sekondat muaj, mbille hajrin, të mirën, kërko falje nga Allahu subhanehu ve teala. Përkujtoje Allahun dhe përgatitu për botën e ardhme. Jeto i gëzuar e i qetë, kënaqu me riskun, me atë që ta ka ndarë Allahu subhanehu ve teala. “Merr atë që të dhashë dhe bëhu mirënjohës.” [A’rafë, 144] Falënderoni Zotin tuaj, falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
(Pjesa e dytë) Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, familjen, shokët e tij dhe mbi ata që e pasojnë Sunnetin e tij. “Është e vërtetë se Allahu dhe melaiket e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëroni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” [Ahzabë, 56] -Allahu im! Të falënderohem për falje, mëshirë, udhëzim, shëndet dhe furnizim! -Allahu im! Të falënderohem për mbrojtjen që ma ofrove nga presionet e sprovave, nga thellësitë e fatkeqësisë. -Allahu im! Të falënderohem për udhëzimin tim në dritën e imanit. -Allahu im! Të falënderohem për përkryerjen e fesë sime, mbrojtjen e jetës sime. -Allahu im! Sundues i Arshit të madh, më ndihmo në falënderim.
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|