|
Nuk ka mundur të imagjinojë njeriu se komploti i jobesimtarëve të kurejshitëve për mbytjen e Pejgamberit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, do të kthehet edhe një herë me të njëjtën shpejtësi dhe me të njëjtën metodë. Këtë herë përmes mekanizmave të perëndimorëve, armiqve të arabëve dhe muslimanëve, duke imituar rastin pëllëmbë për pëllëmbe.
Ndryshon rasti, koha dhe vendi, por përputhet realiteti. Allahu thotë: "A mos e porositën njëri-tjetrin me këtë? Jo, por ata janë popull renegat." [Dharijatë, 53] Ebu Xhehli nxitoi me idenë fatkeqe, për të cilën as Iblisit (kryeshejtanit) nuk i kishte shkuar mendja ku në atë rast nuk i mbeti tjetër vetëm se ta miratojë atë mendim duke thënë: “Kjo është ideja e qëlluar”. Ideja pra ishte, qysh atëherë, që të organizohet komplot për mbytjen e Muhammedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, dhe u kërkua që çdo fis të sjellë nga një burrë nga mesi i tyre dhe ta mbysin, në mënyrë që gjaku i tij të shpërndahet nëpër fise - sipas supozimit të tyre -. Ndërsa, sot, kur Danimarka mori përgjegjësinë me arrogancë për fyerjen e Pejgamberit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të; në momentin kur Bota Islame u pozicionua ndershëm kundër këtij terrori të papranueshëm, në kohën kur shteti në fjalë u trondit nga stresi i pasojave të agresionit që kishte ndërmarrë, sidomos bojkotit ekonomik që kishin ndërmarrë muslimanët, ndaj një shteti ku sisa e lopës konsiderohet më e çmuar se pusi i naftës te poseduesit e saj, në këtë rast u ngrit furishëm Perëndimi duke u pozicionuar fëlliqësisht me këtë shtet të padrejtë për ta shkatërruar atë bojkot (në mënyrë që pasojat e tij të shpërndahen në ato shtete, e jo të mbesin me një shtet të vetëm), dhe që në këtë formë pastaj të thonë disa muslimanë: “Ne nuk kemi fuqi që t'i luftojmë të gjithë ata popuj për shkaqe të njohura për atë që ka sy, mendje e veshë”. Për këtë arsye, vigjilenca, vendosmëria dhe mosdorëzimi, ishin të patjetërsueshme kundër këtij komploti. Kjo gjë kërkon që bojkoti ekonomik të kufizohet vetëm ndaj shtetit, i cili e lëvizi këtë trazirë, e cila ishte duke fjetur “Allahu e mallkoftë atë që ngjallë turbullira” siç thuhet, dhe kështu të vazhdohet me të dhe të aktivizohet, sepse ai bojkot filloi t'i japë frytet e tij me lejen e Allahut. Kryeredaktori i gazetës keqbërëse tha: “Unë duhet të them dhe ndihem i turpëruar: Ata (muslimanët) fituan”. Andaj, me shumë kujdes, mos të lihet hapësirë për ta copëtuar këtë pozicionim dinjitoz duke nxituar me thirrjen për bojkotimin e të gjitha këtyre shteteve. Në këtë gabim dëshiron të na tërheq Perëndimi zemërligë, sepse ata e dinë se kush e lufton një individ nuk është sikur ai që i lufton dhjetë dhe se me thirrjen për bojkotim të të gjitha atyre shteteve, e dinë se do të dalin njerëz nga mesi ynë që e kundërshtojnë këtë bojkot, për arsye se kjo gjë i cenon interesat e tyre individuale në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në këtë rast, do të shtriheshin mospajtimet dhe do të shtoheshin polemikat, dhe beteja kundër armikut do të shndërrohej në betejë të brendshme, ku rezultati i pashmangshëm do të ishte dështimi, mos dhashë Allahu të bëhet. "... e mos u përçani mes vete e të dobësoheni e ta humbni fuqinë." [Enfalë, 46] Kjo nuk do të thotë se ato shtete janë të pafajshme apo nuk e meritojnë dënimin. Assesi, por politika e mirëfilltë në këtë rast kërkon sjellje urtësisht me ngjarjen në fjalë si dhe moscopëtimin e përpjekjeve, apo lëvizje me vrulle emocionale, rezultatet e të cilave janë të papritura, e të mos flasim për hyrje në ndonjë betejë, mjetet e së cilës nuk i posedojmë. Që lufta të kufizohet vetëm ndaj shtetit iniciues të problemit, bëhet për arsye se vetë ai shtet e mori përsipër arrogancën e kësaj ngjarjeje (botimit të karikaturave) - iniciuesi është më mizori - si dhe ai trasoi atë rrugë të keqe. Kështu që atij i takon ta bartë barrën e asaj ideje si dhe barrën e atyre që punojnë me të. Andaj, bëjeni atë shtet shembull për atë që mendon, duke e vërtetuar fjalën e Allahut të Madhërishëm ku thotë: "...ashtu që me duart e veta dhe me duar të besimtarëve rrënonin shtëpitë e veta; pra merrni përvojë o ju të zotët e mendjes." [Hashr, 2] Po ashtu Allahu thotë: "...ti (Muhammed) me shkatërrimin e tyre shpartallo ata që të marrin mësim." [Enfalë, 57] Ndërsa rruga e shpëtimit mund të nxirret prej fjalës së Allahut: "Dhe kapuni që të gjithë për litarin (fenë) e Allahut, e mos u përçani!" [Ali Imran, 103] Dhe në fund: "O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe ruajuni dënimit të Allahut në mënyrë që të shpëtoni!" [Ali Imran, 200]
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|