|
Një problem i ngritur prej kohësh prej kritikëve të Kur’anit është ai i Hamanit, i cili përmendet në Kur’an gjashtë herë si bashkëpunëtor ose si vezir i Faraonit. Ja dhe versetet në fjalë:
1.“..e Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së këtyre të dyve t’ua tregojmë atë që i ruheshin (ia kishin frikën).” [El-Kasas 6] 2.“Vërtet Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre ishin kundërshtarë (gabonin me qëllim).” [Kasas, 8] 3.“E Faraoni tha: “O ju pari, unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje, andaj ti, o Haman, m’i piq (tullat) nga dheu e më ndërto një kullë të lartë, ndoshta do të arrij të shoh zotin e Musait, sepse unë mendoj se vërtet ai është gënjeshtar.” [Kasas, 38] 4.“Edhe Karunin, Faraonin dhe Hamanin. Atyre Musai u solli fakte, por ata treguan mendjemadhësi, andaj nuk mundën t’i shpëtojnë dënimit.” [Ankebutë, 39] 5.“Ne e kemi pasë dërguar Musain me argumente e fakte të qarta, te Faraoni, dhe te Hamani dhe Karuni, e ata i thanë: “Magjistar e gënjeshtar!” [Gafir, 23-24] 6.“E Faraoni tha: “O Haman, ndërtoma një pyrg, e ndoshta do t’i gjej rrugët, rrugët e qiejve, e ta shoh Zotin e Musait, pse unë mendoj se ai është rrenës.” [Gafir 36-37] Nga këto versete është e dukshme se Hamani mund të jetë një lloj veziri i Faraonit. Kjo është arsyeja se përse të gjithë komentatorët e hershëm të Kur’anit kanë pohuar se Hamani ishte veziri i Faraonit të Egjiptit me të cilin pati punë Musai a.s. I vetmi problem që ata ngrejnë në lidhje me këto versete është sqarimi nëse Hamani e ndërtoi në të vërtetë këtë kullë. Disa pohojnë se kulla në të vërtetë u ndërtua, dhe se Hamani thirri pesëdhjetë mijë muratorë, të cilët iu futën kësaj pune derisa kulla u përfundua. Atëherë Faraoni hypi në majë të saj dhe lëshoi një shigjetë drejt qiellit, e cila ra poshtë e gjakosur. Faraoni atëherë tha: “E vrava Zotin e Musait!” Por komentatorë të tjerë, më të ditur, thonë se Faraoni nuk e ndërtoi këtë kullë, sepse, kështu mendon edhe Fahrudin Rraziu, është e paparamendueshme që një qenie e arsyeshme të hipë mbi një kullë, sadoqoftë e lartë, dhe të arrijë qiellin. Në fakt, ai që hipën në majën më të lartë, do ta shohë qiellin po aq larg sa kur e sheh nga toka. Të gjithë njerëzit e logjikshëm e dinë se një shigjetë nuk mund ta prekë dot qiellin. Kushdo që do të provonte të bënte një gjë të tillë, do të konsiderohej si i marrë. Pra, nuk i ka hije logjikës e as fesë që të interpretojë këto versete në një mënyrë që arsyeja do ta refuzonte me siguri. Në këtë mënyrë Rraziu pohon se interpretimi më i përafërt me të vërtetën është të thuhet se Faraoni ka krijuar iluzionin e ndërtimit të kësaj kulle, por në realitet nuk e ka ndërtuar. Ose që Faraoni fjalët: “O Haman! Ndërtoma një pyrg, ndoshta do t’i gjej rrugët e qiejve”,- i ka thënë me ironi, për të dëshmuar se është e pamundur të vërtetohet ekzistenca e Zotit të Musait a.s., vetëm nëse hipet në qiell për t’u siguruar nëse ekziston; por kjo është pamundur, sado lart të hipim në një kullë, qoftë edhe më e larta në absolut. Me anë të këtij shpjegimi të mprehtë Fahrudin Rraziu(1) besoi se e shpjegoi absurditetin e propozimit të Faraonit. Por, asnjëri prej komentatorëve muslimanë të Kur’anit nuk ka ngritur kurrfarë problemi lidhur me personalitetin e Hamanit. Kjo nënkupton se asnjë kritik çifut ose i krishterë i Kur’anit nuk e ka ngritur ndonjëherë këtë problem, përndryshe përgjegjia e apologjetëve muslimanë nuk do të kishte munguar. Në fakt, asnjë polemist i krishterë, duke filluar që nga Jean Demoscène deri në Rilindjen Evropiane, s’e ka ngritur ndonjë vërejtje lidhur me Hamanin.(2) Duhet të vijmë në kohën e polemikave kristiane moderne që të nisë të diskutohet ky problem. Për të mos shkuar më thellë në historinë e polemikës së krishterë për këtë subjekt, po mjaftohemi me raportimin e propozimeve të Théodore Nöldekes, orintalisti i shquar gjerman. Në një artikull të botuar në Encyclopaedia Brittanica, botimi i 9-të, (XVI, faqe 597), në vitin 1887(3), ai thotë: “The most ignorant jew could never have mistaken Haman (the minister of Ahasuerus) for the minister of Pharaoh.” (Sketches from Eastern History, faqe 30) Ky pohim i prerë i Nöldekes jep shkas për vërejtjet në vijim: Me ç’të drejtë pretendon ai se Hamani i Faraonit është i njëjti Haman i Librit të Esterit (3:1-15,17) i preferuari i mbretit Assuerus, mbret i Persisë dhe bashkëshort i Esterit? As në Bibël e as në legjendat çifute, haggadike ose të tjera, Hamani nuk shoqërohet me ndërtimin e një kulle; ndërsa kulla e famshme e Babelit (Zanafilla, XI, 1-9) thuhet se është ndërtuar pak pas përmbytjes, prej pasardhësve të afërt të Nuhut a.s.. Nga ana tjetër, Assuerusi kishte si kryeqytet qytezën e Sues, në Usianë, që është brenda në Persi, dhe nuk ka absolutisht të bëjë me Babelin ose me Babiloninë (shih Ester 1, 2-3). Hamani ishte “bir i Hamdates, nga vendi Agg” (Ester, 1), për më tepër vend i panjohur. Pra, Bibla, burimi i supozuar i Kur’anit për çështjen në fjalë, nuk e lidh Hamanin as me Babelin as me kullën e Babelit. Nga vjen konfuzioni, nëse ka një të tillë, ndërmjet Hamanit, favoritit të Assuerusit, dhe Hamanit të Kur’anit?! Por, Nöldeke as që u mundua të vërtetonte pohimin e tij krejtësisht të pambështetur. Kjo është mjaft e habitshme nga ana e një njeriu të mbajtur si “një dijetar i shquar” dhe njëri prej shtyllave kryesore të orientalizmit kategorik! Nëse, siç thotë ai, “më injoranti ndër çifutët në Medine nuk do ta kishte ngatërruar Hamanin, këtë ministër të Assuerusit, me ministrin e Faraonit”, Muhammedi a.s. me siguri do ta kishte dëgjuar nga gojët e këtyre çifutëve injorantë këtë vërejtje dhe do ta kishte ndrequr se s’bën këtë gabim trashanik të supozuar, e ky gabim nuk do të ishte ruajtur në tekstin e Kur’anit dhe nuk do të ishte transmetuar më pas. Por, ajo ekziston mirë e bukur në Kur’an që nga shkruajtja e tij si libër e deri më sot. Pra, hipoteza e Nöldekes është plotësisht e gabuar dhe absurde. * * * Një tjetër supozim jo më pak absurd është ai i Maurice Gaudefroy-Demombynesit. Pasi citoi ajetet e përmendura më lart në formën e shkurtuar si më poshtë: “Faraoni iu përgjigj duke i thënë: “Ndize zjarrin mbi argjilën dhe më ndërto një kullë që të arrij deri te Zoti i Musait”, dhe thotë: “Ky është një suvenir biblik, jo pa konfuzion. Hamani njihej si një armik i frikshëm i çifutëve: Në një ajet të Kur’anit ai i bashkohet Faraonit dhe Karunit, njeriu më i pasur i tokës, në një trio të inspiruar prej Djallit, e njohur për poezinë e lashtë arabe.”(4) Ky tekst nuk është i qartë, sepse ai përzien së bashku këta tre personazhe dhe nuk saktëson se ku qëndron ky konfuzion që ai përmend. Pra, ky është edhe më i pashpjegueshëm se Nöldekeja. Nga ana tjetër, fakti i thjeshtë që Hamani mbahej si “armik i frikshëm i çifutëve” nuk shpjegon përsenë e konsiderimit të tij në Kur’an si vezir i Faraonit. Çifutët kishin edhe shumë më tepër armiq, madje edhe më të frikshëm, të cilët janë përmendur gjithashtu në Bibël, por që Kur’ani nuk i përmend dhe aq më tepër nuk e shoqëron me Faraonin. Pra, propozimet e Gaudreroy-Demombynes janë edhe më idiote dhe zbulojnë një mungesë totale të qartësisë në të menduarit e tij. * * * Pasi i hodhëm poshtë pohimet e Nöldekes dhe të Gaudefroy-Demonbynesit, le të shohim se ç’është ky problem i paqenë i Hamanit. Sipas mendimit tonë, Hamani, për të cilin flitet në gjashtë ajetet kur’anore që përmendëm në fillim, nuk është emri i një personi, por një titull gjenerik i dhënë priftit të madh të Faraonit. Ne e dimë nga historia e Egjiptit se Prifti i Madh i Amonit siguroi një autoritet të madh te Faraoni duke filluar që nga dinastia e nëntëmbëdhjetë. Ai madje arriti të shtinte në dorë të gjithë provincën e Nlilit të Epërm. U bë prijës i të gjitha ushtrive, zëvendës-mbret i Kush-it, thesarmbajtësi i madh i perandorisë dhe mbikëqyrës kryesor i ndërtesave përkushtuar zotave.(5) Në fakt, veziri i Faraonit “kontrollonte punimet publike, financat”.(6) Ndër titujt e vezirit Ptahotep po përmendim titullin “Mbikëqyrës i të gjitha punëve të mbretit” (ibidem). Pra, Prifti i Madh i Amonit kryente funksionin e vezirit të Faraonit. Hipoteza jonë është si vijon: Emri Haman në Kur’an është identik me Amon; afërsia mes dy emrave është akoma më e mundshme pasi Amon shqiptohet edhe Amana (shih Encyclopaedia Brittanica, I, fq 321, kol 1, edicioni 1982). I thuhet për shkurtim kështu “priftit të lartë të...”. Ashtu si titulli Faraon tregon mbretin e Egjiptit, Haman tregon, në traditën gojore, vezirin e Faraonit. Për vetë faktin se në Kur’an veziri i Faraonit, i cili pati punë me Musain a.s. quhej Haman, hipoteza jonë shpjegohet qartazi dhe pa hasur vështirësi. Pra nuk ka ndonjë problem lidhur me këtë çështje dhe të tëra kritikat e ngritura në këtë drejtim rezultojnë të rreme dhe tendencioze. Por, Nöldeke, gjatë tërë këtij pasazhi (Sketches from ... fq 30-31) tregohet shumë hileqar. Pas kritikës mbi Hamanin dhe Merjemen, ai thotë: “In addition to such misconceptions there are soundry capricous alterations, some of them very grotesque due to Muhammad himself. For instance, in his ignorance of anything out of Arabia, he makes the fertility of Egipt- where rain is almost never seen and never missed - depend on rain instead of the inundation of the Nile (XII, 49).” Kjo kritikë është një budallallëk monstruoz dhe zbulon te Nöldekeja- i paçmueshmi Nöldeke- një padituri të madhe, qoftë të gjuhës arabe qoftë të çështjeve të Egjiptit. Para së gjithash verseti (XII, 49), për të cilin ai pretendon se thotë tekstualisht sipas përkthimit të Blachere: “Puis, après cela, viendra une année ou les gens seront secourus et iront au pressoir.” Në fakt teksti arab thotë: “ Fjala “jugathu” do të thotë “të jesh i ndihmuar”.(7) Të flasim si duhet, aty nuk bëhet fjalë për shi. Por Nöldeke ra në grackë prej përkthyesve evropianë të Kur’anit, të cilët e kanë interpretuar liberalisht këtë fjalë, dhe i turbulluar prej ndonjë komenti ndihmës për të parafrazuar dhe lehtësuar të kuptuarit e tekstit, në vend që ta përkthenin si Sujutiu. Por, edhe përkthyesit evropianë Nöldekeja i ka lexuar keq dhe nguturazi. Nëse, për shembull, George Sale i përktheu vargjet në fjalë kështu: “Then shall there come, after this, a year when wherein men shall have plenty of rain, and wherein they shall press wine and oil,” ai nuk humb kohë të hedhë poshtë, në një shënim në fund të faqes, një kritikë të tipit të Nöldekes duke thënë: “Notwithstanding what some ancient authors write to the contrary (Platoni, in Timeas, Pomp, Mala), it often rains in winter in Lower Egypt, and even snow has been observed to fall at Alexandria contrary to the express assertion of Seneca (Nat, Quaest, 14). In Upper Egypt indeed, towards the Nile cataract, it rains very seldom... Some however suppose that the rains here mentioned are indeed those which should fall in Ethiopia and occasion the swelling of the Nile.”(7) Egjiptianët që jetojnë në Egjiptin e Poshtëm, në Delta, e dinë shumë mirë se si bie shi me bollëk gjatë dimrit, gjatë katër muajve (dhjetor-mars) dhe se kulturat e grurit, tërfilit, elbit, bathës etj., varen pothuajse plotësisht prej shiut që bie gjatë këtij sezoni. Unë e di mirë se Nöldeke nuk ka dalë kurrë jashtë Evropës dhe se kurrë nuk ka shkelur, gjatë gjithë jetës së tij të gjatë (1836-1931) në vendet arabe dhe muslimane, edhe pse specializoi në fushën e studimeve arabe dhe islamike! Por a nuk e ka lexuar ai përkthimin e Kur’anit nga Sale, përkthim shumë i përhapur në shekullin e tetëmbëdhjetë? Gabimi i Nöldekes këtu është pra i dyfishtë: së pari, sepse nuk ka kuptuar tekstin arabisht të ajetit XII, 49, dhe, më pas, sepse ka thënë se në Egjipt “rain is never seen and never missed” (përkthim: as nuk shihet me sy e as nuk mungon), gabim kapital të cilin madje edhe një egjiptian i mitur nuk do ta bënte.(8) Shënime plotësuese: 1.Fahr al-Din al-Razi, Commentaire du Coran, La Caire, s.d.t. 24, faqe 253. Një skicë e kësaj zgjidhjeje gjendet në “Tanzih al-Qur’an”, fq 130, të autorit Abd al-Gabbar. 2.V. Adel-Theodore Khoury, Les Theologiens byzantins et l’Islam, Lovvain, 1969. 3.Marrë nga libri i tij “Sketches from Eastern History”, 1892, faqet 21-59. 4.Maurice Gaudefroy-Demombynes, “Mahomet”, Paris, faqe 360. 5.Shih A.H. Breasted, “A history of Egypt”, faqe 520. 6.Dumas, “La civilisation de l’Egypte pharaonique”, Paris, 1965, faqe 158. 7.Shih Commentaire de Razi, t. 18,, faqet 150-151, dhe Abu Hayyanit, t. V, faqe 314. 8.The Koran, translated into english from the original arabic by George Sale. Ky përkthim u botua më 1734. Sasia e shiut që bie në Aleksandri dhe në veri të Deltës është 206 mm, e në Kajro 33 mm. Shih L.S Suggate, Africa, London, Harrop, 1974. Marrë nga libri: “Mbrojtja e Kur’anit nga kritikët e tij”
src="http://pagead2.googlesyndication.com/pagead/show_ads.js">
|