Tragjedia e të parës pilote në një kompani private.
(Pa marrë parasysh se u zgjodh Miss Egjipti në vitin 1989, dhe iu ofruan raste të ndryshme për aktrim e popullaritet publik, ajo zgjodhi pilotimin, gjë, për të cilën udhëtoi në Amerikë, studioi dhe e përvetësoi mirë, shpenzoi më se 120 mijë xhunejh (paund egjiptian), dhe u kthye në Kairo e përgatitur dhe e aftë për pilotimin e aeroplanëve. Ishte femra e parë pilote, dhe e filloi punën në një kompani ajrore private. Kur vendosi që ta vesh hixhabin filloi shtërngata e stuhive. E përjashtuan nga puna! Ia përmbysën ëndrrën të cilën e realizoi me mund dhe angazhim të madh. Ngjarje e çuditshme dhe prekëse. “Laha” e takoi piloten kapiten Nejrin Salim, e cila na i dëftoi të gjitha hollësitë. Bisedoi me zemërim, e vendosur dhe sfiduese.)
Kairo “Laha”: Në fillim e pyetëm për jetën e saj para mësimit të pilotimit, dhe para fitimit të titullit “Miss Egjipti”, ajo tha:
Nejrin Salim: Kam lindur në një familje të pasur, babai im është Dr.Ahmed Semir Salim, Kryetar i Organizatës së Medicinës Veterinarike dhe zëvendësministër i agronomisë, ndërsa nëna është këshilltare në Ministrinë e Financave. Kam marrë pjesë në zgjedhjen e Miss Egjiptit kur isha studente në vitin e fundit në fakultetin e turizmit në vitin 1989 ku e vërtetova një kuptim të vetëm, e ai është se bukuria e femrës nuk është vetëm në pamjen e saj, por në kulturën e saj. Edhe pse fitova titullin dhe vendosa të marr pjesë edhe në garat e Miss Botës në Hong Kong, u tërhoqa dhe refuzova të marrë pjesë, sidomos pasi u befasova se ata na e kushtëzonin pjesëmarrjen me veshjen e kostumeve të larjes. Gjë, e cila tregon se isha një vajzë normale, e thjeshtë dhe nuk i tejkaloj kufijtë. Në të njëjtën kohë nuk isha edhe fetare, këtë e tregon vetë fakti i pjesëmarrjes sime në këto gara, ku me fitimin e titullit “Miss Egjipti” m’u ofruan mundësi të pjesëmarrjes në filma kinematografik, shpallje e propaganda etj., por që të gjitha i refuzova, ngase nuk isha e prirur për këto, se ëndrra ime ishte që të bëhem pilote. Ia paraqita familjes dëshirën time për mësimin e pilotimit, por ata në fillim refuzuan nga frika e tyre për mua dhe nga habia se si femra të bëhet pilote, mirëpo këmbëngulja ime i bëri ata që të pajtohen dhe të më ofrojnë çdo ndihmë materiale dhe morale. Udhëtova në Amerikë, u regjistrova në njëren prej shkollave të njohura për mësimin e pilotimit në shtetin e Kalifornisë, dhe duke e falënderuar Allahun arrita ta marrë kualifikimin për pilote nga organizata amerikane FAA, diplomë, e cila dëshmon cilësinë më të lartë të kualifikimit në pilotim. E tërë kjo nuk është realizuar brenda një dite e një nate, por pas 275 orëve pilotim dhe pas shpenzimit të 120 mijë xhunejh (paund egjiptian) nga pasuria ime personale. U ktheva në Kairo, fillova punën në një kompani private të aeroplanëve, e quajtur “Shuruk”, e cila është kompani egjiptiane dhe disponon 51% të aksioneve dhe investimeve të aeroplanëve në Egjipt, ndërsa kompania ajrore kuvajtiane disponon me pjesën tjetër. U bënë ca provime për verifikimin e kualifikimit dhe ajo u dëshmua me një cilësi të lartë, këtë e dëshmoi edhe vetë drejtori i komisionit provues kapiteni Muhammed Besjun, me këtë edhe fillova punën në këtë kompani në prill të vitit 1999. Isha pilotja e parë në kompanitë ajrore, madje numri i piloteve në tërë Egjiptin është më pak se dhjetë, që do të thotë se ishim monedhë e rrallë. U sistemova në punë dhe pas një kohe u bë avancimi im në detyrë nga ndihmëspiloti (B) në ndihmëspiloti (i parë), dhe orët e mia të pilotimit nëpër vende të ndryshme të botës kalojnë 1900 orë. Hixhabi “Laha”: Si e morre vendimin që të mbulohesh dhe si ndodhën problemet për shkak të mbulesës? Nejrin Salim: Në vitin 1998 e bëra haxhin, mirëpo nuk isha e mbuluar dhe as nuk isha e rregullt në namaz, e ndjeja se jam e shkujdesur në adhurimin tim ndaj Zotit, por asnjëherë nuk e paramendoja se do të mbulohem, ose thënë më mirë po turpërohem, ngase tërë ajo që bëra ishte se e vendosa shaminë, e cila m’i mbulonte vetëm flokët dhe qafën, ndërsa rrobat tjera ishin të zakonshme, i vishja pantallonat e gjera, dhe e bëja jetën time normale. Vendimi për t’i mbuluar flokët e mia më erdhi në ramazanin e kaluar gjatë përcjelljes së një ligjërate fetare të shejhut Muhammed Gazali, Allahu e mëshiroftë, në televizionin egjiptian, ku fliste për vdekjen, dhe se besimtari i vërtetë, i cili e pason Zotin e tij, e i zbaton urdhërat e tij, do ta gëzojë qetësinë shpirtërore në dunja e do të shpërblehet me xhenet në ahiret. Në atë moment i thashë burrit tim, Dr.Ali Sa’d Zaglul, i cili ishte duke e përcjellur programin së bashku me mua: A ke gjë kundër nëse unë mbulohem? Ai tha: Nga unë nuk ke kurrfarë pengese, por të këshilloj që të mos ngutesh e të mendohesh mirë, ngase ky është një vendim i rëndë dhe se do të përballesh me probleme në punën tënde. Unë i thashë atij: Bekimi i Allahut qoftë me ne! Kjo ndodhi afërsisht dhjetë ditë pas fillimit të ramazanit, shkova në punë me datën 28 nëntor dhe kolegët e mi mendonin se do ta bart hixhabin vetëm gjatë muajit ramazan, por ata u befasuan kur u thashë se do ta vesh përherë dhe ata u çuditën, megjithatë shumica e kolegëve ma uruan dhe ma tërhoqën vërejtjen për problemet, të cilat mund t’i kem prej përgjegjësve të kompanisë, unë iu thashë: Allahu është Ai, prej të Cilit kërkohet ndihmë, unë nuk po bëj ndonjë gabim e sa i përket uniformës nuk po i shkeli ligjet e kompanisë, shamia është me ngjyrën e uniformës dhe jam e gatshme ta vendosi simbolin e kompanisë në të, ngase unë e kuptoj plotësisht natyrën e punës sime dhe jam e gatshme të gjejmë një zgjidhje mesatare. Në fakt shkova në punë tre ditë me hixhab, u vendos emri im në listën e fluturimeve në relacionin Kairo-Aksar-Paris, vajtje e ardhje. Problemi nuk shpërtheu derisa dola në tokën e aeroportit për fillimin e fluturimit, udhëheqësi i fluturimit kapiten piloti Tarik Anan më tha: Kjo veshja jote ngërthen probleme me përgjegjësit e kompanisë, ndaj patjetër duhet ta marrësh pëlqimin e tyre. I thashë: Unë nuk jam duke i shkelur rregullat e uniformës. I bëri telefonatë kapitenit Zahir Zekij drejtor i veprimeve, i cili tha: Heqja e hixhabit është kusht për pjesëmarrje në fluturim. Ose përndryshe do të shlyhet emri im nga lista menjëherë. Unë ngula këmbë në mendimin tim, e ata këmbëngulën në kërkesën e tyre, kështu që u caktua dikush tjetër për këtë udhëtim dhe u kërkua nga unë zgjedhja e problemit me admiralin Hilmi Seruri, drejtor ekzekutiv në kompani. Shkova tek ai, dhe u befasova kur ai ma ofroi njëren prej dy zgjedhjeve: Ose veshjen e hixhabit, ose vazhdimin në punë, e asesi nuk ka mundësi të bashkohen që të dyja në të njëjtën kohë! I thashë: Rregullat e kompanisë dhe kontrata e saj nuk e cekin një gjë të tillë, këto janë specifikat e uniformës dhe hixhabi nuk është në kundërshtim me këto udhëzime. Ai më tha: Këto janë rregulla gojore, e ato të shkruarat nuk kanë vlerë në këtë rast. I bëri telefon drejtorit të veprimeve e i tha: Nëse nuk e heq hixhabin, i shlyhet emri nga lista e punës dhe i ndalet mëditja! Me të vërtetë më përjashtuan nga puna më 31 dhjetor 2001, e as që ma dhanë mëditjen e dhjetorit, madje refuzuan të ma japin edhe vendimin zyrtar me shkrim të përjashtimit tim nga puna, por më thanë se do të ta dërgojmë me postë. Akoma deri më tani, pas tre muaj të përjashtimit tim nga puna, nuk më ka arritur ky vendim me shkrim. Çështja nuk u ndal këtu, por shkoi edhe më larg, drejtori ekzekutiv më tha: Ti nuk do të punosh te ne përderisa ta heqësh hixhabin, madje edhe atë në zyrën time, e nëse na pëlqen forma jote, atëherë vendosim se a do ta vazhdosh punën tënde me ne. Ai poashtu më informoi se ata do ta ngrisin akuzën kundër meje dhe do të kërkojnë kompenzim në vlerë të katërdhjetë e pesë mijë dollarëve, ky është dënimi për atë që jep dorëheqje apo për atë që dëshmohet moskualifikimi adekuat i tij. Pra, zgjedhja e vetme është heqja e hixhabit! Cilësitë e uniformës “Laha”: Cilat janë cilësitë zyrtare të uniformës sipas kontratës? Nejrin Salim: Uniforma dimërore është kapela, palltoja, pantallonat, që të gjitha me ngjyrë të kaltërt të errët, këmisha e bardhë, kravata, çorapët dhe këpucët e lëkurës të zeza të pa zbukuruara. Ndërsa, uniforma verore është kapela dhe pantallonat me ngjyrë të kaltërt të errët, këmisha e bardhë me mëngë të shkurtëra, kravata, çorapët dhe këpucët e lëkurës të zeza të pa zbukuruara. E kam zbatuar këtë rregull në tërësi me përjashtim se unë i kam mbuluar edhe flokët. “Laha”: A ekziston ndonjë kompani ajrore joegjiptiane, në të cilën pilotja femër mund të vesh hixhabin? Nejrin Salim: Po, ekzistojnë disa kompani ajrore shtetërore dhe private, në të cilat nuk pengohet femra që ta vesh hixhabin si në Pakistan, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe. “Laha”: Nëse kompania të largon ty si femër nga puna për shkak të hixhabit, a ka ndonjë rregull që i largon meshkujt nga puna për shkak të mjekrës që e lëshojnë? Nejrin Salim: Kjo është e çuditshme! Duke e ditur se hixhabi është obligim i domosdoshëm fetar (farz), ai është i ndaluar në kompaninë tonë, ndërsa lëshuarja e mjekrës për pilotët meshkuj është i lejuar kur e dimë se ajo është sunnet (i fortë-vaxhib)! A nuk është kjo njëanshmëri, a nuk është kjo kundër femrës? Habitem se si të gjitha organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të femrës që gjenden në Egjipt nuk u angazhuan për përkrahjen dhe mbrojtjen e të drejtës dhe lirisë sime personale! Ankesë pa dobi “Laha”: Pse nuk është ngritur ky problem deri te organet më të larta përgjegjëse të kompanisë dhe jashtë saj? Nejrin Salim: Kam bërë një ankesë në Zyrën e Punës të Ministrisë së Forcave Punuese, ma kanë dhënë vendimin për kthimin tim në punë dhe marrjen e të gjitha të drejtave materiale që më takojnë. Mirëpo, përgjegjësit e kompanisë vazhdojnë me arbitraritetin e tyre dhe refuzojnë ta shqyrtojnë këtë vendim derisa ta heq hixhabin edhe atë para të gjithë pjestarëve të kompanisë. E fillova procedurën gjyqësore, e cila është në shqyrtim e sipër, e në të njëjtën kohë e paraqita problemin tim edhe në Organizatën e Aviacionit Civil, përgjigjia e të së cilës ishte se nuk ekziston asnjë ligj që e ndalon veshjen e hixhabit. Por, problemi është se kjo organizatë nuk mund t’i detyrojë kompanitë ajrore private. Poashtu kam marrë edhe fetvanë e muftiut të Egjiptit, në të cilën thuhet se nuk i lejohet pronarit të punës që ta largojë femrën nga vendi i punës për shkak të veshjes së hixhabit, sepse hixhabi është obligim i detyrueshëm (farz) për çdo muslimane dhe nuk lejohet të pasohet krijesa në mëkat ndaj Krijuesit. Nuk jam penduar “Laha”: Kjo çështje ka arritur edhe në parlament përmes disa deputetëve të “vëllezërve muslimanë” (ihvanu musliminë), a do të thotë kjo se ju anoni kah “vëllezërit muslimanë” e që kjo sipas përgjegjësve të kompanisë paraqet rrezik për ta? Nejrin Salim: Betohem në Allahun se nuk i njoh ata deputetë për së afërmi e as për së largu, por ata e ngritën këtë çështje në bazë të asaj që u publikua në mjetet e informimit duke u munduar që t’i rregullojnë problemet e femrave të mbuluara, të cilat janë larguar nga puna apo janë refuzuar të caktohen në vende të punës për shkak të hixhabit, si dhe problemi i largimit apo ndalimit nga puna i shumë meshkujve për shkak të mjekrave. Pra, është një kërkesë e përgjithshme për rregullimin e çështjes time dhe të të tjerëve që kanë të njëjtin problem. E tërë kjo nuk më intereson, por më intereson kthimi im në vendin e punës sa më shpejt që është e mundur e që të mos ma përmbysin ëndrrën time për botën e aviacionit. “Laha”: Problemi yt na përkujton atë çfarë ndodhi me disa spikere e reportere të veshura me hixhab, të cilat u larguan nga puna për shkak të hixhabit. A keni ndonjë kontakt me to? A prezentoni në ligjëratat fetare nëpër xhamia? Nejrin Salim: Jo, nuk kam asfarë kontakte me ato spikere e reportere apo me ndonjë artiste, të cilat janë të veshura me hixhab, madje as që kam paramenduar se problemi im do të jetë në qendër të vëmendjes së mjeteve të informimit, kur dihet se unë i kam shkëputur raportet me mjetet e informimit që nga zgjedhja ime Miss Egjipti afro 13 vjet më parë. Nuk prezentoj rregullisht në ligjëratat fetare, mundohem ta njoh fenë përmes leximit dhe ta trajtoj problemin tim në njëren anë, dhe të përkujdesem për burrin dhe vajzën time të vetme thesarin tim, në anën tjetër. “Laha”: A jeni penduar për veshjen e hixhabit dhe vrasjen e ëndrrës sate në botën e aviacionit? Nejrin Salim: Jo kurrsesi, por jam penduar për çdo ditë që isha larg adhurimit të Zotit tim, e sa i përket punës sime nuk do të lejoj të viktimizohet me aq lehtësi, por do t’i mbroj të drejtat e mia me çdo metodë që është e lejuar, ngase e drejta nuk mund të humb nëse ajo kërkohet! Marrë nga: Revista: “Laha Magazine” nr.80, 3 prill 2002—20.01.1423 h.
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|