Përgjigjja:
Allahu ju bekoftë dhe ju gëzoftë me fëmijën tuaj, dhe ju ndihmoftë që si prind të kujdeseni dhe ta kryeni obligimin ndaj fëmijës tuaj, ku edhe kjo pyetje vjen si shprehje e kujdesit tuaj ndaj fëmijëve. Ne ju falënderojmë për besimin që keni shprehur ndaj redaksisë sonë!
Sa i përket sunetit lidhur me veprimet ndaj fëmijës pas lindjes, janë disa gjëra:
1. Posa të lind fëmija duhet thirrur ezanin në veshin e djathtë dhe ikametin në veshin e majtë.
2. Të bëhet akika për fëmijën në ditën e 7-të, (nëse i kalon e 7-ta, atëherë në të 14-tën, apo në të 21-tën apo edhe në ndonjë ditë tjetër). Akika është që të theren e të përgatiten për t’u ngrënë dy desh për djalin apo një dash për vajzën në ditën e 7-të dhe të ftohen të afërmit, miqtë dhe dashamirët për ta ngrënë së bashku atë ushqim.
3. Në ditën e shtatë t’i rruhen flokët e fëmijës dhe në sasinë e peshës së tyre (me gramë) të jepet sadaka aq gramë të argjendit (apo vlera e atyre gramëve të argjendit në të holla).
4. Në ditën e shtatë t’i ngjitet emri fëmijës, kuptohet emra të mirë dhe me përmbajtje islame. Nuk bën pa arsye të kalojë dita e shtatë pa i vënë emrin fëmijës.
5. Fëmija mashkull të bëhet synet në ditën e shtatë, por mund të bëhet edhe më vonë.
6. Fëmijës vajzë mund t’i shpohen veshët edhe kur është e vogël (nuk është e caktuar me kohë apo me ditë), ngase ajo ka nevojë që të stoliset me stoli të ndryshme kur të rritet si vathët etj.. Ndërsa, djemve nuk lejohet në asnjë mënyrë, as të vegjël e as të rritur. Allahu e di më së miri!
Bahri Curri, 26.03.2006