BALLINA
Fjala e Bukur - Shkėndija qė sfiket | e enjte , 04 dhjetor 2008
Menyja Kryesore
BALLINA
LAJME
ISLAM
KUR'AN
SUNNET
FAMILJE
RINIA
SHKENCĖ
HUTBE
LIBRA
FETĖ
PĖR NE
SHKARKIME
WWW ADRESA
PYETJE E PĖRGJIGJE

KYĒUNI PĖR QASJE TĖ PLOTĖ!





Keni harruar fjalėkalimin
Nuk keni ende llogari? Bėje njė


       

   Drejtimi:
   
Nė Anglisht
   
Nga Anglishtja


Ne kemi 3 musafirė online
ISLAMI NĖ HUNGARI Bėje PDF Shtyp E-mail
Shkruar nga Arian Koēi   
e mėrkurė , 27 korrik 2005
Emërtimi zyrtar: Republika e Hungarisë.
Sipërfaqja: 93.030 km2.
Popullsia: 10,2 milionë.
Kryeqyteti: Budapesti (2 milionë).
Gjuhët: Hungarisht, Gjermanisht.
Fetë: 68% Katolik romanë, 21% Protestantë të Reformuar (kalvinist), 6% Evangjelistë, 5% të tjerë.

Hungaria, një vend i rizbuluar
Hungaria është një rrëmbyese zemrash; kushdo që shkon një herë, do të dëshirojë të shkojë sërish atje për ujërat termalë, për pyjet e bukura dhe për gjuhën e veçantë. Aty gjeni luksin e jetës moderne dhe stilin magjar, por me çmime më të lira. Kryeqyteti i saj i bukur, Budapesti, ka një jetë plot gjallëri. Qyteti i njohur si Budapesti përbëhet nga tre qytete: Óbuda, pjesa më e vjetër, me rrënojat romake e kelte në anën e Budës; Buda e vendosur në bregun perëndimor; dhe Pesti me qendrat tregtare, ndërtesat qeveritare e afariste në bregun lindor. I bashkuar më 1873, Budapesti është i famshëm dhe njihet si një ndër qytetet e trashëgimisë botërore.
Ndërsa, jashtë qyteteve do të gjeni pamje magjepsëse, liqene, ndërtesa të stilit barok, fshatra turistike etj.

Toka e Magjarëve
Baseni i Karpateve, ku gjendet Hungaria, ka qenë i populluar nga popullsi të ndryshme për mijëra vjet. Një fis që ka banuar këtu ka qenë edhe ai i Magjarëve, që kanë arritur në këtë zonë në shekullin VIII. Në vitin 1000, princi magjar Stefan u kurorëzua si mbret i krishterë Stefani I me një kurorë të dërguar nga Papa i Romës dhe kështu lindi Hungaria, mbretëri dhe komb. Në vitin 1526, ushtria e përzier e Hungarisë u thye nga turqit osmanë në betejën e Moháksëve. Kjo humbje i dha fund pavarësisë së Hungarisë.
Pas turqve erdhi Perandoria Habsburgase e Austrisë, që e ktheu Hungarinë në provincë të vetën. Më 1849, nën udhëheqjen e Lajos Kossuthit, Hungaria shpalli pavarësinë dhe rrëzimin e Habsburgëve. Monarkia e Dyfishtë u fut në Luftën e Dytë Botërore si aleate e Gjermanisë  me rezultate katastrofike  dhe më pas u zëvendësua nga një republikë.
Më 1947, zgjedhje të manipuluara sollën në fuqi komunistët. Më 1956, Hungaria u trondit nga revolta anti-sovjetike që la mijëra të vdekur. Pas rënies së komunizmit, Hungaria u emërtua Republika e Hungarisë më 1989. Në prill 1999, Hungaria hyri në NATO dhe në 2004 në Bashkimin Evropian.

Si hyri Islami në Hungari
Besohet se pushtimi turk i shekujve XVI-XVII ishte i vetmi ndikim islam në të shkuarën e Hungarisë që ia vlen të përmendet. Është me interes të thuhet se shkrimet e para mbi fiset hungareze janë në gjuhën arabe: Në shekullin e IX-të, Xhejhani nga Buhara, shënimet e të cilit kanë arritur te ne nga shkrimet e Ibn Rustës dhe Gardizit, i përshkruante këto fise si një "racë turke" dhe si nomadë që jetonin në rrjedhën e mesme të Volgës.
Sipas shkencës së sotme, hungarezët i përkasin familjes së njerëzve fino-ugrianë, por organizimi i tyre fisnor dhe fjalori i gjuhës mund të ketë pësuar pak nga ndikimi i fiseve turke që jetonin pranë tyre.
Mendohet se muslimanët e parë në këto vise kanë qenë arabë-ndoshta afrikano-verior ose andaluzianë, paraardhësit e të cilëve ishin bashkuar, në shekujt X-XI, me fiset peçenge (turke) që vinin nga lindja në Hungari dhe më pas u shkrinë me popullsinë vendase.
Nga burime të sakta hungareze dihet se "saraçenët" ose "ismailitët" kanë shërbyer si roje mbretërore, ndërsa muslimanë të tjerë mblidhnin taksa, shkëmbenin para etj., duke luajtur kështu një rol kryesor në ekonominë e vendit. Por trysnia e të krishterëve ishte në rritje dhe që nga vitet e 30-ta të shekullit XIII muslimanët zunë të zhduken nga skena për rreth 3 shekuj.
Disa ligje të shekullit të XI-të madje i detyronin muslimanët të kalonin testin e "mishit të derrit": Ata mund të vriteshin nëse nuk e hanin këtë mish të ndaluar nga ligji i Zotit.

Sundimi Osman
Edhe pse ka patur beteja dhe luftëra më herët midis mbretërve hungarezë dhe osmanë në shekujt XIV-XV, asnjëra palë nuk e sundoi plotësisht tjetrën deri në vitin 1526, kur ushtria e Sulltan Sulejmanit I (1520-1566) e asgjësoi ushtrinë e keqorganizuar dhe të dobët hungareze në Moháks. Pas kapjes së kryeqytetit nga ana e turqve, më 1541, vendi u nda në tre pjesë për një shekull e gjysmë: Perëndimi dhe Veriu ishin nën sundimin e Habsburgëve, qendra dhe jugu nën sundimin osman, kurse Transilvania, e ashtuquajtura "Mbretëria e Hungarisë Lindore" u shndërrua në një principatë autonome në mbrojtjen turke.
Pas largimit të osmanëve, ndër radhët e intelektualëve u pa një interes në rritje për turqit dhe fenë e tyre, madje edhe një farë admirimi, duke u nisur nga ata u bënë edhe aleatë të hungarezëve në luftë kundër Habsburgasve. Politikanët hungarezë në vitin 1867 bënë një kompromis me austriakët dhe u bënë partnerë të barabartë me ta në një monarki të dyfishtë me dy shtete. Kufijtë e kësaj monarkie u zgjeruan në kurriz të Turqisë, duke sjellë shumë nënshtetas të rinj muslimanë.

Shtetasit muslimanë të Hungarisë (1878-1918)
Hungarezët arritën të zgjeronin territorin e tyre me Bosnjën dhe Hercegovinën. Për hungarezët kjo tokë ishte shumë tërheqëse për pasuritë nëntokësore dhe mbitokësore, sidomos për pyjet dhe ujërat. Muslimanët e Bosnjës nuk ishin më shumë se gjysmë milioni, por preferoheshin më shumë sesa serbët dhe kroatët e Bosnjës.
Nën një situatë jo të mirë politike, Francis-Jozefi I aneksoi Bosnje dhe Hercegovinën më 1908, duke futur nën sundimin hungarez me qindra mijëra shtetas të rinj muslimanë. Kështu, ushtarët muslimanë u inkuadruan në ushtrinë austro-hungareze.
Hungaria së shpejti do të bëhej "aleate e muslimanëve", siç e quanin atëkohë. Pas përmirësimit të marrëdhënieve turko-austro-hungareze, pasioni për turqit dhe Islamin shtohet në Hungari sërish, e fuqizuar tashmë edhe nga aleanca e re ushtarake. Kjo solli edhe në miratimin unanim nga ana e parlamentit hungarez të Aktit 17:1916, që e deklaronte Islamin "fe të njohur" nga shteti.
Megjithatë, legjislacioni mbi Islamin ishte një ngjarje e madhe duke qenë se numri i muslimanëve në territorin e Mbretërisë së Hungarisë ishte i parëndësishëm, me përjashtim të studentëve turq dhe rreth 2000 ushtarëve nga Bosnja, Turqia dhe Shqipëria, të cilët do të shkonin në vendet e tyre pas përfundimit të luftës.
Siç duket, ligji 17:1916 ishte një gjest i mirë karshi aleatëve turq dhe i hynte më shumë në punë boshnjakëve sesa hungarezëve. Po këtë vit u hodh edhe ideja e ndërtimit të një xhamie në Budapest.

Monumentet islamo-turke
Përveç ndërtesave që shihen ende sot, shumë të tjera kanë mbetur vetëm në piktura dhe kujtime, sidomos në kujtimet e udhëtarëve kronikanë të shquar turq, si Evlia Çelebia, Xhelalzade Mustafai dhe Ibrahim Peçevi.
Banjat, fortifikatat, xhamitë dhe tyrbet na kujtojnë se dikur në këto qytete plot turq dhe sllavë muslimanë e të krishterë të Ballkanit ka ekzistuar një arkitekturë e pasur islame dhe një jetë e gjallë dhe aktive fetare, kulturore e tregtare. Këta banorë e kishin rregulluar ambientin sipas shijeve dhe kushteve të përshtatshme për jetesën e tyre.
Katër banjo termale të Budas ende përdoren si të tilla: banjoja e Çsászárit (e Veli Beut), ajo e Királit, ajo e Rudas (e Jeshil Beut) dhe ajo e Rácit (Debaghane), ndërkohë që rrënojat e banjos së Valide Sulltanes mund të gjenden në Eger, kurse rrënojat e banjos së Güzeldje Rustem Pashës në Székes-fehérvár.
Dy banjot e fundit janë me avull (hamam). Uji i tyre nuk vinte nga burime të ngrohta, siç ishte uji i katër banjove të lartpërmendura, por me anë të ujësjellësit dhe pastaj ngrohej me ngrohës special. Të gjitha këto banjo kohët e fundit janë zgjeruar dhe restauruar për t'u përdorur për qëllime turistike.

Xhamitë e Hungarisë
Le ta përqendrojmë vëmendjen tonë te xhamitë e ndërtuara në Hungari. Të gjitha ato u ndërtuan në gjysmën e dytë të shekullit të XVI-të. Pas largimit të turqve, shumica e tyre u shkatërruan, sidomos minaret (me përjashtim të atyre në Eger dhe Érd-Ófalu, të cilat kanë mbijetuar).
Xhamitë e pakta ende të paprekura gjenden në Baranya, në Transdanubian Jugore. Por më të famshmet janë dy xhamitë që gjenden në Pest: Xhamia e Ghazi Kasim Pashës dhe xhamia e Jakovli Hasan Pashës.
Këto xhami ishin ndërtuar me gurë e tulla dhe pas periudhës turke u përdorën si kisha të krishtera, edhe pse karakteri origjinal arkitekturor i tyre u ruajt. Xhamia e Ghazi Kasim Pashës u restaurua në fillim të vitit 1944, kurse xhamia e Jakovli Hasan Pashës në fundin e viteve të 50-ta, duke përfshirë edhe fasadën dhe minaren me ballkonin e saj të rrumbullakët.
Xhamia e Ali Pashës në Szigetvár ka shërbyer po ashtu si kishë, që nga viti 1712. Edhe fati i xhamisë së Sulltan Sulejmanit në të njëjtin qytet ishte i njëjtë, pasi u përdor si një depo municioni dhe si hambar. Muret e kësaj xhamie edhe sot kanë mbishkrime, gdhendje dhe shumë ajete kur’anore të pikturuara.
Vetëm pak prej zbukurimeve të xhamisë së Malkocs Beut në Siklós kanë mbijetuar, duke qenë se ndërtesa u përdor për qëllime të ndryshme disa herë: Në vitin 1901, kupola dhe një pjesë e mureve u rrënuan, ndërkohë që minarja ishte shkatërruar më herët.
Rrënojat e xhamisë së Haxhi Ibrahimit në Esztergom janë po ashtu në gjendje të keqe, shkatërrim që erdhi pas largimit të turqve dhe pas përdorimit si hambar e pastaj si shtëpi. Vetëm rrënojat e xhamisë së Tojgun Pashës në Budapest dhe Ferhad Pashës në Pécs mund të shihen ende.

Rrënojat e Budapestit Islam
Për njëqind e pesëdhjetë vjet osmanët sunduan në Budapest, deri në humbjen fatale në dyert e Vjenës.
Në kulmin e vet, Budini kishte 61 xhami të bukura dhe mbresëlënëse, 22 vendnamaze, 10 medrese, disa librari, disa teqe, puse të shumta me arkitekturë të mrekullueshme, pesë hotele të mëdhenj, disa kuzhina publike për të varfërit dhe një pazar antik.
Por, Era e Artë e Budapestit ishte jetëshkurtër. Më 1686, tre vjet pas humbjes së osmanëve në Vjenë, Habsburgët e shkretuan qytetin, duke bërë që ky qytet musliman të kalonte në dorën e botës së krishterë mesjetare.
Shumica e popullsisë islame u largua në kohë, por rreth 3000 banorët që mbetën i priste një histori e parë edhe më herët: shfarosja, skllavërimi ose konvertimi (për këta të fundit, gjuha hungareze ka edhe fjalën e duhur ujkeresztan ose kristianët e rinj).
Budini u shkatërrua plotësisht dhe çdo gjurmë e Islamit bashkë me të, por megjithatë shpëtuan disa banjo termale dhe një tyrbe, e quajtur tyrbja e Gul Babait, e cila ra në duart e jezuitëve, të cilët e kthyen atë në kishë. Kur jezuitët u ndaluan me ligj, tyrbja u bë pronë e shtetit dhe ekziston edhe sot.
Muslimanët duhet të prisnin marrjen e Bosnjës nga Austro-Hungaria më 1878 që të ktheheshin në këtë qytet. Ky pushtim solli integrimin për të parën herë të muslimanëve në perandorinë austro-hungareze. Muslimanët boshnjakë formuan një koloni në Budapest dhe jetuan pranë biznesmenëve turq. Ky grup u shtua edhe më me praninë e regjimentit boshnjak në ushtrinë austro-hungareze.
Kjo koloni islame mbijetoi deri në periudhën mes dy luftërave, periudhë pas së cilës zuri të shkrihej për shkak të integrimit dhe indiferencës. Regjistrimi i vitit 1926 tregon vetëm 447 muslimanë hungarezë.

Komuniteti islam mes dy luftërave
Edhe në këtë periudhë komuniteti islam pati shumë miq, disa prej tyre me shumë ndikim, siç ishte edhe kryebashkiaku i Budapestit. Anëtarë të tjerë të shoqërisë: gazetarë, avokatë, biznesmenë, ushtarakë në lirim, publikuan shumë artikuj dhe shkruajtën peticione në përkrahje të fesë islame dhe ndërtimit të një xhamie.
Madje për xhaminë u hartuan edhe skica nga arkitektët e shquar Francis Suppinger (1931) dhe Lóránd Lechner (1935), por pa asnjë rezultat.
Në vitet e 30-ta, në Hungari ndodheshin rreth dyqind emigrantë turq. Ende aty gjenden varret e muslimanëve turq, sidomos të ushtarëve, në varrezën Rákospalotai Új Köztemető të Budapestit. Edhe sot e kësaj ditë në këtë varrezë bëhen varrime islame.
Në atë kohë ekzistonte edhe një revistë javore pak e njohur, Budai Napló, e cila raportonte me besnikëri dhe hollësisht lajmet e muslimanëve. Kjo revistë ka përkrahur haptazi kauzën e Islamit dhe të xhamisë në Budapest.

Periudha e socializmit dhe e postsocializmit
Për rreth 40 vjet as që mund të flitej për Islamin në Hungari. Besimet fetare ishin nën kontrollin e rreptë dhe nën persekutimin e Partisë Komuniste.
Pjesa më e madhe e turqve dhe e boshnjakëve të përmendur më lart emigruan, ose përpara 1948 ose gjatë revoltës së vitit 1956. Që në vitet 1950, në Hungari gjendeshin disa studentë dhe të ardhur nga vendet arabe, të cilët më pas qëndruan aty dhe u martuan me vendase. Me kalimin e kohës këto raste u shtuan; shpesh bashkëshortet dhe fëmijët e këtyre martesave pranonin fenë islame, fenë e burrave dhe të baballarëve të tyre. Shumica e muslimanëve të huaj që qëndronin në Hungari nuk mund të quheshin refugjatë ose punëtorë të përkohshëm, për shkak të rrogave të ulëta në krahasim me vendet perëndimore.
Disa prej hungarezëve që kanë pranuar Islamin janë të njohur edhe jashtë kufijve të Hungarisë, si Sherif (Stefen) Horthy, nipi i ish-Regjentit, që sot banon në Xhakarta, i cili ndoshta është edhe më i shquari. Po ashtu duhet të përmendim edhe hungarezin me origjinë çifute Julius Germanus (1884-1979), alias Haxhi Abdul Karimi, që u bë musliman në vitet 1930, bëri haxhin disa herë dhe u bë i famshëm në botën islame dhe në mesin e lexuesve hungarezë për librat dhe artikujt e tij të shumtë mbi Islamin. Në fund të karrierës së tij, ai drejtoi katedrën e Studimeve Arabe në Universitetin e Budapestit.
Në vitin 1983, disa zyrtarë qeveritarë hodhën sërish idenë e ngritjes së një Qendre Islame në Budapest, me shpresën e tërheqjes së kapitalit të naftës në Hungari. Projekti u braktis pas pak kohe për arsye "ideologjike", edhe pse shumë ambasada të vendeve islame bënë çmos që të realizohej.
Një përkthim me koment i Kur’anit në gjuhën hungareze është bërë nga profesori orientalist Robert Simon, botuar në vitin 1987.
Pavarësisht nga ndërrimi i qeverive, është i paimagjinueshëm sot një kryeqytet evropian pa xhami, pa një vend të përshtatshëm ku besimtarët muslimanë të mund të adhurojnë Zotin. Si në shumë vende të tjera perëndimore, një qendër islame mund të jetë një forum për intelektualët dhe shkëmbim shpirtëror e ndërveprim midis feve dhe kulturave të ndryshme. Asambleja Botërore e Rinisë Islame për Evropën Lindore, me qendër në Vjenë, ka ndërmarrë hapat e para për realizimin e këtij projekti.
Pas rënies së murit të Berlinit, Evropa e sheh veten me një popullsi islame shumë të rëndësishme. Nëse në Lindje prania e tyre daton disa shekuj, në Perëndim muslimanët kanë hyrë në vitet e 40-ta me emigrimin. Por, vitet e fundit po flitet edhe për një "Islam evropian" të përbërë nga intelektualët e brezit të ri, që nuk kanë më lidhje të forta me vendet e origjinës së tyre.

Komuniteti Islam në Hungarinë e sotme
KIH është njohur dhe regjistruar zyrtarisht në vitin 1988. Ky komunitet përfaqëson muslimanët hungarezë dhe ata jo hungarezë. Gjatë viteve 1988 deri më 1996 ishte nën drejtimin e Dr. Mihálffy Balázs Abdurrahmanit. Ky komunitet është urë lidhëse e muslimanëve vendas me ata të huaj. Aktivitetet e KIH-së përfshijnë edhe botimin e revistës “Bota e Thirrjes”, që nga muaji dhjetor 2003.

Marrë nga revista “Argumenti”, nr. 30
Kjo e-mail adresė ėshtė e mbrojtur nga keqpėrdorimet (Spam Bots), ju duhet tė aktivizoni JavaScript qė tė mund ta shihni

 
< Prapa   Para >

     

    3. Nata e Kadrit - 563KB
    2. Leximi i Kur'anit - 491KB
    1. Përfitimet nga Agjërimi - 1067KB

    !!! Shkarkoni duke i klikuar !!!

   
Google

Kliko!
Advertisement

     10 Pyetjet e Fundit
 
  10 Shkarkimet e Fundit
 
     10 Dërgesat e Fundit n[ Fjala e Bukur - Grup
 

No Documents
Cache Directory Unwriteable

Materialet qė paraqiten nė kėtė uebsajt nuk do tė thotė se korrespondojnė gjithsesi me atė ēfarė Fjala e Bukur di pėr tė vėrtetė.
Materialet e kėtij uebsajti mund tė publikohen edhe nė uebsajte dhe mediume tjera me kusht qė tė tregohet burimi (www.fjalaebukur.com).
Copyright © 2004-2008 Fjala e Bukur. Tė gjitha tė drejtat e rezervuara.
Strehohet dhe mirėmbahet nga VIVA4 Solutions - Kliko Kėtu! Tash edhe nė shqip!