|
Shënon Buhariu dhe të tjerët nga Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të se i Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat vepra e mirë është më e dashur tek Allahu sesa në këtë ditë (duke nënkuptuar dhjetë ditët e dhulhixhes).” I thanë: O i Dërguar i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, as xhihadi në rrugën e Allahut? “As xhihadi, përveç nëse ndokush del vet dhe me pasurinë e vet dhe nuk kthehet me asgjë (vritet vet dhe e sakrifikon pasurinë)”, u përgjigj.” [Buhariu, 969 dhe Ebu Davudi, 2438]
Ndërsa, Imam Ahmedi (5446) shënon nga transmetimi i Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Nuk ka ditë që vepra të jetë më madhështore dhe më e dashur tek Allahu sesa këto dhjetë ditë. Andaj sa më shumë shqiptoni tehlil, tekbir dhe tahmid.” (Tehlil është të shqiptuarit “La ilahe il-lall-llah”; tahmid është të thënit “El-hamdu lil-lah”; ndërsa tekbir është të thënit “Allahu ekber”). Shënon edhe Ibn Hibbani në “Sahihun” e tij (3853) nga transmetimi i Xhabirit , Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë më të vlefshme tek Allahu sesa dita e Arafatit.” Veprimet që është mirë të bëhen këtyre ditëve:
- Kryerja e haxhit dhe e umres. Kjo, madje është vepra më e mirë që mund ta bëjë njeriu në këto ditë. Për vlerën e kësaj flasin disa hadithe. Prej tyre veçojmë fjalën e të Dërguarit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Umreja deri në umre i shlyejnë mëkatet ndërmjet tyre, ndërsa për haxhin e kryer mirë (mebrur) nuk ka shpërblim përvec xhenetit.” Si dhe shumë hadithe tjera autentike. Shih Sahihun e Buhariut (1773) dhe Sahihun e Muslimit (1349).
- Agjërimi i këtyre ditëve apo i disa prej tyre, sidomos ditën e Arafatit. S’do mend se agjërimi si veprim është prej veprave më të mira dhe për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e ka veçuar atë për Vete sikur qëndron në hadithin kudsij: “Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Ai (agjëruesi) e braktisë ushqimin, pijen dhe epshin e vet për hirë Timin.” [Musnedi i Ahmedit, 9112; Sahihu i Buhariut, 7492; dhe Sahihu i Muslimit, 1151] Nga Ebu Seid Huderiu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur njeriu e agjëron një ditë në rrugën e Allahut, Allahu ia largon fytyrën prej zjarrit shtatëdhjetë vjeshta.” [Sahihu i Buhariut, 2840; dhe Sahihu i Muslimit, 1153] Shënon Muslimi (1162) nga Ebu Katade, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit shpresoj se Allahu për të i falë mëkatet e një viti para dhe një viti pas.”
- Tekbiri dhe dhikri në këto ditë. I Madhërishmi thotë: “Dhe ta përmendin emrin e Allahut në ditë të njohura.” [Haxhxh, 28] Ditët e njohura të përmendura në ajet janë komentuar si dhjetë ditët e dhulhixhes. Dijetarët konsiderojnë se është mirë të bëhet shumë dhikër në to, sepse sipas transmetimit të sipërcituar të Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, që e shënon Ahmedi, i Dërguari ka thënë: “...andaj sa më shumë bëni tehlil, tekbir dhe tahmid.” Buhariu potencon nga Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, se të dytë dilnin në treg në këto dhjetë ditë dhe shqiptonin tekbir, e me këtë rast edhe njerëzit shqiptonin tekbir. Is’haku shënon nga fukahatë e tabi’inëve se ata në këto dhjetë ditët shqiptonin: “Allahu ekber Allahu ekber, la ilahe il-lall-llah, vallahu ekber, Allahu ekber ve lil-lahil hamd.” Është mirë që të ngritet zëri me tekbire në rrugë, treg, shtëpi, xhami, etj., nga Allahu ka thënë: “...dhe që ta madhëroni Allahun për atë që u ka udhëzuar.” [Bekare, 185] Nuk duhet të bëhet tekbiri kolektiv ashtuqë një grup njerëzish të shqiptojnë së bashku me një zë, ngase një gjë e tillë nuk është transmetuar nga të parët, por sunneti është që secili të shqiptojë tekbirin për vete dhe kjo vlen për të gjitha lutjet dhe format e dhikrit, përveç nëse kemi të bëjmë me personin që nuk dinë e duhet mësuar duke ia përsëritur derisa ta mësojë. Lejohet që të bëhet dhikër me format dhe fjalitë që i dimë dhe na vijnë lehtë të tekbirit, tesbihut dhe forma legjitime të dhikrit.
- Tevbeja dhe braktisja e të gjitha mëkateve dhe veprave të këqija ashtuqë me këtë të meritohet ndjesa, falja dhe mëshira, ngase mëkatet janë shkak i largimit nga mëshira e Allahut. Në hadithin që e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, qëndron se i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu xhelozon dhe xhelozia e Tij vjen në shprehje kur besimtari vepron atë që Ai ia ka ndaluar.” [Buhariu, 5223; Muslimi, 2761]
- Shumimi i veprave të mira, adhurimeve vullnetare, namazit, sadakasë, xhihadit, leximit, urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, etj., ngase këto janë veprime që shpërblehen shumëfish në këto ditë. Kjo është kështu, sepse veprat në këtë kohë edhe nëse rëndom janë më pak të vlefshme, bëhen më të vlefshme sesa ato shumë të vlefshmet në kohët tjera, sikur është rasti i xhihadit, i cili është prej veprave më të mira, përveç nëse njeriu sakrifikon pasurinë dhe derdh gjakun e vet.
- Në këto ditë është mirë që të shqiptohet tekbiri i përgjithshëm në çdo kohë dhe vend deri në namazin e bajramit, si dhe tekbiri i veçantë që shqiptohet pas namazeve farze që falen me xhematë. Për ata që nuk janë në haxh ky tekbir fillon me namazin e sabahut të ditës së Arafatit (natës së bajramit), ndërsa për haxhinjtë fillon me namazin e drekës së ditës së bajramit dhe vazhdon deri në namaz të ikindisë të ditës së tretë të bajramit.
- Therja e kurbanit në ditën e bajramit apo ditët vijuese, e kjo është tradita e babait tonë Ibrahimit kur Allahu ia shpengoi djalin me një kurban të madh. Transmetohet në mënyrë autentike se i Dërguari i Allahut i ka bërë kurban dy desh të majmë me brirë, i ka therur me dorën e vet duke përmendur emrin e Allahut, shqiptuar tekbirin dhe e ka venduar këmbën e vet mbi qafët e tyre. [Buhariu, 5557; Muslimi, 1966]
- Shënon Muslimi (1977) dhe të tjerët nga Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur me të se i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur ta shihni hënën e re të dhulhixhes e doni të therni kurban, mos u nënqethni dhe mos i preni thonjtë.” Sipas një versioni: “Mos t’i prekë qimet e as thonjtë derisa të therë kurbanin.” Kjo ndoshta është që t’i përngjajë atij që shkon në haxh dhe e marrin kurbanin me vete, ngase Allahu i Madhëruar thotë: “...dhe mos i rruani kokat tuaja derisa kurbani të mos arrijë në vendin e vet.” [Bekare, 196] Kjo ndalesë vlenë për atë që donë të therë kurban e jo për gruan dhe fëmijët e tij, përveç nëse edhe ndonjëri prej tyre do të therë kurban ndaras. Nuk ka asgjë të keqe në larjen e kokës dhe të fërkuarit e saj madje edhe nëse bie ndonjë qime e kokës.
- Muslimani duhet të mundohet që ta falë namazin e bajramit kudo që të falet, të prezentojë në hutbe dhe të përfitojë prej saj. Ai duhet gjithashtu të kuptojë urtësitë e festës së bajramit e cila është festë e falënderimit, mirënjohjes dhe bamirësisë. Assesi nuk duhet ta shndërrojë në ditë të mëkatit, arrogancës, tolerancës në veprime të patolerueshme mëkatare, si: muzikë, pije dehëse, etj., që mund të jetë shkak për shkatërrimin dhe asgjësimin e veprave të mira të kryera gjatë kësaj kohe.
- Pas gjithë kësaj, duhet që çdo musliman dhe muslimane t’i shfrytëzojë këto ditë në përulje ndaj Allahut, dhikër, falënderim, kryerje të obligimeve dhe largim nga ndalesat. Të shfrytëzohet ky sezon për të na kapluar mëshira e Allahut dhe për të merituar kënaqësinë e tij. Allahu është i vetmi që jep sukses dhe udhëzon në rrugën e drejtë, paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, familjen dhe shokët e tij.
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|