Të dashur vëllezër dhe motra!
Unë po ju kujtoj këtë çështje të rëndësishme me rastin e ditëve te fundit të këtij viti, vit ky që u largua dhe punët tona nuk kthehen më deri në Ditën e Gjykimit. A nuk na kujton ne, kjo ikje, fundin e shpejtë të kësaj bote. Ditët ikin, vitet kalojnë dhe ne mbetemi të pakujdesshëm. Ky vit është dëshmitar për punët tona të mira të bëra në të dhe akuzues për mosshfrytëzimin e tij me punë të mira. Ai që mendon, shikon dhe dëgjon për aksidentet, krimet dhe vrasjet mbi këtë tokë le ta dijë sa e ngushtë është gropa e varrit, që është e mbushur me krimba.
Le të zgjohet nga gjumi i gjatë, le të shfrytëzojë kohën e mbetur, sepse vdekja që këtë herë neve na la, do të përgatitet të na marrë herën tjetër. Të tregohemi të kujdesshëm, sepse Allahu nuk ia vonon njeriut çastin e vdekjes kur ai vjen. Sa prej vëllezërve, të dashurve, shokëve, të afërmve na kanë lënë lamtumirën (kanë vdekur) në vitin që kaloi. Janë larguar nga sytë tanë e tani janë poshtë dheut. Sa shumë shembuj ka dhe sa pak përfitojmë prej tyre!! Me mosbindjen dhe zemërngurtësinë tonë që demonstrojmë ndaj Allahut ne vazhdojmë të pëlqejmë jetën e kësaj bote megjithatë dita-ditës shikojmë njerëz që vdesin.
Po ju kujtoj juve o motra dhe vëllezër të nderuar, se ne jemi përgjegjës për kohën dhe punët tona. Le t’i kërkojmë llogari vetes tonë për vitin që sapo kaloi. Ç’punë të mira kemi bërë në atë vit? Le të pyes secili prej jush vetveten për kohën që kaloi gjatë atij viti, a e shfrytëzuat atë si duhet, e nëse e ka bërë një gjë të tillë le ta falënderojë Allahun dhe ta lusë Atë që t’i shtojë sa më tepër, sepse zemrat janë mes dy gishtave të Mëshiruesit, i kthen ato ashtu siç do, e nëse ka bërë të këqija le të pendohet dhe të kërkojë falje tek Allahu për çka ka kaluar. Më e mira është që personi t’i bëjë llogari vetes së tij të paktën çdo fund viti dhe të pendohet sinqerisht duke shpalosur një fletë të re me punë të mira. Pendim quhet keqardhja për punën e keqe të bërë, largimi nga gjynahet dhe bërja e punëve të mira. Allahu është Ai të cilit nuk i fshihet asnjë gjë sado e vogël qoftë ajo në tokë apo në qiell. Ai është Zoti ynë, i Dituri i të fshehtave.
Ebu Derda dhe Hasan Basri kanë thënë: -O biri i Ademit, ti je si ditët, kur ato kalojnë ikën një pjesë prej teje (jetës tënde).
Kur i ka ardhur vdekja një prej sahabëve, ai nisi të qajë, i thanë atij: - O shok i Pejgamberit alejhi selam, a po qan për këtë botë që po e lë pas? Ai tha: - Për Zotin, nuk po qaj për botën që po lë pas, por po qaj për atë që më ka ikur mua nga agjërimi i ditëve shumë të nxehta (më të gjata ditë të vitit) dhe zgjimin për falje natën në dimër (netët më të gjata të vitit) dhe takimet me ata njerëz që flasin me fjalët më të bukura. Bota është toka ku mbillet për ahiretin dhe vend i sprovave siç thotë Allahu në Kur’an:
“Për t’ju provuar juve cili është më vepërmirë.” [Mulk, 2]
Të përgatitim punët tona për botën tjetër, sepse shembulli ynë është si i një personi që hip në tren. Kur ne rrimë ulur në karrige, në drejtimin e trenit apo në të kundërtën e tij, shpejtësia e trenit nuk ndryshon, pra treni përsëri ecën. Po kështu, në këtë botë, zgjuar qofshim apo fjetur, përsëri vdekja do të na vijë. Pra, vdekja është nisur drejt nesh, le t’i thërrasim mendjeve tona dhe të bëjmë punë të mira. I fituar është ai që e shfrytëzon jetën e tij në kënaqësinë e Allahut. Andaj me kalimin e viteve na lind si detyrë të përmirësojmë gjithnjë e më mirë veten tonë dhe të kapemi fort pas akides (besimit) dhe fesë tonë të drejtë. Suksesi do të jetë i muslimanëve nëse ata do të punojnë për Zotin e tyre dhe të lënë pas dore veprat që s’kanë të bëjnë me fenë. Kanë për të pasur mundësi për të ngritur flamurin islam, mbi të cilin shkruhet: “LA ILAHE IL-LALL-LLAH MUHAMMEDUN RESULULL-LLAH.” Flamur ky që e kanë ngritur edhe të parët e këtij Ummeti, Allahu i mëshiroftë.
Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, Pejgamberi ynë, ka thënë një fjalë, që në ditët tona shohim realizimin e saj. Ai tha:
“Do t'i pasoni traditat e popujve që kanë qenë para jush, pëllëmbë pas pëllëmbe, krah pas krahu, madje edhe nëse hynë në vrimën e hardhucës do t'i pasonit.” [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
Prej fatkeqësive që i ka goditur muslimanët në kohën tonë është përngjasimi i tyre me të pafetë, jehudët dhe të krishterët. Shpeshherë i sheh ata se si të verbëruar imitojnë traditat e të huajve, veshmbathjen e tyre, madje edhe festat e tyre ua madhërojnë. Pikërisht festimi i Vitit të Ri sipas kalendarit gregorian, jep të kuptojmë se sa muslimanët imitojnë të tjerët, duke pasur parasysh faktin se festa e Vitit të Ri është festë e jomuslimanëve. A mund të ketë fatkeqësi më të madhe se pasimi i armiqve dhe zënia e tyre për miq?!